Jete & Stil

Pse disa njerëzve u pëlqen të mbajnë maska

Vendosja e një maske për shumë njerëz është një sakrificë e madhe edhe pse e nevojshme pasi është një nga mënyrat më efektive për të ngadalësuar përhapjen e Covid-19.

Megjithatë, ka njerëz që u pëlqen të mbajnë një maskë për arsye që fillojnë nga ato të përshtatshme dhe më të leverdishme deri te ato më komplekse dhe psikologjike. Disa “mirëpresin” mënyrën sesi maskat zvogëlojnë ose ndryshojnë ndërveprimet që ndryshe mund të shkaktojnë ankth shoqëror. Por a është ky një mekanizëm i dobishëm i përballimit dhe çfarë ndodh kur pandemia do të marrë fund?

Anonimati mbart fuqi

Kathryn Stamoulis, psikologe thotë se shumë klientë të saj janë të lumtur me një maskë në fytyrë sepse në këtë rast ato kanë hedhur poshtë rutinat e tyre të kujdesit ndaj fytyrës dhe po kursejnë para dhe kohë. Të tjerë kanë zbuluar se fshehja e gojës u jep atyre liri të papritura.

“Disa kamarierë restorantesh dhe punëtorë thonë se nuk ndihen më të detyruar të bëjnë buzëqeshje fallto dhe kjo i ndihmon shumë në përballimin e emocioneve të tyre.” thotë Stamoulis.

Vendosja e një maske është një problem më pak.

"Gjatë një pandemie, ne jemi nën stres të madh dhe nëse shqetësoheni për pamjen tuaj të jashtme ose shqetësoheni nëse dikush ju ngacmon ose ju fishkëllen, maskat mund të japin një pushim nga ato gjëra që mund të “pushtojnë” mendjen kur jeni jashtë. Ju keni më shumë liri për të medituar ose për të menduar për gjithçka që dëshironi." shpjegon Stamoulis.

Stamoulis tregon se maskat ndihmojnë dhe ato njerëz që mund të mos jenë njerëz ekstrovert dhe takimet e rastësishme me të njohur në rrugë i shohin si një stres më vete. Tani më një maskë në fytyrë mund të shpëtojnë nga kjo situatë.

"Shpesh ekziston një lumë shqetësimesh që çon në bashkëveprime shoqërore dhe biseda negative me veten pas, të tilla si kritika për pamjen e dikujt, bërja e shprehjeve të papërshtatshme të fytyrës, duke mos thënë gjënë 'e duhur', duke mos qenë mjaft e këndshme, etj." tregon ajo.

Por, shton ajo, daljet me maska ​​mund të shkaktojnë më pak ankth sepse "identiteti i dikujt mund të fshihet, shprehjet e fytyrës nuk mund të analizohen lehtë, aspektet fizike të ankthit zvogëlohen (si skuqja ose belbëzimi) dhe/ose presioni për t'u përfshirë në biseda hiqet.”

"Anonimiteti mbart fuqi", shton Ramani Durvasula, një psikolog klinik dhe profesor i psikologjisë në Universitetin Shtetëror të Kalifornisë.

"Mund të duket sikur provoni një "rol" të ndryshëm dhe pritjet që lidhen me atë rol, ndoshta duke na çliruar nga ajo që mund të ndihet rraskapitëse dhe e pasinqertë për të buzëqeshur (sidomos kur nuk po kalojmë një ditë të mirë)."

Maskat mund të jenë të vogla, në fund të fundit ato lënë trupat, sytë dhe flokët në dukje por duke mbuluar gojën tonë, ata fshehin një pjesë të shprehjes sonë emocionale.

"Frika e dikujt që është i shqetësuar nga shoqëria për të treguar një emocion që mund të gjykohet negativisht mund të zbutet pjesërisht nga maska, një buzëqeshje mund të humbasë dhe një person që është i shqetësuar nga shoqëria mund të ndihet më i sigurt."

Ndërsa maskat mund të ofrojnë një pushim të përkohshëm nga situatat stresuese sociale, ekspertët thonë se ato ndoshta nuk janë një mekanizëm i mirë për përballimin afatgjatë.

"Për introvertët, mund të ndihet mirë që nuk kanë pse të flasin me njerëz që nuk i njohin aq mirë, por në planin afatgjatë, kur dalin nga zona e rehatisë dhe sfidojnë veten mund të formojnë një marrëdhënie pozitive. ” thotë Stamoulis.

Në mënyrë të ngjashme, shumë nga pacientët e saj adoleshentë preferojnë mësimin në Zoom, duke i parë ato më pak stresues sesa të shoqërohen me shokët e klasës dhe të merren me mësuesit personalisht, por në planin afatgjatë ata do të duhet të punojnë në ankthin e tyre shoqëror që të mos kenë probleme më vonë.

Edhe për të rriturit, ajo thotë se maska ndërhyn në ndërveprimet shoqërore që në fund të ditës mund të jenë të vlefshme.

“Ne e dimë që ndërveprimet shoqërore, qoftë një bisedë e shpejtë apo një buzëqeshje e ndërsjellë, mund të lëshojnë endorfinë dhe të ulin nivelet e kortizolit. Edhe bisedat e shkurtra me të panjohur në vende publike, lloji i ndërveprimit që është pothuajse i pamundur tani, mund të na bëjnë më të lumtur.

Gjithsesi, Stamoulis nuk shqetësohet shumë për pasojat afatgjata të mbajtjes së maskave.

"Unë nuk mendoj se do të vazhdojmë për vite me maska prandaj tani për tani nuk kanë shumë peshë pasojat afatgjata. E rëndësishme është se shumë njerëz më në fund po ndjehen të lirë... falë vendosjes së maskës.” përfundon Stamoulis.

Burimi: BBC. Përktheu: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë