Në gjuhen shqipe ka, tri emra që përdoren për të shënuar pjesëtarët e popullit izraelit. Dhe këta janë: çifut, hebre e izraelit. Ndër këto, fjala çifut – me prejardhje nga turqishtja – është më e vjetra, prandaj dhe më popullorja në shqipe. Përpara pushtimit turk, në shqipe përdorej një fjalë tjetër, e huazuar nga italishtja, fjala xhudhi, të cilën e ndeshim tek të gjithë autorët tanë të vjetër: Buzuku, Budi, Bardhi e Bogdani. Ndërsa fjalët hebre dhe izraelit janë shumë më të reja, të ardhura në shqipe nga gjuhët neolatine (italishtja e frëngjishtja), kryesisht nëpërmjet rrugës librore.
Fjala çifut, duke qenë një fjalë e vjetër dhe njëkohësisht me njohje e përdorim shumë të gjerë në mbarë shqipen, ka pësuar natyrisht edhe ndryshime kuptimore. Kështu, përveç kuptimit si etnonim, domethënë si emër që shënon përkatësinë apo prejardhjen nga një popull i caktuar, fjala ka zhvilluar edhe një kuptim tjetër: “njeri shumë dorështrënguar dhe që në çdo gjë sheh përfitimin e vet” (Fjalori i shqipes së sotme, 2002). Madje një kuptim të tillë me ngjyrim keqësues nuk e gjejmë vetëm në shqipe, por edhe në shumë gjuhë të tjera të Europës.
Prapa këtij kuptimi “fshihet” një fakt historik: shumë çifutë, për shekuj me radhë, kanë ushtruar profesionin e fajdexhiut, çka do të thotë se ata janë identifikuar shpesh me të keqen. Veç kësaj, të mos harrojmë imazhin aspak të mirë që u kultivua për ta për shekuj me radhë në botën e krishterë si vrasës të Krishtit.
(Marrë nga Sportel i hapur i shqipes, Ombra GVG, Tiranë 2008)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.