Art dhe Kulture

Pse Kadare ishte paqebërësi im aksidental

Mes tezgave në dysheme në pazarin e librave të së dielës, në Delhi, një librashitës ishte gjenial në ndarjen e librave të përdorur në stiva të vogla,  nga ngjashmëria mes romaneve. Isha një studente në kërkim të një kopjeje të lirë të Kështjellës së Franz Kafkës dhe ai ma ofroi,  të futur mes një kopjeje të dëmtuar të dramave të Brehtit dhe një libri nga një autor,  që nuk e kisha hasur më parë: Ismail Kadare.

Me kalimin e viteve, kam blerë  shumë libra të tjerë të Kadaresë në botime të pastër e luksozë, nga romani i tij i parë, Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur (1963), përkthyer në gjuhën angleze më 1971), rreth një gjenerali italian që kërkon në Shqipëri eshtrat e ushtarëve të rënë në luftërat botërore, tek klasikët e tjerë – Prilli i thyer (1978), rreth një burri të kapur në një gjakmarrje që zgjat për breza, “Rrethimi” (1970), që mbërthen përplasjen mes shqiptarëve dhe Perandorisë Osmane  dhe shumë të tjerë.

Pak ditë më parë, Kadare fitoi çmimin ndërkombëtar për Letërsinë “Neustadt”. I drejtuar nga Universiteti i Oklahomës dhe World Literature Today, Neustadt  është më pak mendjemadh se Çmimi Nobel i Letërsisë e megjithatë  në 50 vitet e tij, ka pasur më shumë fitues globalë sesa zgjedhjet shumë eurocentrike,  të bëra nga Akademia Suedeze.

Kadare u lind më 1936-n në Gjirokastër dhe studioi në Tiranë fillimisht e më pas në Institutin Gorki, në Moskë, ku gjeti atmosferë të ashpër e të ndrydhur. Ai nisi të shkruajë herët, duke botuar përmbledhjen e parë me poezi në moshën 18 vjeçare dhe romanin e parë, kur ishte 27.

Në romanet e tij, njerëzit i gjejnë liritë e tyre në çaste të vegjël, edhe kur janë të kufizuar nga ligje të padrejta

Në Shqipëri, Kadare, luajti një lojë si  “macja me miun” me regjimin. Ai shkroi poema që lëvdonin Leninin, për shkak se nën diktatorin Hoxha, që e mbajti vendin në zgjedhën e tij deri më 1985-n, çdo student duhet të kryente atë detyrë, por ai gjithashtu shkroi romane që ndezën zemëratën e diktaturës. Pallati i Ëndrrave imagjinonte një shtet që i kishte dedikuar një degë të tërë qëmtimit të ëndrrave të qytetarëve, duke ia paraqitur më të mirat si gostitje vëmendjes së diktatorëve. U ndalua më 1981-shin, sepse ishte i mbushur me “aluzione mbi regjimin”,  aq fort sa ishte e ndaluar të shkruhej apo të flitej për titullin e librit.

“Një shkrimtar mund të jetë i lirë në një botë të skllavëruar, ose mund të skllavërohet në një vend të lirë”

Kadare fitoi çmimin ndërkombëtar Man Booker, më 2005-n, duke ndezur debat. Poetja rumune,  Renata Dumitrascu shkruante se ai nuk ishte “Solzhenitsyn” — Kadare ka pasur anëtarësi aktive në parti në regjimin e Hoxhës dhe gëzonte privilegje, që shkrimtarëve të tjerë shqiptarë u mungonin. Por në një shtet krejtësisht totalitar, është e pamundur të jesh disident ideal. Ata që ngrenë zërat shumë zhurshmëm apo përdorin penën tepër lirshëm zhduken në burgje, mund të vriten, ose nëse janë me fakt, syrgjynosen. Shpesh, puna e disidentit është thjesht të mbijetojë.

“Kurrë nuk e kam konsideruar veten as si hero e as si disident”, shkruante Kadare në një letërkëmbim në vitin 1998, botuar në New York Review of Books. “ Në Shqipërinë  e Hoxhës, ashtu si në Rusinë e Stalinit, një disident i shpallur me siguri do të  shtypej” Shumë nga romanet e tij u ndaluan, ashtu si edhe poema e 1974-s, “Pashallarët e Kuq”, mendohej se kishte humbur, derisa u shfaq në arkiva, më 2002-shin.

Kadare e la përfundimisht  Shqipërinë për Parisin,  më 1990-n, duke kërkuar azil politik. Në Francë, ai mund të fliste dhe shkruante më lirshëm, por ai ngulmon se të shkruarit qëndron më vete, siç thoshte në intervistën e vitit 2009: “ Mendoj se shkrimet e mia nuk janë më politike sesa teatri antik grek. Do të isha bërë shkrimtari që jam në çdo regjim politik”.

Në një shtet krejtësisht totalitar, është e pamundur të jesh disident ideal. Shpesh, puna e disidentit është thjesht të mbijetojë.

Botimi i Pallati i Ëndrrave që bleva,  në atë dysheme të mbipopulluar të Delhit,  ka kohë që është zhdukur. Nuk ishte një kope e bukur, ballina i mungonte, faqet ishin të ngrëna dhe me njolla çaji. Por do të kisha dashur ta kisha tani, si kujtim i mënyrës sesi  i ndërtojmë historitë e të lexuarit. Është një gjë ta zbulosh një autor nga çmimi, të lexosh veprën nga botimi, ose të zgjedhësh një libër nga luzma e pafund e bestsellerëve. Për shumë lexues, megjithatë marrëdhënia me një autor vjen në një mënyrë rastësore, por krejt të natyrshme.

Një librashitës i shton dengut  një roman; nuk është libri që doje, por çmimi është i lirë; është i lokalizuar në një shtet për të cilin nuk di asgjë; të intrigon dhe, me kalimin e viteve, e gjen veten duke kërkuar gjithçka që ai autor dikur i panjohur, ka shkruar.

Kadare më ofroi një mjet paqeje, në kuptimin e tij të njollave të lëna pas nga luftërat dhe perandoritë më pak të eksploruara. Në romanet e tij, njerëzit e gjejnë lirinë dhe pakëz lavdi në çaste të vegjël, edhe kur janë të kufizuar nga ligje të padrejtë apo fuqi tiranësh. “Një shkrimtar mund të jetë i lirë në një botë të skllavëruar, ose mund të skllavërohet në një vend të lirë”, do të thoshte ai në një intervistë radiofonike më 2001-shin. Ai e bën të qartë se zgjedhja është përherë me ne.

*NILANJANA ROY/ Financial Times


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë