Libra

Pse Kadare nuk lexohej më në Poloni? Horodyska: Ypi, Dones, apo Vorpsi nuk përfaqësojnë letërsinë shqipe

Nga Gazeta “SI”– “Kadareja ishte ai që ua hapi dyert shkrimtarëve shqiptarë në Poloni por sot letërsia shqipe e përkthyer atje është thuajse në “inkubacion”. Kështu u shpreh Dorota Horodyska, përkthyesja “zyrtare” e Kadaresë në gjuhën polake gjatë një takimi me temë “Kultura dhe diplomacia” të mbajtur në ambientet e COD me  praninë e ambasadorit të Polonisë në Shqipëri , Wojciech Unolt dhe dhjetëra shkrimtarëve dhe botuesve.  Dorota Horodyska është përkthyese dhe studiuese polake. Shumë emra të letërsisë shqipe si Ismal Kadare, Ylljet Aliçka, Fatos Kongoli , Luljeta Lleshanaku etj, mbajnë “vulën” e përkthimit të saj e gjithashtu njohjen e letërsisë shqipe në Poloni.

Gjatë bisedës mbi temën e letërsisë shqipe të përkthyer në Poloni, ajo u shpreh me trishtim se ka shumë pak interes.

“Letërsia shqipe në Poloni po kalon një periudhë të vështirë , dhe kjo më trishton si ndër të parat përkthyese të gjuhës shqipe në Poloni. Kjo rënie e interesit vjen për disa arsye të cilat me kalimin e kohës e kanë zbehur dëshirën dhe kuriozitetin e lexuesit polak për letërsinë shqipe. Unë si përkthyese e gjuhës shqipe, e kam thuajse të pamundur të konkurroj me përkthyes që sjellin vepra nga gjuhë të mëdha”

Arsyet e mosinteresimit, Horodyska i rreshton në kontekst kohor, duke theksuar se pas ngjarjeve të vitit 1997 dhe luftës në Kosovë dhe veçanërisht pas një “thyerje” mes lexuesit polak dhe Kadaresë, shkrimtarët shqiptarë ngjallin shumë pak kuriozitet në Poloni.

“ Simptomat e kësaj zbrazëtie janë disa. E para është mungesa e interesit për disa vite ndaj krijmtarisë së Kadaresë. Këtu kanë pasur shumë ndikim edhe informacionet të cilat thonë se sidoqoftë, Kadareja ka qënë shkrimtar i oborrit dhe lexuesi polak ka ndjeshmëri të lartë ndaj shkrimtarëve të ish bllokut në totalitarizëm përfshirë këtu dhe shkrimtarët polakë. Kadareja ka qënë tre herë në finalen e çmimit “Angelus” që është  më i madhi që jep Polonia por nuk e ka fituar asnjëherë”

Simptoma e dytë dhe shumë e rëndësishme sipas saj është dhe mënjanimi i gjuhës shqipe nga shkrimtarë shqiptarë që jetojnë jashtë kufinjëve.

“ Në vend të Kadaresë botuesit polakë po kërkojnë shkrimtarë të rinj që shkruajnë dhe botojnë jashtë kufinjve shqiptarë si Lea Ypi, Elvira Dones, Ornela Vorpsi etj të cilët shrkruajnë në një gjuhë të madhe dhe lehtësisht të përkthyeshme. Por pyetja që më lind mua është se a është më kjo letërsi shqipe kur ajo shkruhet në një tjetër gjuhë dhe tjetër vend? Dhe sa mundësi do të ketë një shkrimtar i ri shqiptar që jeton në Shqipëri dhe që shkruan shkëlqyeshëm , të konkurojë ata që janë jashtë dhe përfitojnë për shumë arsye?

Në fund të diskutimit Horodyska u shpreh me jo pak pezm se a do të kishte nevojë më gjuha shqipe për një përkthyese si ajo, ndër të vetmet që e kryejnë këtë punë duke mbajtur gjallë raportin kulturor Shqipëri-Poloni prej shumë vitesh.

Dorota Horodyska

“ Të promovomosh një autor shqiptar në Poloni është tepër e vështirë, madje unë jam përballur me shumë dështime dhe këtë e them hapur. Unë kam pak ditë që kam ardhur në Shqipëri, dhe me paratë e mia këtë duhet ta theksoj, dhe kam planet e mija letrare dhe përtej pikëpyetjeve që kam, unë mbetem optimiste” mbylli fjalën e saj Dorota Horodyska.

Letërsia polake është një ndër më të kërkuarat nga lexuesi shqiptar. Janë pesë nobelistët polakë të cilët e kanë fituar çmimin  prestigjoz. Ndërkohë letërsia shqipe nga ana tjetër vuan faktin e të qënit letërsi e një gjuhe të vogël e gjithashtu izolimin dhe përkthimet e pakta që bëhen në gjuhë të tjera të mëdha.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë