Histori

Pse FBI e pengoi angazhimin e Ajnshtajnit në projektin që ndërtoi armën e parë bërthamore?

Albert Einstein e njohu botën me Teorinë e Relativitetit, të shprehur në ekuacionin E=mc2. Ishte ai që zbuloi se energjia dhe masa janë të këmbyeshme midis tyre, duke hedhur kështu themelet për përdorimin e energjisë bërthamore dhe shpikjen e armëve të tilla.

Roli i tij në dramën e luftës bërthamore mund të kishte përfunduar këtu, po të mos ishte për një frigorifer të thjeshtë. Në vitet 1920, ndërsa jetonte në Berlin, fizikani bashkëpunoi me ndihmësin e tij hungarez Leo Zilard, për të zhvilluar dhe patentuar një frigorifer me një efikasitet të madh në përdorimin e energjisë.

Ndonëse projekti i tyre nuk u komercializua kurrë, puna e të dyve e përfshiu Ajnshtajnin, një pacifist i njohur, në garën për të krijuar bombë bërthamore gjatë Luftës së Dytë Botërore. Më vonë, shkencëtari gjerman do të bënte një fushatë shumë aktive për ndalimin e armëve bërthamore në mbarë botën, teksa pa në Japoni pasojat vdekjeprurëse të krijimit të tij shkencor.

“Shkëlqimi i tij, ishte gjithashtu edhe rënia e tij”, thotë eksploruesi i National Geographic Ari Beser . “Revolucioni që ndodhi me ndarjen e atomit, kërkonte gjithashtu edhe një revolucion moral”, shton ai.

Letra e Ajnshtajnit drejtuar Ruzveltit

Edhe pas përfundimit të bashkëpunimit midis Zilard dhe Ajnshtajnit për krijimin e pajisjeve shtëpiake, të dy shkencëtarët mbetën në kontakt të vazhdueshëm më njeri-tjetrin. Në vitin 1933, vitin kur Adolf Hitleri u bë kancelar i Gjermanisë, Zilard zbuloi reaksionin zinxhir bërthamor, pra procesin që çliron energjinë e ruajtur tek atomet për të shkaktuar shpërthime të jashtëzakonshme.

Në vitin 1939, ai ishte i bindur se shkencëtarët gjermanë mund t’i përdornin këto zhvillime shkencore për të zhvilluar një armë bërthamore. Kështu ai iu drejtua ish-kolegut të tij, në atë kohë shkencëtari më i famshëm në botë, duke i kërkuar që ta paralajmëronte për këtë rrezik presidentin amerikan Frenklin Ruzvelt.

Zilard e vizitoi Ajnshtajnin në Nju Jork, së bashku me dy shokë të tij emigrantë si ai, fizikantët hungarezë Eduard Teler dhe Eugjen Vigner. Kur u njoftua për mundësinë e një reaksioni zinxhir bërthamor, Ajnshtajni u trondit nga rreziku i paraqitur nga Teoria e tij e Relativitetit Special të vitit 1905.

“Sigurisht, ai nuk e mendonte se ajo teori do të shndërrohet më vonë në një armë”, thotë Sinthia Kelli, presidente e Fondacionit të Trashëgimisë Atomike. Por e kuptoi shpejt shumë konceptin. Së bashku me shkencëtarët e tjerë, Ajnshtajni i shkroi një letër Ruveltit, në të cilën e paralajmëruan se çfarë mund të ndodhte nëse shkencëtarët nazistë do të arrinin të prodhonin një bombë atomike përpara Shteteve të Bashkuara.

“Është gati e sigurt se në të ardhmen e afërt, mund të arrihet një reaksion zinxhir bërthamor”, shkruante ai duke e paralajmëruar për “krijimin e bombave jashtëzakonisht të fuqishme të një lloji të panjohur më parë”. Ai e këshillonte Ruzveltin për të financuar sa më shpejt një projekt kërkimor mbi energjinë bërthamore.

Presidenti amerikan e mori seriozisht paralajmërimin. Më 21 tetor 1939, 2 muaj pas marrjes së letrës dhe disa ditë pas pushtimit gjerman dhe kapitullimit të Polonisë, u mblodh për herë të parë Komiteti Këshillimor i Uraniumit, i caktuar nga presidenti amerikan. Ai ishte pararendësi i Projektit Manhatan, operacionit qeveritar top-sekret që çoi përfundimisht në shpikjen e një bombe atomike funksionale.

Një trashëgimi e trazuar

Por komiteti mori vetëm 6000 dollarë fonde, ndaj Ajnshtajni vazhdoi t’i shkruante letra presidentit amerikan, i ndihmuar edhe nga Zilard, që mori përsipër shkrimin e shumicës së tyre. Madje në njërën prej këtyre letrave, Ruzvelti paralajmërohej se nëse nisma nuk financohej më mirë, Zilard do të publikonte në një revistë shkencore sekretet e mëdha të armës bërthamore.

Në këtë mënyrë, Ajnshtajni ndihmoi në ecjen përpara të Projektit Manhatan, thotë Kellej, por “përfshirja e tij reale ishte shumë periferike”. Dosja që hapi FBI-së mbi këtë shkencëtar, që kritikonte hapur racizmin por edhe kapitalizmin dhe luftën, thuhet se arriti në 1800 faqe.

“Duke pasur parasysh prejardhjen e tij radikale, ne nuk do të rekomandonim punësimin e dr. Ajshtajnit mbi çështje të një natyre shumë sekrete”, thuhet në një nga raportet e byrosë federale. Pra Ajnshtajni nuk mori kurrë leje sigurie për të punuar drejtpërdrejt në Projektin Manhatan. E megjithatë, emri i tij është i lidhur përgjithmonë me armën që u krijua nga zbulimi i tij më i madh. Ai u trondit nga lajmi i bombardimit të Hiroshimës, dhe u poshtërua nga një kopertinë e revistës TIME të vitit 1946, që e tregonte atë përballë një reje të bombës atomike se bashku me ekuacionin e tij të famshëm.

Edhe pse Ajnshtajni e kaloi pjesën e mbetur të jetës së tij, duke e paralajmëruar botën për rreziqet e përhapjes së armëve bërthamore, ai u përpoq të kuptonte përgjegjësinë e tij.

“Ai është në fakt babai i bombës atomike”, thotë Ari Beser, që është gjithashtu nipi i ushtarakut të vetëm amerikan që u ndodh në bordin e të dy avionëve që hodhën bombat atomike në Japoni.

Beser e përdor rrëfimin e tij për të ilustruar pasojat e armëve bërthamore. Për shembull, ai vizitoi Aushvicin me një të mbijetuar nga bomba e hedhur në Nagasaki, i cili u mrekullua për lidhjet midis bombës që vrau ose plagosi qindra mijëra civilë dhe njërit prej tmerreve të tjera të historisë: Holokaustit.

“Unë e dija mirë rrezikun e tmerrshëm që i kanoset gjithë njerëzimin, nëse do të kishin sukses këto eksperimente”, shkroi Ajnshtajni për zhvillimin e bombës në një revistë japoneze në vitin 1952.

“Por në atë kohë nuk pashë rrugëdalje tjetër”, theksoi ai. Për Beser, dilema e Ajnshtajnit ilustron më së miri kontradiktat e gjendjes njerëzore.

“Ndarja e atomit ndryshoi gjithçka, përveç mënyrës së të menduarit të njerëzve”, ankohet ai.

Marrë nga: National Geographic. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë