Njerez

Pse disa burra kryejnë dhunë në familje?

Nga Gazeta Si- Dhuna në familje është një dukuri shumë e zakonshme në Shtetet e Bashkuara. Gati gjysma e grave dhe burrave në SHBA, përjetojnë dhunë seksuale ose fizike, përndjekje, dëmtim psikologjik ose imponim në një marrëdhënie në çift gjatë jetës së tyre.

Ndërkohë dhuna në familje, përjetohet në mënyrë të pabarabartë në mesin e popullsinë amerikane. Më të prekur janë të rinjtë, me gati treçerekun e viktimave femra që raportojnë se përvoja e tyre e parë e dhunës në familje, ka ndodhur para moshës 25 vjeçare.

Njerëzit me ngjyrë dhe personat e komunitetit LGBTQ+, përjetojnë gjithashtu nivele dukshëm më të larta të dhunës në familje sesa mesatarja kombëtare. Dhe pavarësisht nga nivelet e ngjashme të dhunës në familje mes burrave dhe grave, gratë raportojnë efekte më të rënda në jetën e tyre, përfshirë një shkallë më të lartë të lëndimeve dhe nevojë për kujdes mjekësor, nevojë për ndihmë nga agjencitë e zbatimit të ligjit dhe simptoma të çrregullimit të stresit post-traumatik.

Unë jam një punonjëse sociale dhe 10 vitet e fundit kam studiuar shkaqet se pse burrat ushtrojnë dhunë ndaj partnereve të tyre, pasi efektet e dhunës ndaj grave janë shpeshherë më të rëndat. Hulumtimi im ka zbuluar se marrëdhëniet e qëndrueshme mbështetëse nga të rritur që janë të vëmendshëm ndaj fëmijëve, së bashku me menaxhimin e stresit që merr parasysh traumën, janë dy qasje premtuese për të parandaluar dhunën në familje.

Disa përvoja të fëmijërisë, mund t’i vënë njerëzit në rrezik për të kryer dhunë në familje në të ardhmen. Studiuesit kanë zbuluar se abuzimi me fëmijët, neglizhenca, dhe një marrëdhënie negative prind-fëmijë, janë faktorë të rëndësishëm rreziku që mund të çojnë dikë që më vonë të kryejë dhunë në familje.

Përjetimi i traumës në fëmijërinë e hershme, mund ta ndryshojë strukturën e trurit, mënyrën se si trupi reagon ndaj stresit, dhe nëse dikush e sheh botën si një vend kërcënues, të dëmshëm dhe të pabesueshëm. Për shembull, gjatë studimit zbulova se njerëzit që kanë qenë të ekspozuar ndaj traumës, e  kanë më të rritur aktivitetin në amigdalën e trurit, duke rezultuar në frikë dhe vigjilencë të shtuar.

Dhe kjo mund të shkaktojë përgjigje agresive përballë konfliktit dhe stresit. Po ashtu, ekspozimi ndaj traumës lidhet me një rënie të aktivitetit në korteksin paraballor, që është pjesa e trurit përgjegjëse për kontrollin e impulsit, përqendrimin dhe arsyetimin emocional. Këto janë cilësi thelbësore për të menaxhuar marrëdhëniet ndër-personale. Stresi toksik, aktivizimi i tepruar ose i zgjatur i përgjigjes ndaj stresit të trupit, ndodh kur dikush ndeshet me kërcënime të vazhdueshme për sigurinë e tij fizike ose mendore gjatë periudhave të ndjeshme të zhvillimit.

Krahasuar me moshatarët e tyre, të rinjtë që përballen me nivele jo-proporcionale vështirësish dhe kërcënimesh nga varfëria, racizmi dhe pabarazive të tjera strukturore, janë më të rrezikuar nga stresi toksik. Këto ndryshime trupore, mund t’i bëjnë fëmijët më të pritur të preken nga sindroma e stresit post-traumatik (PTSD), depresioni dhe abuzimi me alkoolin apo drogën më vonë gjatë jetës.

Dhe këto janë disa nga faktorët më të zakonshëm të rrezikut për ushtrimin e dhunës në familje. Një studim zbuloi se gati një e treta e burrave që ishin në një program rehabilitimi kundër dhunës në familje raportuan nivele të larta të PTSD. Besimet rreth roleve gjinore tradicionale, që diktojnë mënyrën se si duhet të veprojnë burrat dhe gratë, janë një faktor tjetër i rëndësishëm që kontribuon në dhunën në familje.

Një traumë e pa adresuar, e përzier me pikëpamja gjinore të ngurta, mund të kufizojë aftësitë përballuese dhe mjetet që kanë njerëzit për t’u përballur me sfidat emocionale komplekse në marrëdhëniet në çift.

Për shembull, familjet që promovojnë parime gjinore shumë konservatore si “djemtë nuk qajnë” dhe i kufizojnë mundësitë për të mësuar nga aktivitetet që konsiderohen “femërore”, si kujdesi për kukullat, mund të pengojnë shprehjen emocionale të djemve dhe t’i bëjnë ata më pak të aftë në njohjen e emocioneve tek të tjerët por edhe tek vetja.

Tek ta zemërimi është zakonisht emocioni më dominues. Sigurisht, jo të gjithë njerëzit që janë përballur me fatkeqësitë dhe traumat e fëmijërisë, janë të destinuar të ushtrojnë dhunë. Studimet tregojnë se një lidhje e sigurt prind-fëmijë, dhe prania e marrëdhënieve dhe mjediseve të sigurta, edukative gjatë fëmijërisë, mbrojnë nga dhuna në të ardhmen.

Po ashtu mund të ndihmojnë edhe përvojat pozitive të fëmijërisë, si ndjenja e të kuptuarit në kohë të vështira, dhe prania e të paktën dy të rriturve që nuk janë prindërit tuaj, por që interesohen për jetën tuaj.

Një studim me mbi 6.000 të rritur në shtetin e Uiskonsin në SHBA, zbuloi se ata që raportonin 3-5 përvoja pozitive të fëmijërisë, kishin 50 për qind më pak gjasa të kishin simptoma depresive, apo ditë me një shëndet mendor të dobët, krahasuar me ata që kishin më pak ose aspak përvoja pozitive të fëmijërisë.

Megjithatë, pa këta faktorë mbrojtës, shumë fëmijë janë të rrezikuar të bartin traumën e tyre në marrëdhëniet e tyre në çift kur janë adoleshentë por edhe më vonë. Mbështetja e shëndetit dhe mirëqenies së shoqërisë, kërkon përpjekje të bazuara tek studimet shkencore për të parandaluar dhe trajtuar dhunën në familje.

Marrëdhëniet e përgjegjshme, ose marrëdhëniet ku personi tjetër është i vëmendshëm, i përshtatet rrethanave dhe mbështetës, janë një mënyrë thelbësore për të përmirësuar mirëqenien e fëmijëve dhe të rriturve, përfshirë shëndetin mendor të të mbijetuarve të abuzimit.

Studiuesit po i kushtojnë më shumë vëmendje rreziqeve të izolimit social tek të rriturit. Kjo e fundit është përkeqësuar nga ndryshimet kulturore ,që rrjedhin nga pandemia e Covid-19, puna në distancë dhe mediat sociale.

Izolimi social dhe rrjetet sociale jo të shëndetshme, mund të jenë të rrezikshme për viktimat e dhunës dhe të dëmshme për dikë që është i prirur të kryejë dhunë, pasi ato mund të përkeqësojnë sëmundjet e shëndetit mendor si PTSD. Programet në komunitet, që ndërtojnë rrjete sociale mbështetëse, kanë potencialin të përmirësojnë faktorët e rrezikut të shëndetit mendor për ushtrimin e dhunës.

Shumica e programeve të ndërhyrjes kundër dhunës në familje nga ana e burrave, nuk e kanë përfshirë të kuptuarit se trauma regjistrohet në trup, po aq sa në mënyrën e të menduarit të dikujt. Këto programe, fokusohen kryesisht në heqjen e prirjeve abuzive dhe ri-mësimin e mënyrave të shëndetshme të angazhimit.

Kjo lloj qasje, përfshin përdorimin e librave dhe ushtrimeve të mendimit për të identifikuar sjelljet dhe mendimet abuzive për nënshtrimin e grave, për të kuptuar pse ato janë të dëmshme, si dhe për të mësuar mënyra të shëndetshme për të zgjidhur konfliktin.

Gjithsesi, fokusimi tek proceset e të menduarit njohës si mekanizmi kryesor për ndryshim, është në vetvete i pamjaftueshëm për të pasur një ndryshim të qëndrueshëm. Sepse për të ndryshuar në mënyrë kuptimplote efektet e traumës, ndërhyrjet duhet të përfshijnë edhe proceset autonome të trurit.

Ndërhyrjet që fokusohen në rregullimin e stresit dhe emocioneve, si frymëmarrja e thellë dhe vetë-ndërgjegjësimi, mund të ndihmojnë në adresimin e simptomave fiziologjike të traumës dhe rivendosjen e përgjigjes ndaj stresit të trupit. Kjo e fundit mund t’i ndihmojë më pas njerëzit të përfshihen në mësimin e nivelit më të lartë, që është i nevojshëm për të adoptuar

të menduarit dhe sjelljet jo të dhunshme dhe për t’iu kundërvënë tendencave abuzive.

Zbutja e simptomave të PTSD dhe traumës tek njerëzit që kanë ushtruar dhunë në familje, mund t’i ndihmojë ata të identifikojnë shkaktarët kryesorë të saj, dhe të zhvillojnë aftësitë e përballimit për t’iu reaguar ndaj stresit në mënyra më të shëndetshme në vend të dhunës.

Burimi: The Conversation. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë