Art dhe Kulture

Pse shqiptarët kanë nisur të kenë një “lexim” ironik të baladave dhe legjendave

Nga Gazeta Si – Balada e Kostandinit dhe Doruntinës, Legjenda e Rozafës, Kënga e Gjergj Alisë, Udhëtimi i Ago Ymerit, e të tjera si perla të folklorit që në krye të herës kanë shndritur me forcën e tyre të jashtëzakonshme. Legjendat dhe baladat vazhdojnë të jenë prezente, por kohët e sotme ata vijnë në një formë më moderne dhe ka filluar të bëhet i pranishëm një “lexim” ironik i tyre.

Pedagogia e Letërsisë, Dhurata Shehri, shprehet për Gazetasi.al se baladat dhe legjendat vazhdojnë të njihen dhe leximi ironik i tyre vjen për shkak të një leximi postmodern të ngjashëm të miteve.

Dhurata Shehri, pedagogia e Letërsisë

“Mjafton të kujtojmë serinë e vënieve në skenë me humor të personazheve e ndodhive baladeske e legjendare (emisionet e ‘Portokalli’). Ndonëse të shformuar përmes këndvështrimit të humorit, edhe përmes tyre njihen baladat dhe legjendat shqiptare. Një pjesë e tyre i gjejmë të përdorura edhe në fushën e reklamave, si ikona apo simbole për produkte të ndryshme tregtare”, shprehet Shehri.  

Shehri thekson se edhe kinemaja po tenton të prodhojë mite moderne, duke iu referuar mitologjisë apo legjendave.

“Kinemaja vazhdon të prodhojë mite moderne duke iu referuar mitologjisë apo legjendave (siç është rasti i mitologjisë gotike mbi të cilën mbështeten disa nga filmat ‘Avengers’ të kompanisë ‘Marvel’”, shprehet ajo.

“Ne jemi një popull mesdhetar dhe përjetimi psiko-emocional i miteve është pjesë e rëndësishme e ADN-së tonë”, shprehet studiuesja e folklorit, Luljeta Dano për Gazetasi.al.

Edhe studiuesja Dano e pranon që personazhet e baladave dhe legjendave të moçme vijnë në forma më të modernizuara. Dano thotë se tashmë emrat, titujt dhe simbolika e miteve të lashta janë koduar ngado edhe në teknologjinë informatike apo në atë që po tenton të tejkalojë natyrën e botës tonë: nanoteknologjia, kuantika.

“Unë mendoj krejt të kundërtën e deklaratës së çuditshme të presidentit të Singaporit: Nuk do t’u mësojmë fëmijëve Homerin e mitet e lashta, por IT. Besoj, se mitet e lashta, legjendat, fshehin mistere jo vetëm të së shkuarës së largët, por edhe të së ardhmes së njerëzimit”, përfundon Dano për Gazetasi.al.

Luljeta Dano, studiuese e folklorit

Më tej, studiuesja Dano thotë se është zvogëluar ndjeshëm koha që kalohet me gjyshërit dhe rrëfimin e tyre, ndaj dhe fëmijët e të rinjtë hasen me forma të tjera të këtyre personazheve.

“Fëmijët sot i njohin kryesisht legjendat e gojëdhënat më universale të qytetërimit njerëzor nga librat me ilustrime dhe filmat vizatimorë apo edhe nga ikonografia në objektet e konsumit”, shprehet ajo, ndërsa shton se “duket se fëmijët njohin më shumë këto figura legjendare ndërkombëtare sesa legjendat e veta shqiptare”.

Dano përmend edhe shkrimtarët shqiptarë që kanë sjellë personazhe të legjendave dhe baladave, dhe ndërkohë bën edhe një ftesë për t’i lexuar.

“Mitrush Kuteli me kthimin në rrëfenja për fëmijë të Këngëve të Eposit të Kreshnikëve na dhuroi një monument – simbol edukimi me trashëgiminë shpirtërore për fëmijët apo ‘Sokolesha’ nga Sterjo Spasse”.

Sipas pedagoges së Letërsisë, Dhurata Shehri, tashmë disa legjenda dhe balada të ndryshme për shkak të natyrës së kumtit të vet universal, kanë “migruar” nga një vend në tjetrin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë