Kinema

Pse peizazhi i bukur shqiptar nuk kërkohet nga Holliwood

Nga Liridon Mulaj– Prej vitesh filmat hollivudianë  nuk po realizohen më në territorin amerikan. Jo vetëm Holliwudi por edhe produksione të mëdha filmike europiane po zgjedhin kryesisht vende të tjera për xhirime. Ky fenomen i njohur si “ofshore filming” është një mënyrë  për të xhiruar filma me kosto të ulëta të prodhimit.

Duke pasë parasysh që nga plazhet e Rivierës Shqiptare deri te Alpet e veriut dhe qytetet historike edhe Shqipëria si një vend i cili ofron peizazhe të larmishme , mund të jetë një destinacion ideal për xhirimin e filmave me produksione të huaja. Gjithsesi janë shumë të paktë produksionet e huaja që zgjedhin vendin tonë.  

 Në websiten e Qendrës Kombëtare Kinematografike gjendet një opsion në gjuhën angleze ku jepen informacione për të huajt të cilët zgjedhin vendin tonë për xhirime. Aty saktësohen dhe dokumentat që duhen dorëzuar me afat dy javë përpara nisjes së xhirimeve dhe gjithashtu kërkesat ( nëse kane) në ndihmë materiale, dhe saktësohen : veshje policore, godina të policisë, mjete piroteknike etj. Gjithashtu gjendet dhe historia e Shqipërise si dhe disa lokacione të cilat sugjerohen si sheshe xhirimi. Megjithatë nuk ka një album ose grafik me të dhëna që tregojnë qartë sesa filma të huaj janë xhiruar në Shqipëri.

Bujar Alimani: Shqipëria nuk ofron kompensim për produksionet e huaja.

Producenti i njohur Bujar Alimani sqaron se në Shqipëri nuk ka lehtësira fiskale për produksionet e huaja. I pyetur nga GazetaSi.al, ai thotë se fenomeni i quajtur “Tax refunding” , një ligj që e ka secili shtet ku produksionet e huaja xhirojnë filmat e tyre, në Shqipëri nuk ekziston.

Bujar Alimani

“Ekziston femomeni i njohur i “Tax refunding si  lehtesi fiskale i një vendi që ofron lokacione dhe forcë teknike e njerëzore. Ka vende si Maroku, Egjipti, dhe disa vende të Amerikës Latine por ka dhe në Ballkan si  Greqia, Kroacia, Serbia, Turqia, Rumania, Bullgaria . Aplikojne Kompanitë filmike  Amerikane dhe shteti ku ata xhirojnë u njeh 30-40 përqind  të kthimit mprapsht të parave të shpenzuara  në këto territore”

Ai shpjegon se Shqipëria nuk e ka këtë ligj dhe për këtë arsye shumë produksione të huaja e shmangin ardhjen në Shqipëri. Alimani thekson se ai si përfaqësues i shoqatës së kineastëve e ka kërkuar këtë ligj madje kanë marrë dhe nisma konkrete.

“Ne , shoqatat e kineastëve dhe “Qendra Kombëtare e Kinematografisë” po bëjme përpjekje prej disa viteve të bindim Parlamentin shqiptar  të hartojë një ligj të tillë për futur  edhe Shqipërinë në këtë hartë.  Mendo, kemi mal, det, liqene dhe lumenj pra jemi një destinacion që ofron shumë asete produksioneve të huaja”

Produksionet e huaja sipas Alimanit shtojnë benefitet ekonomike për stafet shqiptare por dhe rrisin nivelin e teknikës së produksioneve shqiptare duke sjellë pervojën dhe nivelin e lartë të realizimit të filmave.  

“Ardhja e produksioneve të huaja  rrit automatikisht nivelin e teknikëve shqiptare që do të punojnë për ta. Dmth një produksion amerikan nuk do të marrë asistentë skenografie, asistentë regjie, asistentë kamere, asistentë produksioni, elektriçiste, shoferë e dhjetëra punonjës të tjerë”

Veç të tjerash Alimani thotë se përfitimet ekonomike për vendin tonë janë të mëdha, por për të tërhequr këto investime duhet ligji i “Tax refunding,” që i stimulon.  

“Nëse në një film në  x ditë xhirimi , një produksion amerikan do të shpenzojë përshembull  100.000 dollarë , në bazë të faturave të deklaruara të shpenzuara në Shqipëri do të marrë mbrapsht 25 apo 30 përqind  të kesaj shume. Pra 30.000 dollarë mprasht. Dhe në  Shqipëri janë futur 70.000 dollarë të shpenzuara në njerëz të filmit, restorante, hotele etj”

Ai thotë se këtë mungesë të kësaj hapësirë në ligj e ka ndjerë dhe vetë kur xhiroi filmin “Virgjëreshat shqiptare” dhe produksioni gjerman kërkoi për këtë kompensim por që nuk e mori dot.

“Une xhirova “Virgjëreshat Shqiptare” në Shqipëri, saktësisht në Fushë- Arrëz. Kompania  gjermane shpenzoi në Shqiperi 500.000 dollarë. Ata kërkuan natyrisht këtë ligj por nuk ekzistonte. Duhet me patjetër. Është natyrisht një proces teknik me dokumentacione por perderisa aplikohet në vendet  rreth nesh,  pse jo mos të funksionojë dhe te ne” përfundon Bujar Alimani.

Rasti “Game of Thrones”

Realizimi i serialit “Game of Thrones” i xhiruar pjesërisht në Dubrovnik të Kroacisë në vitin 2011 , e rriti  numrin e vizitorëve në 10 përqind me shumë brenda vitit pasardhës. 

Me një industri filmi që po shkon drejt kostove të ulëta dhe përfshirjen e Inteligjencës artificiale në realizim, fenomeni “ofshore filming”, do të jetë synimi kryesor i produksioneve dhe filmave të ardhshëm. Dhe Shqipëria s’ka pse mos të jetë një destinacion i tillë


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë