Politike

Pse qeveria kërkon zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore deri në mars

Shpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore pritet të shtyhet me 90 ditë deri në mars të vitit 2020. Shtyrja pritet të miratohet nga Parlamenti në seancën e kësaj jave, ndersa si argument kryesor në relacionin e kërkesës që Gazeta “Si” ka siguruar, eshte dhene fakti se lekundjet ende vazhdojne dhe se siguria e qytetareve eshte ende ne rrezik.

“Në mëngjesin e datës 26 nëntor 2019 u regjistrua një ndër tërmetet më të fuqishme të dekadave te fundit, ora 03:54:11, me magnitude Mg=6.3 shkalla Rihter, në thellësi 38 km dhe me epiqendër 15 km në veri te qytetit të Durrësit. Nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019 dhe deri në datën 9 dhjetor 2019 janë regjistruar ne total, gjithsej, 1 775 tërmete, nga të cilat janë lokalizuar 422”, thuhet në relacionin e Qeverisë.

Faksimile e relacionit të qeverisë ku jepen arsyet se pse kërkohet shtyrja me tre muaj e gjendjes së jashtëzakonshme

Objektivat e këtij projektvendimi, sipas qeverisë, janë garantimi i sigurisë së jetës së banorëve, sigurimi i veprimtarisë normale për jetesën e komuniteteve të prekura në këto zona, si dhe marrja e masave parandaluese, mbrojtëse e rehabilituese në infrastrukturën dhe mjedisin e prekur nga situata e krijuar. Ligji i mbrojtjes civile parashikon se gjendja e fatkeqësisë natyrore kalon në disa faza, të cilat fillojnë me ndodhjen e fatkeqësisë natyrore, vijon me fazat e kërkim-shpëtimit, verifikimin e pasojave dhe fazën finale të rregullimit të pasojave nëpërmjet rindërtimit. Qeveria thekson se gjatë 30 ditëve të para pas tërmetit të datës 26 nëntor përfundoi faza e kërkim-shpëtimit dhe filloi faza e verifikimit, përfundimi i fazës së verifikimit, hartimi dhe zbatimi i masave afatshkurtra të rregullimit të pasojave me qëllim sigurimin e jetës dhe të shëndetit të individëve është baza e nevojës për zgjatje të afatit te gjendjes se fatkeqësisë natyrore në qarqet Durrës, Tiranë, Lezhë.

Nisma e depozituar në Kuvend nga kryeministri Edi Rama. Gazeta “Si” 16 dhjetor


Pse kërkohet shtyrja?
Qeveria ndërkaq e sheh shtyrjen e afatit të gjendjes së jashtëzakonshme të lidhur dhe me lëkundjet sizmike që po vijojnë, por edhe me faktit se strukturat e policisë apo të ushtrisë mund të jenë nën kontrollin e Komitetit të Emergjencave Civile, si dhe mund të merren lehtësisht masat e vendosura ndaj organeve të qeverisjes vendore, apo dhe privatëve.
“Duke pasur, gjithashtu, parasysh se lëkundjet e tërmetit, ndonëse me frekuencë dhe intensitet më të ulët vazhdojnë të ndihen në qarqet e përmendura, veprimtaria e strukturave operacionale dhe nevoja e marrjes se masave në kuadër të gjendjes së fatkeqësisë natyrore është emergjente, si në ditët e para të marrjes së masës”, thuhet në këtë relacion. Për tre muaj, nën “urdhrat’ e Qendrës së Emergjencave (KNEC-së) do të jenë strukturat operacionale dhe drejtuesit e tyre si Ushtria, policia, zjarrëfikësit, emergjenca mjekësorë. Kjo strukturë mund të vendosë dhe zbatojë masa të jashtëzakonshme për përballimin dhe lehtësimin e pasojave të fatkeqësisë, si ndaj institucioneve publike, qendrore dhe vendore, ashtu edhe ndaj privatëve përfshire edhe gjoba në rast të moszbatimit të këtyre masave. Gjithashtu në këtë situatë mediat detyrohen që të iu referohen lajmeve zyrtare, pra burime në transmetimin e publikimin e lajmeve duhet të jenë zyrtare. Në të kundërt, qeveria, apo Qendra Operacionale mund të vendosë edhe gjoba si ndaj medieve dhe ndaj privatëve, biznesit. “Mediat dhe organet e tjera të informimit publik janë të detyruara t’u referohen burimeve zyrtare për njoftime lidhur me numrin e viktimave, listën e emrave dhe të parashikimeve të mëtejshme për mundësinë e ndodhjes se ngjarjeve të tjera, duke shmangur transmetimin e informacioneve sensitive, si dhe duke mos krijuar panik te publiku, në asnjë rast. Autoritetet mund te vendosin gjoba nga 100.000 deri 500.000 lekë ndaj bashkive, subjekteve private dhe shtetasve nëse nuk përmbushin detyrimet”, thuhet në relacionin e qeverisë.
Një tjetër argument me të cilin qeveria e lidh shtyrjen e afatit tremujor, është dhe fakti se mund t’u kërkojë zyrtarisht organizmave ndërkombëtare ndihmë dhe asistencë në çdo kohë. “Vetëm gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore kryhet zyrtarisht apeli për asistencë, drejtuar organizmave ndërkombëtare dhe shteteve të tjera; kryhen kërkesat e specifikuara për nevojat për asistencë dhe raportet periodike të situatës për Qendrën Europiane të Koordinimit të Emergjencave, për Qendrën Euroatlantike te Koordinimit të Përgjigjes për Fatkeqësitë”, thuhet në këtë relacion.

Një muaj pas tërmetit të 26 nëntorit, qeveria akoma nuk ka nxjerrë një faturë të plotë financiare. Ndërsa deri më tani ka përllogaritur një fond prej 20 miliardë lekë për përballimin e kësaj fatkeqësie natyrore, ku 13 miliardë janë nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër nga donacionet e huaja. Në janar pritet të mbahet edhe konferenca e donatorëve për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti.

Qarqet më të dëmtuara nga tërmeti janë Durrësi, Tirana dhe Lezha
Qarqet e tjera ku ka dëmtime: Dibër, Kukës, Fier, Elbasan, Berat
Janë 51 persona që kanë humbur jetën nga tërmeti
Në Durrës: 25 viktima
Në Thumanë: 24 viktima
Në Lezhe: 1 viktimë
Në Tiranë: 1 viktimë
Qarku Durrës: 47 persona të nxjerrë nga rrënojat

Dëmet në banesa Për qarqet Durrës, Tiranë, Lezhë:

Banesa të dëmtuara rëndë Tiranë, Durrës: 2002
Banesa të dëmtuara lehtë Tiranë, Durrës: 4380
Pallate të dëmtuara rëndë Tiranë, Durrës: 135
Pallate të dëmtuara lehtë Tiranë, Durrës: 543
Pallate të pabanueshme Tiranë, Durrës: 60

Qarku Lezhe
Pallate të dëmtuara rënde: 66.
Pallate me dëmtime të mesme: 45
Pallate me dëmtime të lehta: 263
Apartamente të dëmtuara rëndë: 1353
Apartamente me dëmtime të mesme: 559
Apartamente me dëmtime të lehta: 1 297
Vila të dëmtuara rëndë: 235
Vila me dëmtime të mesme: 181
Vila me dëmtime të lehta: 57
Shkolla të dëmtuara: 37, Tirana 32, Lezha 5.
Kabina elektrike të dëmtuara: 15 (Tiranë).
Biznese të dëmtuara: 106 (Tiranë).

Qendra shëndetësore: 1 (Tiranë 1)
Persona te evakuuar, strehuar ne hotele, çadra, qendra sociale dhe familje:

Të evakuar: 3224
Hotele: 1961 persona
Çadra: 964
Qendra sociale: 867
Familje: 2 525


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë