Njerez

Pse është e rëndësishme të jemi gjithmonë kureshtarë?

Nga Gazeta 'Si' - Kurioziteti është “motori” që shtyn përpara eksplorimin e botës nga njerëzit por edhe kërkimin shkencor. Kureshtja është shkëndija që nxit interesat tona dhe që motivon përpjekjet në shkollë dhe punë. Ajo është një nga pikat tona më të forta si specie.

Por për shkencën, kjo gjendje themelore psikologjike është ende pak e njohur. Bazat e saj neurologjike, janë ende nën shqyrtim. Sot nuk ka një konsensus mbi atë që përkufizohet si “kuriozitet”. Thënë thjesht, me kuriozitet kuptojmë nxitjen për të mbledhur informacione mbi botën, një praktikë që na bashkon me gjallesat më elementare.

Por është e qartë se ekziston një ndryshim i madh midis një amebe që synon të eksplorojë habitatin e saj dhe etjes për njohuri, e cila tek disa pjesëtarë të specieve tona (si për shembull Leonardo da Vinci) ka arritur në nivele të jashtëzakonshme. Por çfarë është kurioziteti?  Çfarë e ushqen atë? Si ndryshon ai me kalimin e kohës, dhe pse disa njerëz janë më kureshtarë se të tjerët?

“Kurioziteti është forca shtytëse e të mësuarit mbi botën. Është ai që na motivon të hulumtojmë çështje që nuk i kuptojmë, në mënyrë që të mësojmë prej tyre. Është si një cikël i vazhdueshëm që vepron mbi dijet tona. Ai na tërheq drejt pasigurisë, dhe në këtë mënyrë na ndihmon të mësojmë se si funksionon bota”-thotë Celeste Kidd, neuroshkencëtare në Universitetin e Kalifornisë në Berkli.

Ata që janë kuriozë “e dinë që nuk dinë”, dhe në të njëjtën kohë mezi presin të kuptojnë më shumë, duke hyrë në një rreth vicioz të këndshëm dhe të pambarimtë. “Për të kuptuar se jeni duke përjetuar një shkallë të caktuar pasigurie, duhet të bëni të paktën disa kërkime mbi një çështje.

Sapo e shohim veten në një pozitë të pasigurt, kurioziteti ndërhyn për të na motivuar ta zgjidhim atë. Ne mësojmë paksa më shumë, dhe kësisoj bëhemi “të pasigurt” për gjëra të reja. Pra kurioziteti, është në thelbin e tij një zgjidhje e rafinuar evolucionare për t’i motivuar krijesat inteligjente që të vazhdojnë të zgjerojnë njohuritë e tyre gjatë gjithë jetës së tyre”-thekson më tej Kidd.

Nga ana tjetër gjërat që tërheqin kureshtjen tonë, duket se i përgjigjen një ligji universal mbi shkallën e pasigurisë që ata duhet të kërkojnë. “Ne duam të gjejmë dhe mësojmë gjëra që janë disi më befasuese dhe të reja se sa dimë deri më tani, por jo shumë”-sqaron Kidd.

Në një eksperiment, një shkencëtar testoi vëmendjen e fëmijëve 7 dhe 8 muajsh, përmes një sërë stimujsh vizualë me një parashikueshmëri të ndryshueshme, të zjarrfikëseve lodër që ishin fshehur nga një panel për t’u rishfaqur ose jo, sa herë që ngrihej kur paneli.

Në disa raste, lodra ishte gjithmonë e pranishme. Në të tjerat ajo rishfaqej me një probabilitet shumë të vogël, dhe në raste të tjera me një nivel të ndërmjetëm. “Përmes eksperimenteve të gjurmimit të syve (në të cilat ndiqet drejtimi i shikimit të fëmijës), ne vumë re se fëmijët janë veçanërisht të interesuar për ngjarje që janë paksa befasuese në krahasim me ato që tashmë i dinë. Ndërsa janë më pak kuriozë për ato që priten (pasi nuk ofrojnë mundësinë për të mësuar, dhe për këtë arsye janë të mërzitshme).

“Tek e fundit, të qenit kureshtarë është një strategji e dobishme për të zhdukur mendërisht materialin që është ende i paarritshëm, në krahasim me atë që fëmija është gati të mësojë. Imagjinoni sikur ju duhet të zgjidhni një libër për të lexuar nga një raft. Ju nuk do të dëshironit një libër në një gjuhë të huaj, të cilin nuk mund ta lexoni apo mbi një temë që është e panjohur për ju. Sepse do t’ju mungojnë njohuritë bazë për të kuptuar diçka rreth tij”- thotë Kidd.

Pra tek fëmijët, kurioziteti shërben për të reduktuar përqindjen e gabimit në parashikimet e tyre për mënyrën se si është krijuar bota. “Shpesh njerëzit më pyesin se si të ri-gjej kuriozitetin që kisha kur isha fëmijë. Por si të rriturit ashtu edhe fëmijët kanë një kuriozitet të madh. Ajo që ndryshon është objektivi i kuriozitetit të tyre. Fëmijët dinë shumë pak për botën, ndaj ata kanë objektiva shumë të përhapura. Për ta gjithçka është shumë interesante, sepse dinë shumë pak ose thuajse asgjë.

Ndërkohë, të rriturit kanë pasur kohë për të formuar interesa të specializuara, që bëhen objektivi i kuriozitetit të tyre. Për këtë arsye, ata priren të jenë më kureshtarë për një kategori gjërash që janë më të kufizuara. Por ne nuk e dimë nëse intensiteti i saj, është i ndryshëm midis fëmijëve dhe të rriturve”- vijon më tej ekspertja.

Pikërisht sepse jemi të specializuar me kalimin e moshës, është ende e rëndësishme të bëjmë përpjekje për të kultivuar atë lloj kurioziteti që rrezikojmë ta humbim. Pra atë që kuptohet si entuziazmi për të eksploruar. Dhe ne mund ta bëjmë këtë duke shijuar ushqimet që zakonisht nuk i gatuajmë, duke dëgjuar podkaste të reja, duke udhëtuar, duke mësuar t’i bëjmë pyetje njerëzve që takojmë.

Kjo është e domosdoshme, sepse një njeri kureshtar përfiton shumë në aspektin e kujtesës.“Kur diçka e nxit kureshtjen tonë, pasi i mobilizon qarqet e trurit që përpunojnë neurotransmetuesin dopaminë. Kjo e fundit ndikon në vëmendjen tonë, ndaj ne jemi më të gatshëm të përqendrohemi tek ajo që është e rëndësishme”- thotë Charan Ranganath, neuroshkencëtar në Universitetin Davis në Kaliforni.

Po ashtu, kjo molekulë promovon plasticitetin e trurit, pra aftësinë e qarqeve nervore për të ruajtur informacione të reja. Prandaj është me vend të thuhet:janë me fat ata që janë kureshtarë. Por pse disa njerëz janë më kureshtarë se të tjerët?

“Tek personaliteti ynë ekziston një tipar që quhet “të qenit i hapur ndaj përvojave”, që duket se lidhet me përfitimet e kuriozitetit në studimin në fjalë. Njerëzit më të hapur ndaj përvojave të reja, priren të tërhiqen nga gjëra të reja, të vlerësojnë diversitetin në grupet dhe përvojat e tyre shoqërore.

“Me pak fjalë, disa njerëz lindin kureshtarë. Nga ana tjetër, dyshojmë se ankthi mund të zvogëlojë kuriozitetin, megjithëse ne nuk kemi ende prova të mjaftueshme për të qenë tërësisht të sigurt. Nëse jeni në ankth, do të keni dyshime mbi aftësinë tuaj për të përballuar të papriturat.

Për shembull, disa fëmijë që përballen me një problem të vështirë matematikor, mund të nxiten nga kurioziteti për ta zgjidhur atë. Të tjerët mund ta shohin atë problem dhe të arrijnë në përfundimin se nuk mund ta zgjidhin dot, duke qenë më në ankth ndaj lëndës së matematikës në përgjithësi”-thotë Ranganath.

Burimi: Focus.it/ Përshtati: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë