Padurimi ka qenë prej kohësh një karakteristikë që njerëzit përpiqen ta përmirësojnë, ta kontrollojnë ose ta reduktojnë.
“Gjërat e mira vijnë për ata që presin”, thotë një fjalë e urtë. Por, po sikur padurimi të jetë i mirë për karrierën?
Në fakt, mund të jetë pikërisht ajo që nevojitet për të ecur përpara dhe për të krijuar një të ardhme pozitive.
Padurimi ka një reputacion të keq, kjo për arsye se mund të shkaktojë efekte negative serioze. Padurimi mund të shkaktojë zhgënjim, zemërim, stres ose shqetësim.
Mund të ndikojë në qartësinë e të menduarit, duke ndikuar negativisht në krijimin e marrëdhënieve njerëzore dhe të punës.
Ndërkohë që jeta bëhet gjithnjë e më të shpejtë, padurimi mund të shfaqet ndërsa pritet përgjigjja e një kolegu për email-in e dërguar, ndërsa pritet që një faqe në internet të ngarkohet ose nga pritja në radhë.
Të gjitha këto janë çaste që mund të shërbejnë për të menaxhuar padurimin, për të mos lejuar që ai të kontrollojë emocionet ose ditën e gjithsecilit.
Por ka edhe mënyra pozitive për ta drejtuar ndjenjën e padurimit, që mund të ndikojnë pozitivisht në karrierë.
NGA FOKUSI NË EFICIENCË
Një nga shenjat dalluese të padurimit, është reagimi negativ ndaj asaj që po ndodh sot dhe dëshira për diçka më shumë.
Padurimi, shpesh lind kur shohim një problem që ende nuk është zgjidhur, kur vërejmë një çështje që pengon përparimin, ose kur identifikojmë diçka që nuk po bëhet me efikasitet.
Kjo lloj mendësie mund të bëhet aset për karrierën tuaj.
Punëdhënësit i vlerësojnë njerëzit që kuptojnë çfarë nuk shkon në punë.
Bëhuni të vetëdijshëm për atë që nuk shkon dhe identifikoni pengesat e mundshme.
Këto raste mund të jenë, një klient që nuk po merr shërbimin e duhur apo një mënyrë pune që nuk po sjell rezultate të mira. Shkoni përtej të qenët kritik dhe nxisni veten të mendoni për zgjidhje dhe përmirësime.
ORIENTIMI DREJT VEPRIMIT
Një element tjetër i padurimit është orientimi drejt veprimit.
Çfarë mund të bëni për të ndryshuar situatën që ju bën të paduruar? Ndërsa thjesht reflektimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm, është gjithashtu e vlefshme të ndërmarrësh veprime dhe të ecësh përpara.
Me tendencën e “quiet quitting”, përmbushja e detyrave minimale të punës dhe mungesa e përkushtimit, padurimi pozitiv dhe proaktiv me fokus në veprim, mund t’ju nxisë të spikasni në punë.
Për më tepër, ky lloj angazhimi mund të ketë edhe përfitime personale. Për shembull, një studim nga Muse, zbuloi se “quiet quitting” ka ndikime negative në përqendrim, kujtesë, rendiment, krijimtari dhe madje edhe në cilësinë e gjumit.
MOTIVIMI
Padurimi gjithashtu mund të jetë motivues. “Burnout” karakterizohet nga ndjenja e dëshpërimit, të dilni jashtë kontrollit dhe dorëzimit. E kundërta e saj janë ndjenjat e fuqizimit dhe efektivitetit.
Përdorni padurimin tuaj për t’i dhënë vetes një ndjenjë besimi dhe aftësie. Kujtojini vetes gjithçka që keni arritur në vitet e fundit, pavarësisht pengesave.
Merrni parasysh gjithçka që keni mësuar dhe si mund ta përdorni mendimin tuaj të ri në projektin që po drejtoni, ose brenda ekipit.
Ndjenja e të dëshiruarit më shumë, mund t’ju ndihmojë të jeni të motivuar dhe të ndikoni te njerëzit përreth. Organizatat që kanë prioritet një kulturë të brendshme të fortë dhe të shëndetshme, vlerësojnë ata që kanë një ndikim pozitiv te njerëzit përreth tyre.
Si rrjedhojë, energjia juaj do të ndihmojë në shtimin e mundësive.
VENDOSMËRIA
Të lidhura ngushtë me motivimin janë guximi dhe vendosmëria. Arritjet më të mëdha nuk vijnë vetëm nga zgjuarsia, por edhe nga aftësia për të këmbëngulur kur hasni vështirësi, si dhe për të qëndruar në rrugën e duhur.
Kur jeni të paduruar, mund të përdorni zhgënjimin që ndjeni, për të nxitur vendosmërinë. Merrni parasysh pakënaqësinë me ecurinë e ekipit tuaj, në mënyrë që të mund ta menaxhoni projektin më së miri.
Mendoni për atë që nuk funksionon mirë, në mënyrë që të investoni energji të vazhdueshme për t’i përmirësuar gjërat.
TË MËSUARIT
Në thelb, padurimi lind nga dëshira për ndryshim dhe përmirësim, dhe këto janë nxitje të mëdha për të mësuar dhe zhvillimin tuaj.
Studimi i i kryer nga Universiteti i Oksfordit dhe Shoqata e Arsimit të Punëtorëve të Anglisë dhe Skocisë, zbuloi se pjesëmarrja në mësim formal i bën njerëzit të kenë shëndet më të mirë mendor dhe fizik, si dhe të përmirësojnë kënaqësitë e jetës.
Një tjetër studim në Universitetin Shtetëror të San Franciskos, tregoi se të mësuarit shoqërohej me lumturi dhe kënaqësi më të madhe.
Padurimi mund të jetë një mundësi për përmirësim. Kur gjërat nuk po shkojnë në drejtimin që dëshironi, mund të mendoni se si të përmirësoheni dhe të rriteni.
Nëse jeni duke pritur një ngritje në detyrë apo kërkoni të vini në dukje aftësitë dhe njohuritë tuaja në punë, të qenit të paduruar mund t’ju ndihmojë në arritjen e këtyre qëllimeve.
Pavarësisht se padurimi ka anë negative, ato pozitive janë gjithashtu të rëndësishme.
Pakënaqësia, nxitimi dhe dëshira për kushte më të mira, mund të ndihmojnë në ecurinë e karrierës së gjithsecilit. Gjërat e mira vijnë për ata që presin, por vijnë edhe për ata të veprojnë!
Burimi: Fast Company; Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



