Nëse jeni në TikTok dhe Instagram, ka të ngjarë të keni vënë re një pije jeshile që shfaqet shumë kohët e fundit. Sigurisht që po flasim për Matcha: pluhuri i çajit jeshil i njohur për përfitimet e tij shëndetësore, i cili po ‘kërcënon’ se do të vjedhë titullin si pija më në modë e 2024-ës, rrjedhimisht edhe e 2025-ës.
Ndërsa përbërësi ka qenë pjesë e kulturës japoneze për qindra vjet, ai filloi të bëhet i njohur në SHBA dhe Europë vetëm në vitin 2015, i nxitur nga Gwyneth Paltrow. Shumë shpejt, ai pluhur po përzihej në pije, ushqime dhe produkte për kujdesin e lëkurës në të gjithë botën, por pas një kohe, çmenduria Matcha u shua.
Kohët e fundit, megjithatë, trendi është rishfaqur, pasi është reklamuar nga një numër i madh të famshëm si: Zendaya, Kourtney Kardashian dhe Bella Hadid, të cilat janë parë të gjitha shpesh duke pirë një gotë të “lëngut magjik jeshil”.
Gjithnjë e më shumë kafene të zakonshme po shtojnë pijet Matcha në menutë e tyre dhe në Amerikë ka bare në qytete si Londra dhe Nju Jorku që i dedikohen vetëm Matcha-s.
Çfarë fshihet pas zhurmës?
Matcha është një lloj çaji jeshil pluhur i krijuar nga bima camellia sinensis, e cila u kultivua për herë të parë në Kinë. Në shekullin e 12-të, një murg budist japonez udhëtoi në Kinë dhe mësoi për pijen e mrekullueshme, duke e sjellë atë në vendin e tij. Shpejt u bë një pjesë kyçe e ceremonive japoneze të çajit, e shijuar si një praktikë rituale që simbolizon harmoninë dhe qetësinë.
Pluhuri mund të përzihet në ujë të nxehtë për të krijuar një pije të shkumëzuar, të përzihet me qumësht për një ‘matcha latte’, ose të përdoret si një përbërës gatimi për salcat e sallatave.
A përmban Matcha kafeinë?
Po, Matcha përmban kafeinë. Megjithatë, ajo tenton të ketë më pak kafeinë për porcion se kafeja: sipas Healthline, Matcha përmban 19 – 44 mg kafeinë për gram, ndërsa kokrrat e kafesë kanë 10-12 mg kafeinë për gram. Përmbajtja e kafeinës në një pije Matcha ndryshon në bazë të faktorëve si sasia e pluhurit të përdorur, temperatura e ujit, ‘mosha’ e gjetheve të çajit dhe koha e korrjes.
Nëse zbuloni se kafeja ju jep nervozizëm, Matcha mund të jetë një alternativë e dobishme, pasi ajo ka një çlirim më të butë të kafeinës dhe shumë konsumues përjetojnë një rritje më të qëndrueshme të energjisë, në krahasim me tronditjen e papritur që shpesh pason një ekspres.
Duke qenë një çaj jeshil, Matcha ka një shije tokësore, barishtore, me një shije arre të lehtë dhe një nuancë hidhësie. Kjo mund të jetë jo fort e pëlqyeshme, megjithatë mund ta ëmbëlsoni duke shtuar mjaltë ose qumësht.
Një nga arsyet pse Matcha pëlqehet është se ka edhe përfitime shëndetësore, përtej trendit që ka marrë dhenë.
Çaji Matcha është i mbushur me antioksidantë të cilat mund të ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve, zvogëlimin e dëmtimit të qelizave dhe zvogëlimin e inflamacionit.
Ai gjithashtu përmban shumë vitamina, duke përfshirë vitaminat A, B, C, E, të cilat ofrojnë një sërë përfitimesh shëndetësore nga riparimi i indeve deri tek mbrojtja e trupit kundër sëmundjeve.
Një filxhan matcha mund të ndihmojë në rritjen e vigjilencës, vendimmarrjes dhe performancës, falë përmbajtjes së lartë të polifenoleve, klorofilit dhe kafeinës. Një studim, për shembull, zbuloi se pjesëmarrësit që konsumuan 4 g pluhur matcha dolën më mirë në testet njohëse që shikonin përpunimin e informacionit dhe kujtesën sesa ata të cilëve iu dha një placebo. Por efektet mund të zgjasin edhe më shumë: një studim i vogël nga viti 2020 sugjeron se pirja e matcha çdo ditë mund të ndihmojë në ngadalësimin e rënies njohëse.
Përveçse ofron një nxitje më të ngadaltë të kafeinës se kafeja, matcha në fakt mund të ketë një efekt lehtësues të stresit. Ai përmban L-theanine, një aminoacid që mund të ndihmojë trupin të relaksohet duke ulur nivelet e kortizolit.
Mund edhe të ndihmojë lëkurën tuaj të shkëlqejë
Ekziston një arsye pse matcha shpesh shfaqet në kujdesin e lëkurës: është e ngarkuar me antioksidantë, të cilët punojnë për të reduktuar efektet e plakjes dhe për të rritur qarkullimin e gjakut. Dhe mund të merrni disa nga përfitimet duke e pirë: një studim i botuar në revistën Nutrients, për shembull, zbuloi se vitamina C në matcha stimulon prodhimin e kolagjenit, i cili luan një rol kyç në mbajtjen e lëkurës të pastër dhe të hidratuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.