Gazeta Si – Në filma dhe seriale televizive, veçanërisht në ato amerikane, është shumë e zakonshme që dy personazhe në telefon ta përfundojnë bisedën duke e mbyllur papritur telefonin, pa u përshëndetur.
Është një konventë shumë e zakonshme kinematografike dhe madje edhe kontraverse: në mediat sociale, veçanërisht në Reddit, shumë shikues thonë se e gjejnë të çuditshme dhe se, sapo fillojnë ta vënë re, nuk mund të mos e pikasin çdo herë.
Arsyeja nuk ka të bëjë fare me zakonet e ndryshme që njerëzit mund të kenë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës: edhe atje, mbyllja e një telefonate pa përshëndetje ose mbyllje përgjithësisht, konsiderohet e pahijshme. Skenaristi amerikan, Michael Jamin ofroi një shpjegim të mundshëm në një video të vitit 2022 në TikTok.
Jamin citon konceptin e “lëkurës së këpucëve”: është një term i përdorur për të treguar veprime rutinë që njerëzit kryejnë, të tilla si të ngrënit, të shkuarit në banjo ose thjesht të lëvizurit nga një vend në tjetrin, të cilat rrallë përfshihen në skenarë, sepse nuk shtojnë asnjë vlerë argëtimi.
Përkundrazi, ato rrezikojnë të mërzitin shikuesin dhe të ulin tensionin dhe ritmin e filmit ose serialit. Jamin shpjegon se përshëndetjet në fund të telefonatave janë pikërisht “lëkurë këpucësh” – domethënë, ato janë veprime realiste që nuk i shtojnë asgjë historisë dhe për këtë arsye shkurtohen.
Një aspekt tjetër që Jamin përmend, janë rregullat e kohëzgjatjes që duhet të respektohen kur bëhet një film ose serial televiziv: heqja e rreshtave të panevojshëm nga dialogu, kursen disa sekonda.
Jamin shpjegon se për të gjitha këto arsye, me kalimin e kohës, autorët e kanë bërë zakon të mos shkruajnë as përshëndetje në fund të telefonatave në skenarët e tyre, duke e ditur se ato do të shkurtohen gjithsesi gjatë fazës së rishikimit ose redaktimit.
Në një intervistë të vjetër me “Washington Post”, skenaristja amerikane Jennie Ayers konfirmoi gjithashtu se është çështje kohe, veçanërisht në sitcom-e: “Një episod sitcom-i, zgjat rreth 22 minuta. Çdo shaka duhet të jetë baza për një shaka, të jetë vetë një shaka, ose të çojë përpara ngjarjen”.
Megjithatë, efekti ndonjëherë është kundërproduktiv, sepse shumë njerëz thonë se e gjejnë kaq jorealiste saqë përfundojnë të shpërqendruar nga filmi dhe përpiqen të rifitojnë pezullimin e mosbesimit – atë marrëveshje të nënkuptuar me anë të së cilës shikuesi pranon të lërë mënjanë gjykimin kritik dhe të besojë atë që po i thuhet.
Shumë video humoristike qarkullojnë në mediat sociale që përshkruajnë se si do të reagonim në jetën reale nëse, për shembull, pasi të pranojmë një ftesë për një takim, personi tjetër e mbyllte papritur telefonin, siç ndodh në filma.
Në shumicën e rasteve, reagimi do të ishte të telefononim menjëherë për të pyetur nëse linja kishte rënë, ose për të kuptuar arsyen e një gjesti kaq të pazakontë dhe në dukje të vrazhdë.
Disa vite më parë, një lexues i “The Guardian”, raportoi se po përpiqej të imitonte këtë praktikë në telefonatat e tij në jetën reale dhe njerëzit në anën tjetër do ta telefononin menjëherë duke menduar se linja ishte ndërprerë.
Situata është e ndryshme për dramat, filmat aksion ose situatat, ku telefonata ndodh midis dy personave në një atmosferë të tensionuar.
Në ato momente, ndërprerja e menjëhershme e telefonatës është një element funksional që pasqyron gjendjen emocionale të personazheve: një “përshëndetje” ose çdo frazë tjetër përmbyllëse do të ulte intensitetin emocional të skenës dhe do ta bënte gjithçka më pak të besueshme nga pikëpamja narrative.
Një shembull shumë i famshëm është skena në filmin “Taken” (viti 2008), në të cilën, pas telefonatës kërcënuese të Liam Neeson, do të ishte e pamundur të përfshihej një “përshëndetje” pa prishur tensionin e skenës.
Sigurisht, kjo nuk vlen për të gjithë filmat dhe serialet: është e zakonshme në kinemanë amerikane, por është shumë më pak e zakonshme, për shembull, në filmat evropianë ose prodhimet e pavarura, të cilat ndjekin qasje dhe stile narrative më pak konvencionale.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



