Trend

Pse papritur të rinjve po iu pëlqen të vishen si baballarët e tyre

“Dadcore është stili i babait tipik: i thjeshtë, komod dhe nostalgjik, që përqafon garderobën e përditshme dhe refuzon luksin e tepërt.”

Nga Gazeta ‘Si’- “Babi, ma jep hua xhinset e tua.” Një fjali që ndoshta nuk e ka thënë kurrë asnjë fëmijë.

Megjithatë ja ku jemi: pothuajse një dekadë pasi dikush vendosi se një kërkesë e tillë tingëllonte e besueshme dhe e ktheu në një legjendë urbane të stilit.

Është viti 2026 dhe “dadcore”– stili i babait tipik, i përcaktuar nga klishetë e garderobës së serialeve të vjetra televizive- tashmë shfaqet në pasarelat e modës dhe në koleksione të panumërta, duke u konfirmuar si një nga trendet më të qëndrueshme që kur brezi Z mori drejtimin e modës dhe filloi të formësojë identitetin e vet vizual.

Dikur, të visheshe si babai yt shihej si një gabim i thjeshtë (në rastin më të mirë) ose si një dënim i pashmangshëm për daljet familjare të së dielës (në rastin më të keq).

Sot, kjo është kthyer në trend.

Në retorikën dadcore, figura e babait përfaqëson një ankorë në realitet: në ato rutina të zakonshme, riparimet e shtëpisë, udhëtimet me makinë, filmimet familjare me një kamerë të vjetër që përcjellin një ndjenjë sigurie në një kohë të mbushur me pasiguri gjeopolitike, ekonomike dhe klimatike.

Është një lloj simboli optimist që na kujton se gëzimi gjendet në të përditshmen, jo në shfaqjen e tepruar.

Pikërisht për këtë arsye dadcore është edhe një formë rezistence. Në një epokë të dominuar nga algoritmet dhe estetikat elitare që promovojnë luksin dhe statusin, të zgjedhësh të vishesh si një baba i zakonshëm është një lloj rebelimi.

Është një kundërpërgjigje ndaj trendeve aspiruese që ushqejnë nevojën e rreme për të dukur i pasur si moda e diskutuar shumë e “luksit të heshtur” apo estetika e stilit “old money”.

A$AP Rocky, duke veshur xhinse pa formë në Nju Jork në verën e vitit 2024.

Në këtë kuptim ka diçka thellësisht politike në zgjedhjen e atleteve ortopedike në vend të trendit të radhës.

Preferenca për markat klasike dhe të qëndrueshme si Neë Balance apo Reebok, në vend të modeleve të reja hibride, është një mënyrë për t’i thënë “jo” konsumit të shpejtë dhe modës që ndryshon çdo sezon.

I frymëzuar nga garderoba e burrit që pushon së menduari për modën sapo bëhet baba, dadcore feston komoditetin dhe funksionalitetin.

Xhinse të gjera, shpesh të zbehura nga përdorimi; pantallona me pala që nuk janë as shumë të gjera as shumë të ngushta; versioni i tyre ekstrem- cargo. Atlete të shëmtuara por praktike. Bluza promocionale nga ndonjë bar i mbyllur vite më parë apo nga një event sportiv i harruar. Kapela me strehë, syze sportive, pulovra të gjera me motive.

Një nga momentet ikonike që ushqeu legjendën e dadcore ishte një pulovër e famshme në filmin High Fidelity, e veshur nga John Cusack dhe e tallur nga personazhi i Jack Black si “pulovra më e shëmtuar që kam parë ndonjëherë”. Ajo të kujtonte pulovrat e famshme që vishte Bill Cosby në sitcomet e viteve ’80 dhe ’90.

Ringjallja nostalgjike e kulturës së fillimit të viteve 2000 i dha këtij stili një lloj legjitimiteti estetik. Ai u lidh me konceptin e normcore, një qasje që përqafon normalitetin dhe refuzon ekstravagancën e pasarelave. Një nga figurat që e mishëron më mirë këtë stil është aktori Adam Sandler.

Benson Boone, duke u dukur sikur kishte dalë me nxitim nga hoteli

Më pas erdhi momenti kur stilisti gjeorgjian Demna Gvasalia e çoi trendin në një nivel tjetër. Në koleksionin pranverë-verë 2018 të Balenciaga, dadcore u shndërrua nga shaka në deklaratë mode. Demna shpesh thuhet se nuk dizajnon thjesht rroba, por një lloj antropologjie të konsumatorit: xhaketat e tij që kushtojnë mijëra dollarë, por duken si fleece të lirë, janë një ironi ndaj mënyrës se si moda shitet si luks.

Sot dadcore nuk është më parodi. Ai është shndërruar në diçka më serioze dhe më të sinqertë. Nëse dikur tallej me funksionalitetin e jetës periferike, sot është uniforma e një brezi që ka kuptuar se të rritesh do të thotë shpesh të mbijetosh estetikisht në një botë që kërkon perfeksion të vazhdueshëm.

Të vishesh si baba në vitin 2026 është si të kërkosh një pikë mbështetjeje në mes të stuhisë. Është një nostalgji për një siguri që ndoshta nuk ka ekzistuar kurrë plotësisht, por që ndihet reale në prekjen e një këmishë apo në komoditetin e një pale xhinsesh të vjetra.

Kjo nuk është thjesht një modë. Është simptomë e një shoqërie që, e lodhur nga një e ardhme e pasigurt, ka vendosur se gjëja më revolucionare është të veshë një palë atlete të vjetra, një kapele të konsumuar dhe të dalë për një shëtitje pa destinacion.

Ajo që e bën fenomenin edhe më interesant është se nuk udhëhiqet nga burra të moshës së mesme që kërkojnë rininë e humbur, por nga të rinj dhe njëzetvjeçarë që përpiqen të gjejnë një lloj pjekurie që u është marrë nga pasiguria ekonomike./Marrë nga EL Pais


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë