Trend

Pse të rinjtë ‘refuzojnë’ të përgjigjen në telefon

Një sondazh i kohëve të fundit zbuloi se një e katërta e njerëzve të moshës 18 deri në 34 vjeç nuk përgjigjen kurrë në telefon. Të anketuarit thonë se e injorojnë zilen, përgjigjen me tekst ose kërkojnë të zbulojnë numrin nëse nuk e njohin atë.

Sondazhi i Uswitch me 2000 njerëz zbuloi gjithashtu se gati 70% e moshave 18-34 preferojnë një mesazh në vend të një telefonate.

Për gjeneratat e vjetra, të folurit në telefon është normale ndërsa për të rinjtë, normale është të shkruash mesazh.

Dhe duket se gjithçka mund ta kenë filluar prindërit...

Dikur, kur të rinjtë rrinin duke folur në telefon me shoqërinë, ishin prindërit që u thonin të hiqnin telefonin sepse po i bezdisnin ose sepse po rrinë shumë në telefon.

“Ne nuk të dhamë këtë telefon që të mund të bësh thashetheme me miqtë e tu gjatë gjithë mbrëmjes”, ishte një nga shprehjet që përdornin prindërit.

Dhe kështu lindi një brez mesazhesh dhe telefonatat bëheshin për raste emergjente.

Dr Elena Touroni, psikologe shpjegon se për shkak se të rinjtë nuk e zhvilluan zakonin e të folurit në telefon, "tani ndihet e çuditshme pasi nuk është normë".

Kjo mund t'i bëjë të rinjtë të kenë frikë nga më e keqja kur telefoni i tyre fillon të bjerë(ose të ndizet në heshtje sepse askush nën moshën 35 vjeç nuk ka një zile të lartë).

Më shumë se gjysma e të rinjve që u përgjigjën në sondazhin e Uswitch pranuan se mendonin se një telefonatë e papritur do të thotë lajm i keq.

Psikoterapistja Eloise Skinner shpjegon se ankthi rreth telefonatave vjen nga "një ndjenjë e frikës dhe të të panjohurës".

"Ndërsa jeta jonë bëhet më e ngarkuar dhe oraret e punës më të paparashikueshme, ne kemi më pak kohë për të thirrur një mik thjesht për t’i dëgjuar zërin. Thirrjet telefonike, atëherë, bëheshin për lajmet e rëndësishme në jetën tonë, të cilat shpesh mund të jenë të ndërlikuara dhe të vështira."

Por të mos flasësh në telefon nuk do të thotë që të rinjtë nuk janë në kontakt me miqtë e tyre pasi bisedat në grupe ‘tingëllojnë’ gjatë gjithë ditës me një përzierje mesazhesh, memesh, thashetheme dhe, së fundmi, mesazhe zanore.

Shumë nga këto biseda tani zhvillohen në mediat sociale, veçanërisht në Instagram dhe Snapchat ku është më e lehtë të dërgosh imazhe dhe meme krahas teksteve.

Ndërsa të gjithë të rinjtë pajtohen se telefonatat janë një “Jo” e madhe, përdorimi i mesazheve zanore i ka ndarë brezat e rinj.

Në sondazhin e Uswitch, 37% e moshave 18-34 thonë se mesazhet zanore janë të preferuarat e tyre në komunikim.

Në krahasim, vetëm 1% e 35-54-vjecarëve preferojnë mesazhet zanore në vend të një telefonate.

"Një mesazh zanor është njësoj si të flasësh në telefon, por më mirë," thotë një 19-vjeçare.

Por për të tjerë, është e lodhshme të dëgjosh një mesazh 5 minutësh nga një mik që i përditëson për jetën e tyre, ku çdo fjalë e dytë është "ëëë" ose "uhmm" dhe e gjithë historia mund të ishte treguar në një mesazh me tekst.

Por deri në çfarë mase fillon të ndikojë fobia e telefonatave në jetën tuaj personale apo në jetën e punës?

Të rinjtë thonë se është ankth të lidhesh me telefonatë me dikë pasi këtu ‘ndërhyjnë’ ngathtësia e momentit, mungesa e përgjigjes apo presioni për t’u përgjigjur menjëherë.

“Telefonatat janë më ekspozuese dhe kërkojnë një nivel më të lartë intimiteti, ndërsa mesazhet janë të shkëputura dhe ju lejojnë të lidheni pa u ndjerë i cenueshëm apo i ekspozuar”, shpjegon Touroni.

Por, me një preferencë për komunikim joverbal dhe një tendencë për të punuar nga shtëpia, a po humbasim aftësinë për biseda të paplanifikuara dhe joformale?

Skinner thotë se nëse trendi aktual vazhdon, atëherë "mund të humbasim ndjenjën e afërsisë ose lidhjes".

“Kur komunikojmë verbalisht ndihemi më të lidhur, emocionalisht, profesionalisht apo personalisht”, vazhdon ajo. "Kjo lidhje mund të çojë në një ndjenjë më të madhe përmbushjeje, veçanërisht në vendin e punës."

Ndërsa disa njerëz mund të thonë se ky trend i ri i komunikimit është një provë e mëtejshme se ne jemi "flokë dëbore e gjeneratës", në fakt është larg nga kjo.

Në vend të kësaj, ka të bëjë me përshtatjen. Pa dyshim, 25 vjet më parë njerëzit rezistuan nga kalimi nga faksi në email, por ndryshimi e ka bërë komunikimin shumë më efikas.

Ndoshta tani është koha për të njohur fuqinë e tekstit dhe ashtu siç hoqëm dorë nga faksi në vitet 1990, ne mund të lëmë pas telefonatat e frikshme në 2024.

Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë