Sali Berisha e lidh vonesën e hapjes së Xhamisë së Namazgjasë me kërkesën e Recep Taip Erdogan për largimin nga kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar të Bujar Spahiut.
Sipas Berishës, Erdogan e cilëson Spahiun si njeri të Gylenit, ndërsa ish-Kryeministri akuzoi Ramën se po i bën presion kreut të KMSH që të dorëhiqet.
“Nuk e hapi xhaminë dhe jo vetëm kaq, por informohem se ka dërguar njerëz për t’i bërë presion kryetarit të KMSh për të dhënë dorëheqjen sepse sipas tij këtë e kërkon Erdogan. Dënoj me forcë këto qëndrime të Edi Ramës. Asnjë ndërhyrje në autonominë e komuniteteve fetare nuk lejohet, i bëj thirrje Presidentit të Turqisë të sjellë çdo dosje për çdo individ, por që të fajësojmë qytetarët fetarë, apo zyrtarë pse janë shkolluar me fondet e Gylenit kur ai ka qenë aleati juaj më i ngushtë, kjo nuk mund të ndodhë”, tha Berisha.
Xhamia është ndërtuar me fondet e Turqisë. Ish-Kryeministri deklaroi se Partia Demokratike në pushtet do të paguajë çdo qindarkë që ka kushtuar ndërtimi i xhamisë për t’i rikthyer, sipas tij, autonominë e Komunitetit Mysliman Shqiptar.
“Nesër në pushtet PD do të paguajë çdo qindarkë për ndërtimin e saj. për ne autonomia fetare është më e rëndësishme se çdo ndërtesë kulti”, tha Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.