Libra

Pse Princeshë Diana ishte ‘lloji i veçantë i vajzës’ që familja mbretërore donte të martohej me Princin Charles

Ashtu si miliona njerëz të tjerë anembanë botës, autorja Wendy Holden thotë se ishte “e fiksuar” kur pa dasmën e Lady Diana Spencer me Princin e atëhershëm, Charles.

Tani, pas një kërkimi të thelluar mbi jetën e princeshës së ndjerë Diana, për një roman të ri të jetës së saj të jashtëzakonshme, Holden thotë se është befasuar se sa “ekstreme” ishte jeta e vërtetë mbretërore pas portave të pallatit.

“Ishte një përplasje mes aspiratave dhe ideve të ndryshme. Familja mbretërore donte që Charles të martohej sepse ai ishte 30 vjeç dhe ata donin një lloj të veçantë vajze”, tha Holden për “People”.

“Ajo duhej të ishte e re, duhej të ishte aristokrate dhe duhej të ishte pa një të kaluar. Ishte një vendim shumë pragmatik. Ai kishte pasur kaq shumë të dashura deri atëherë”, shtoi ajo.

Princeshë Diana dhe Princi Charles

Duke folur në prezantimin e “The Princess” në Londër, Holden përshkroi pak nga veçoritë e këndvështrimit të Dianës.

“Sa ekstreme ishte, sa dramatike ishte dhe sa e ndryshme ishte. Kjo ishte surprizë për mua”, shtoi autorja.

Në librin “The Princess”, Holden tregon historinë e fëmijërisë së Dianës, kohën e saj kur ndante një apartament me shoqet në Londër, hyrjen e saj në jetën mbretërore dhe martesën e saj përfundimisht “të palumtur”.

Për autore si Holden, Diana – e cila vdiq pas një aksidenti automobilistik në Paris në gusht të vitit 1997 – ka kaluar nga të qenit një figurë bashkëkohore në një figurë historike.

Ajo thotë se ka pasur një ndryshim “brezash” që i lejon asaj, si një shkrimtare e trillimeve historike, të banojë në atë hapësirë tani.

Dhe për librin e saj, Holden konsultoi shumë biografi, duke përfshirë “Diana: Historia e saj e vërtetë” e Andrew Morton (e cila përdori shumë nga fjalët e Dianës), për të dhënë një imazh të një prej grave më ikonike të shekullit të 20-të.

Pra, si do të ishte ajo sot, ndërsa djemtë e saj Princi William dhe Princi Harry i drejtohen sfidave të tyre?

“Ato argumente, natyrisht, nuk do të kishin ndodhur kurrë nëse ajo do të ishte gjallë”, thekson Holden.

Princi William, Princeshë Diana dhe Princi Harry në 1995

“Ajo kishte një sens të mirë humori, kështu që mbase do të kishte qenë në gjendje të zvogëlonte këto pozicione të ngulitura. Ajo do të kishte vendosur familjen mbi të gjitha dhe marrëdhëniet mbi të gjitha dhe do të përpiqej që ata të mos merrnin këto pozicione ekstreme”, përfundoi ajo. /People/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë