Dy a tre orë të mira para se të niste protesta e opozitës para Kryeministrisë e Parlamentit, fati dhe sepebi e deshi që të gjendesha në një lokal në një nga zonat që sot, me ndarjen e re administrative, është një nga lagjet e Tiranës.
Duke rrufitur kafenë e duke diskutuar me tre personat e tjerë që më shoqëronin më bëri përshtypje “naiviteti” i tyre. Ata sapo ishin kthyer nga puna e përditshme dhe të lodhur po flisnin për sakrificat e mëdha që bënin çdo ditë, e se sa të pakënaqur ishin nga qeverisja dhe Qeveria aktuale.
Ua miratova në heshtje hallet që kishin, pjesën më të madhe të të cilave i ndajë me ta, si faturën e majme të energjisë elektrike, apo atë të ujit të pijshëm, që as ujë për t’u larë nuk bën. Këtu më zuri në befasi njëri prej tyre, që iu hodh dy të tjerëve. “Kur jeni kaq të pakënaqur, pse nuk shkuat në protestë?”, u tha.
Pyetja ishte retorike dhe ndërhyva për ta mbështetur duke e korrigjuar personin në fjalë për t’i thënë se protesta nuk kishte nisur akoma dhe se ata (dhe unë bashkë me ta) ishim ende në kohë që të ishim pjesë e saj. “Është në orën gjashtë protesta”, i thashë.
Prisja një përgjigje pohouese, ose të paktën një mospërgjigje nga dy personat e tjerë, por jo atë që më dëgjuan veshët. “Ka protestë sot? Protestojnë banorët e Astirit?”- më tha njëri. “Ça proteste?”, m’u kthye tjetri. Këtu ngela pa fjalë dhe “fajin” për njohurinë e agjendës opozitare ja dhashë profesionit.
“Më falni, po ju nuk e dini që sot Partia Demokratike proteston në orën 18:00?!”, i pyeta ironikisht. “Jo!”, m’u përgjigjën në kor. U detyrova që t’u sqaroja më pas se ndryshe nga protestat e tjera, Partia Demokratike dhe opozita kishte vendosur prej disa javësh që kjo protestë të niste në muzg dhe të zhvillohej natën.
Pasi e miratuan, sërish në kor, u stepën e njëri prej tyre më kujtoi fjalët e Edi Ramës në një televizion kombëtar. “Kokat hëngshin me njëri-tjetrin”, tha ai kur u pyet mbi vrasjet e kriminalitetin që ka pllakosur vendin. “Kokat hëngshin me njëri-tjetrin” dëgjova edhe unë, por nuk ishte për kriminelët, por për klasën politike.
E pyeta se përse ishte kaq pesimist dhe pse nuk besonte tek ndryshime. “Këta zihen për karrigen e njëri-tjetri. Ç’dua unë në mes?! Unë s’jam ushtar i tyre! Sa të kem shpatullat e mia jam në rregull”, m’u përgjigj.
Po mendoja që sa më shumë të tatohen ato shpatulla, aq më shumë stërviten ato, kur personi në fjalë ma ndërpreu idenë dhe vazhdoi me logjikën e tij. “Ça më duhen mua këta? Këta bëjnë sikur zihen e asnjëri s’mendon për ne! Këta janë grabitësit më të mëdhenj edhe se ai në Rinas!”, vazhdoi.
Kisha mbetur pa përgjigje, jo se s’mund ta gjeja një të tillë, por nuk do të tregohesha i sinqertë me vetveten nëse do ta kundërshtoja. Kështu ja dola mbanë që të devijoja bisedë dhe pas disa minutash të largohesha për të ndjekur protestën e radhës të opozitës.
Kështu bëra, ndoqa protestën, një melodi e njëjtë, veçse e luajtur në orare të ndryshme. Përveç ndjekjes së protestës, detyra e kërkonte që të dëgjoja dhe të ndiqja edhe aktorët politikë. Lulzim Basha e Sali Berisha e paraqisnin Tiranën si kryeqytet botëror të protestave duke e mbrojtur faktin se aty kishin ardhur mediat më prestigjoze ndërkombëtare për ta pasqyruar atë. Këtu mendova me vete se si ka mundësi që opozita ja arrin që të tërheqë në kauzën e saj vëmendjen e mediave ndërkombëtare, por nuk ja del dot që jehonën ta përçojë në një lokal të Tiranës?
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.