Jete & Stil

Pse humori ndihmon në periudhat e errëta të jetës

Gazeta Si

Ndonjëherë na rrethon një e keqe aq e madhe sa e kemi të vështirë të jemi optimistë dhe të qeshim,  të hedhim një batutë ose në rastin më të keq, shumë njerëz as nuk kanë dëshirë të shohin emisionet e humorit. Pikërisht këtë ka bërë dhe pandemia.

Jennifer Aaker dhe Naomi Bagdonas janë dy pedagoge në Universitetin e Stanfordit të cilat kanë pesë vite që studiojnë fuqinë e humorit.

Ato të dyja tashmë dhe kanë shkruar një libër për rëndësinë e humorit si një superfuqi e pavlerësuar.

“Disa njerëz besojnë se kjo është një kohë shumë serioze për të qeshur por kjo është pikërisht koha kur kemi nevojë për humor më shumë se kurrë.” thotë Bagdonas.

Duke filluar nga pandemia, puna nga shtëpia, vetmia dhe depresioni , kur qeshim me dikë, qoftë dhe nëpërmjet telefonit, bën që të “harrohen” këto dhe të forcohen lidhjet tona emocionale në një mënyrë që përndryshe nuk do të ishte e mundur.

“Studimi ynë tregoi se humori na bën më krijues dhe të shkathët”, tregon Aaker.

Të dyja studiueset kanë histori të ndryshme që i lidhin ngushtë me humorin dhe i kanë shtyrë të kryejnë studimin për të.

Bagdonas ishte tetë vjeçe kur për shkak të gjendjes së keqe të babait, në familjen e saj nuk u vendos pema e Krishtlindjes.

“Padyshim që pema ishte shqetësimi më i vogël që kishte familja ime në ato momente por për mua ishte diçka shumë e madhe.” tha Bagdonas.

Në mëngjesin e Krishtlindjes, ajo e gjeti babain e saj të veshur me bluzën e babagjyshit, shtëpinë e zbukuruar dhe një cep të shtëpisë të mbushur me dhurata. Një moment magjik i paharrueshëm në kohërat më të vështira.

Aaker nga ana tjetër, kur punonte si vullnetare në një spital takoi Amit Gupta i cili kishte leucemi por kjo nuk e ndalonte atë të mblidhte një herë në javë të gjithë ato të sëmurë që ishin në gjendje të lëviznin nga dhoma dhe të merrnin pjesë në shfaqjen e tij modeste.

“Ai i bënte të gjithë për të qeshur.”

Këtu ajo kuptoi potencialin e humorit ku shprehet se për Amit, humori e tregonte atë siç ishte dhe kjo ishte mënyra se si ai i afrohej jetës.

Humori ka qenë pjesë e shumë studimeve dhe është arritur në përfundimin se e qeshura shtyp kortizolin, hormonin e stresit dhe është relaksues i muskujve.

Një studim 15-vjeçar norvegjez me më shumë se 50,000 njerëz zbuloi se ata me një sens të fortë humori jetonin më gjatë sesa ata që kishin më pak humor. Gjithashtu u raportua se ata që qeshnin kur kujtonin të dashurit e tyre ishin më pak të trishtuar se pjesa tjetër.

Pavarësisht kësaj, Aaker dhe Bagdonas tregojnë se me kalimin e viteve, njerëzit po qeshin më pak.

Sondazhi i tyre që përfshiu 1.4 milion njerëz në 166 vende zbuloi se nivelet e të qeshurave bien në moshën 23 vjeçare sepse “rritemi”. U zbulua se një katër vjeçar qesh 300 herë në ditë dhe një 40-vjeçar 300 herë çdo 10 javë.

Aaker dhe Bagdonas thonë se kjo është për shkak të një sërë faktorësh. Një ndër to është miti që vendi i punës është “serioz”. Gjithashtu ekziston frika e dështimit nëse bën një shaka dhe është një tjetër mit që na bën të mendojmë se humori është diçka që lind me njeriun dhe ju ose dini të bëni humor ose nuk dini, kjo i step njerëzit.

Në kohëra si këto, dy pedagoget sugjerojnë të jemi sa më afër humorit dhe buzëqeshjeve pasi është një mënyrë për të reaguar sa më mirë në momentin kur pandemia të mbarojë.

E dimë të gjithë se kemi ndryshuar dhe se do ta kemi të vështirë kur të kthehemi në normalitet prandaj duhet të filloni që tani të qeshni dhe bëni humor.

“Ajo që mësova nga studimi ishte se gjetja e mënyrave për të qeshur përmes vështirësive na kujton se ne jemi në kontroll të zemrës dhe mendjes sonë, pavarësisht çfarëdo errësire që qëndron prapa derës dhe ky është një triumf.” tha Aaker.

Burimi: The Guardian. Përktheu: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë