Heqja e dhjamit bukal (heqja e dhjamit në faqe) mund të jetë thjesht pasardhësi i ngritjes braziliane të të pasmëve, ose procedura më e re estetike që është bërë trend.
Gjatë javëve të fundit, heqja e dhjamit bukal është bërë një temë e rëndësishme në mediat sociale pasi disa të famshëm u përfolën se kishin kryer procedurën, gjë që nxiti përdoruesit e rrjeteve sociale të tregonin përvojat e tyre.
Sipas të dhënave të Google Trends, kërkimet për heqjen e dhjamit bukal u rritën me shpejtësi duke filluar nga dhjetori.
Heqja e dhjamit bukal është heqja e një mase indi të vendosur thellë brenda faqes. Procedura zakonisht kryhet nën anestezi. Kirurgu krijon prerje të vogla në të dyja anët e pjesës së brendshme të gojës së pacientit në mënyrë që të heqë pjesën dhjamore.
Darren Smith, një kirurg plastik në Nju Jork, i tha CNN se "mund të theksohen mollëzat duke hequr dhjamin që ndodhet në mes të faqeve".
Smith tha se ai zakonisht pacientët që duan të bëjnë këtë lloj ndërhyrje janë njerëz që kanë një fytyrë të rrumbullakët dhe duan ti japin pak formë.
Gjithashtu ndërhyrja mund të krijojë një fytyrë me pamje më të hollë, sipas Smith.
Por arsyeja që reduktimi i dhjamit bukal është aktualisht në trend është për një qëllim tjetër. Duke hequr dhjamin nga faqet, mollëzat marrin më shumë formë dhe duken më të plota.
“Pacientët duan tu japin më shumë formë mollëzave”, tha Smith duke shtuar se një ekspert mund të arrijë rezultatin e duhur me shumë kujdes.
Personat e famshëm dhe mediat sociale kanë rritur interesin për heqjen e dhjamit bukal.
Smith thotë se ai ka parë një rritje të interesit për heqjen e dhjamit bukal gjatë viteve të fundit.
“Është një procedurë që po bëhet gjithnjë e më popullore”, tha ai.
Vitin e kaluar, modelja Chrissy Teigen njoftoi në Instagram se i ishte nënshtruar heqjes së dhjamit bukal.
“Po i shoh rezultatet dhe më pëlqen”, tha ajo në Instagram në atë kohë.
Të tjerë të famshëm janë përfolur se e kanë kryer këtë procedurë edhe pse nuk e kanë pranuar vetë.
Smith thotë se media sociale është një shtytës kryesor i interesit.
“Unë mendoj se media sociale luan një rol të jashtëzakonshëm”, tha ai.
“Ne po shohim që mediat sociale vendosin të gjitha llojet e tendencave, pasi njerëzit kanë akses më të shpejtë dhe më të shpeshtë në pamjet dhe tendencat më të fundit të të famshmëve”.
Për më tepër, mediat sociale u kanë mundësuar pacientëve të ndajnë përvojat e tyre.
"Njerëzit tani po ndajnë më shumë përvojat e tyre dhe të tjerët nuk kanë më aq shumë frikë për të bërë një ndërhyrje”, thotë Smith.
Ellen Gendler, një dermatologe kozmetike në Nju Jork, tha për CNN se ka vërejtur një rritje të pacientëve që pyesin për heqjen e dhjamit bukal në javët e fundit.
“Javën e kaluar, 20 njerëz më pyetën për heqjen e dhjamit bukal”, tha ajo.
Por, pas rritjes së interesit, kirurgët po përdorin po rrjetet sociale për të këshilluar njerëzit që të kenë kujdes në lidhje me procedurën.
Gendler për shembull këshilloi gratë e reja që të shmangin heqjen e dhjamit bukal.
“Tendenca e fundit e heqjes së dhjamit bukal është ndoshta trendi më i dështuar që kam parë për një kohë të gjatë”, tha ajo.
Gendler tha për CNN se për shkak se heq volumin nga fytyra, heqja e dhjamit bukal mund të ketë një efekt të plakjes së parakohshme te pacientët. Ndërsa mund të duket bukur në fillim, pasi pacienti plaket, mungesa e dhjamit bukal bën që të duken më të dobët dhe më të vjetër.
“Dhe sapo dhjami bukal të jetë hequr, nuk ka asnjë mënyrë për ta rikthyer atë”, tha Gendler.
Gendler u kërkoi pacientëve që mendojnë për heqjen e dhjamit bukal të marrin në konsideratë rreziqet dhe të kuptojnë se si rezultatet e tyre mund të ndryshojnë me kalimin e kohës.
Burimi: CNN. Përshtati: Gazeta Si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.