Nga Liridon Mulaj– Data 2 Prill e cila celebrohet në të gjithë botë si dita botërore e librit për fëmijë e gjen letërsinë shqipe për të vegjëlit në situatë jo të mirë.
Mungesa e kurrikulave shkollore që orientojnë drejt letërsisë së re shqipe për fëmijë apo dhe mungesa e orëve të plota të dedikuara leximit në shkolla janë vetëm disa nga shkaqet pse leximi tek fëmijët është një proces i vështirë dhe i ndërlikuar. Gjithashtu ndikimi i teknologjisë por dhe mungesa e bashkërendimit mes institucioneve arsimore dhe atyre kulturore, përbëjnë në tërësi panoramën e situatës.
Autorët shqiptarë të librave për fëmijë thonë se veç të tjerave, u rëndon dhe fakti se letërsia e huaj mbizotëron tregun shqiptar të botimeve, një politikë kjo që udhëhiqet kryesisht nga shtëpitë botuese dhe marketimi i madh që u bëhet atyre.
Shkrimtarja e letërsisë për fëmijë, Rovena Rrozhani thotë për GazetaSi.al ka lexues të letërsisë së saj por shton se se nuk është e lehtë për një autor shqiptar të shkojë tek lexuesi pasi mungon informacioni.
“Duke iu referuar statistikave të shitjes së librave të mi, mendoj se lexohen meqënëse disa prej tyre janë në ribotim të parë ose të dytë dhe me një tirazh prej 1 mijë kopjesh. Sigurisht ky është vetëm një parametër, ndoshta i vetmi në gjuhën e shifrave që nuk do të thotë gjithçka, por gjithsesi mbetet një tregues i mirë.
Mund të them se librat e mi kanë gjetur tashmë lexuesit e tyre. Megjithatë informacioni mbi këto libra, dhe në përgjithësi mbi librat e autorëve shqiptarë për fëmijë, është shumë i pakët. Për pasojë takimi i librit me lexuesit është më i vështirë. Janë si dy të panjohur që kanë vende të kufizuara takimi apo si dy të panjohur që e dinë që duhet të jenë miq, por janë ngatërruar kushedi në ç’drejtime”

Ajo shton se pavarësisht mundësive të pakta të takimeve autor-lexues për arsye të sistemit, janë prindërit ata që qëmtojnë dhe kërkojnë gjithmonë librat më të mirë për fëmijët e tyre.
“Libraritë janë të pakta, informacioni i paktë, takimet me fëmijët mbeten të pakta për shkak edhe të sistemit që i vështirëson në vend që t’i lehtësojë dhe mundësojë ato. Takimet me mësues dhe prindër janë akoma më të rralla. Pra shumë gjëra janë në kufijtë e minimales. Megjithatë interesi i prindërve për t’u blerë fëmijëve të tyre libra nga autorë shqiptarë, është i kënaqshëm sidomos në raport me informacionin që shpërndahet.
Këtë konstatim mund ta nxjerr kryesisht nga panairi i madh apo panairet e tjera të librit që zhvillohen në vend. Ka interes në rritje për autorë shqiptarë dhe kjo është një kundërpërgjigje e bukur e botimeve të shtuara sidomos në vitet e fundit”
Gjithsesi Rrozhani shton se është optimiste se po rritet një brez leximtarësh dhe këtë ajo e vë re në komunikimet që ka me lexuesit e vegjël.
“Unë jam e prirur të besoj se po rrisim një brez lexuesish dhe nuk e them sepse jam optimiste. E them sepse në të gjitha takimet me fëmijë, gjej mes tyre, ëndërrimtarë, lexues që përpijnë faqet dhe kuptohet sepse lexojnë rrjedhshëm dhe madje interpretojnë bukur, gjej kureshtarë që duan ta shfletojnë një libër që e shohin për herë të parë, gjej fëmijë që çuditërisht më shumë se të rriturit kanë të zhvilluar një mendim kritik dhe shije befasuese.
Janë të mprehtë, të sinqertë dhe të dashur. Kur e kanë pëlqyer libri tënd dhe kur të kanë njohur, të thërrasin me emër në rrugë, të përshëndesin në panair, bëjnë punime të frymëzuara nga personazhet dhe historitë. I them këto për të treguar shenjat e optimizmit tim që edhe pse vjen nga përvoja ime besoj se ia vlen për t’i dhënë një përgjigje pozitive pyetjes suaj” përfundon Rrozhani
Një tjetër shkrimtare e suksesshme e letërsisë për fëmijë Rudina Çupi e cila është edhe botuese shprehet për GazetaSi.al se edhe pse jemi në ditën e librit, është e diskutueshme nëse kanë mbetur lexues apo jo.
“Nga të gjitha artet që na përmbushin zhvillimin shpirtëror ndër kohëra, arti i fjalës së bukur, pra i librit artistik, ka disa festa: ka ditë shkrimtarësh, ditë të poezisë, ditë të librit për fëmijë dhe ky është një fat dypalësh, si për autorët, ashtu edhe për lexuesit. Çështja është: kush ka mbetur për ta festuar?
Festat duhen ndarë me miq dhe se sa miq ka libri për fëmijë sot është e diskutueshme, pasi nuk ka statistika. Leximi është proces i vazhdueshëm dhe nuk duhet të ndodhë në një ditë të vetme për hir të një feste apo për hir të nxitjes që bëhet përmes thirrjes për lexim nga shkollat apo nga gazetarët e kulturës, por të jetë një sistem i mirëfilltë, me disa procese zinxhir që janë në funksion të leximit”
Çupi thotë se leximi duhet të jetë orë më vete në kurrikulat tona, sepse nuk mund ti lihet rastësisë apo mëshirës së fatit.
“Në klasë të parë mësojmë të lexojmë, pra, bëhemi lexues, por për t’u bërë leximtarë duhet punë. Kurrikula shqiptare ka caktuar vetëm pesë orë në javë për gjuhën dhe leximin dhe, përveçse është e paparanueshme që një shkencë / gjuha dhe një art / letërsia të rrinë bashkë në një libër edhe në klasat përtej fillores, është tërësisht e pamjaftueshme që gjuha si lëndë që përbën idenditet kombëtar të bëhet 2.5 orë në javë. Nëse leximi do të ishte orë më vete në orarin shkollor, siç kanë Kosova apo shkollat ndërkombëtare orë biblioteke, them se do të ishte një sistem i konsoliduar dhe leximi nuk i lihej rastësisë apo mëshirës së fatit, por do të ishte strategji dhe politikë e mirëmenduar dhe e sistemuar juridikisht me hallka të sistemit arsimor. Ky është raporti që duhet të ndryshojë në drejtim të cilësisë dhe funksionit didaktik, dhe jo thjesht si numër produktesh” thotë Çupi

Sipas saj leximi është kulturë që ngjizet që në fëmijërinë e hershme duke mos e trajtuar librin si një tablet.
“Leximi është kulturë dhe duhet rrënjosur që në fëmijërinë e hershme. Nëse një prind i blen fëmijës një libër dhe ia jep ta lexojë, fëmija ndihet i detyruar ta bëjë këtë, nëse nuk e shikon prindin asnjëherë duke lexuar. Po ashtu çdo libër për fëmijë duhet të lexohet në çift, pra nga dyshja prind-fëmijë, pasi ka shumë për të zbuluar, që nga fjalët e reja e deri te diskutimi i situatave, rrethanave, mesazheve etj. As në shtëpi libri nuk duhet t’i lihet në dorë aftësisë së fëmijës për të lexuar, dhe as leximit vetëm një herë, sidomos në moshat e vogla.
Për të dalë te pyetja juaj, ka prindër të mirë që punojnë me fëmijët dhe i pëlqejnë shumë librat që kanë në fund lojëra gjuhësore / elemente didaktike, por janë të paktë. Prindër të tjerë e quajnë se e kanë kryer detyrën e prindërimit duke u mjaftuar me blerjen e librit dhe i kërkojnë fëmijës ta bëjë vetë punën me librin, por libri nuk është tablet që të duhet vetëm një gisht për ta shfletuar ekranin. Këta prindër thonë se e bëjnë për pavarsinë e fëmijë, ndërkohë po kujdesen për pavarsinë e vet”
Një nga arsyet pse poezia nuk lexohet më sot sipas Çupit, është se fëmijëve nuk u lexohen vjersha në vegjëli.
“Nëse do të bënim një mal me zhanret letrare poezia është maja e këtij mali dhe dihet se jo të gjithë pëlqejnë alpinizmin. Pra, vetë si zhanër poezia është e vështirë. Përveç kësaj unë mëshoj përsëri në edukatën e të lexuarit dhe te sistemi i leximit. Nëse në librat shkollorë kemi vetëm poezi të abetares dhe poezi atdhetare, vlerat e ekuacionit varen nga vlerat e iksit. Shto këtu që edhe folklori si burim i kulturës poetike është rrëgjuar, pasi nënat rrallëherë i rrisin fëmijët me ninulla dhe lojërat për fëmijë rrallëherë po shoqërohen me vjersha lojërash.
Ne si shtëpi botuese i kemi të forta të dyja shtyllat, edhe atë të librit letrar me qëllim funksional – në këtë rast gjuhësor – ashtu edhe të librave poetikë për synimin e përforcimit të shijes letrare. Madje, sfida jonë e këtij viti është të nxjerim libra dygjuhësh, shqip-anglisht, me poemtha humoristikë, pasi besojmë se s’ka asgjë më të çmuar se humori dhe poezia për të hyrë në zemrat e lexuesve të vegjël” thotë Çupi
Në fund Rudina Çupi, thotë se mbështetja e shtetit për letërsinë dhe shkrimtarët për fëmijë është e pakët ku nuk ka një fokus apo strategji të mirëfilltë duke sjellë një raport të zhdrejtë mes autorëve shqiptare dhe atyre të huaj.
“Nëse i referoheni fakteve ky raport është gjithnjë numër me presje për shqiptarët, si nga numri i botimeve të autorëve të huaj, ashtu edhe nga promovimi, nga vlerësimi etj. Shembulli konkret: asnjë institucion as arsimor, as kulturor nuk ka një agjendë me larmi aktivitetesh të shtrirë në kohë dhe në gjeografi për Ditën Ndërkombëtare të Librit për Fëmijë (ngjajnë si organizime të minutës së fundit), ku të përfshihen të gjithë autorët që shkruajnë për këtë lloj letërsie të brishtë, që më shumë se çdo zhanër tjetër ka nevojë për mbështetje.
Personalisht, nuk më kanë përfshirë për të zhvilluar aktivitete, paçka se kam fituar disa herë çmime dhe vlerësime nga institucionet arsimore e kulturore – çështja: do të jepesh, por nuk ke ku të jepesh. Sa kohë të jetë kështu, do të kryesojë gjithnjë produkti dhe personaliteti i huaj në lëmin letrar” përfundon Çupi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.