Nga Gazeta Si – Ky vit i ri akademik duket se është i destinuar të jetë problematik. Të paktën kështu duket deri më tani kur që prej fillimit të regjistrimeve të maturantëve nëpër universitete, është vërë re se shumë degë rrezikojnë të mbyllen duke qenë se nuk kanë pasur regjistrime të maturantëve.
Isa Rekaj, kryetari i Federatës së Sindikatës së Arsimit dhe Shkencës tregon për Gazetasi.al se ka shumë degë që rrezikojnë të mbyllen në universitetet tona, veçanërisht në ato të rretheve.
“Degët kryesore që po mbyllen janë ato të fakulteteve të mësuesisë. Nga këto, më të rrezikuara janë matematika dhe shkencat e natyrës (fizikë, kimi, biologji)”, thotë Rekaj.

Ndërkohë degët që maturantët kanë preferuar më shumë vijojnë të mbeten mjekësia e përgjithshme, stomatologji, Inxhinieri Elektronike, Informatikë Ekonomike, Arkitekturë, Inxhinieri Telekomunikacioni.
Ndërkohë, këtë vit, në 2 fazat e para të regjistrimeve, në Fakultetin e shkencave të natyrës janë regjistruar 105 studentë në total ku fizika ka 10 studentë, kimia ka 12, matematika ka 25 studentë dhe biologjia 55 studentë.
Rekaj thotë se kjo ulje e regjistrimeve ka ardhur nga disa faktorë.
“Së pari, nxënësit cilësor po kërkojnë të shkollohen jashtë vendit sepse cilësia e universiteteve tona është e ulët”, thotë Rekaj.
Gjithashtu sipas tij, degët që rrezikojnë të mbyllen nuk i përshtaten tregut të punës si dhe këto profesione kanë paga të ulëta.
Rekaj tregon se mbyllja apo numri i ulët i regjistrimeve në fakultetet e mësuesisë është me pasoja shumë të rënda pasi ndikon direkt në arsim edhe për pas shumë vitesh.
“Paketa që miratoi Qeveria për tërheqjen e studentëve në këto fakultete që kanë më pak regjistrime nuk po jep rezultat. Në këto kushte, duhet të ofrohet paketë tjetër”, thotë Rekaj.
Fatbardh Sallaku, rektor i Universitetit Bujqësor gjithashtu e pranon se ka një rënie të regjistrimeve por është herët të flitet për degë që do të mbyllet pasi janë edhe dy faza.
“Ka degë që në raundin e parë nuk ka pasur regjistrime dhe në raundin e dytë ka ndodhur e kundërta kështu që është herët të flitet për degë që do të mbyllen”, tha Sallaku.
Ai tregon se më shumë rrezikohet dega e peshkimit dhe e ezoteknisë.
“Ka një rënie prej 5-10% por deri tani në dy fazat e para”.
Sallaku nga ana tjetër tregon se ka degë të tjera që ka pasur regjistrime më shumë sesa pritshmëritë si inxhinieria pyjore, përpunim druri, arkitekturë peizazhi dhe mjekësi veterinare.
Rektori thotë se kuotat janë gati njësoj si vitin e kaluar dhe deri në fund të 4 fazave mund të ketë përmirësime.
Kujtojmë se faza e 4 është shtuar këtë vit nga ministria e Arsimit pikërisht për të mos u mbyllur degët që rrezikojnë të mbyllen. Në këtë raund nuk do të ketë asnjë kriter pranimi apo mesatareje për të fituar një degë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



