Njerez

Pse dëshira për kaos nxit fiksimin e shumë njerëzve pas teorive të konspiracionit

Dëshira për të prishur sistemin aktual politik, është një motivim i fortë për shpërndarjen në rrjetet sociale të teorive konspirative. Në këtë përfundim, arrin një studim i kohëve të fundit. Dhe kjo gjë ndodh pavarësisht nëse shpërndarësi i beson apo jo teorive që është duke ndarë me të tjerët.

Madje studiuesit kanë tani një term mbi këtë ‘oreks’ të disa individëve për sabotim: “nevoja për kaos”. Ndërsa ne të gjithë përfshihemi deri diku në të menduarit në mënyrë konspirative, disa nga këto besime mund të bëhen shpeshherë shumë të rrezikshme.

Përhapja në rritje dhe fuqia e informacioneve të rreme në internet, disa të nxitura nga interesa të ngushta personale, ka krijuar një motivim të fortë për të hetuar psikologjinë që fshihet pas mentalitetit konspirativ. Duke synuar zgjerimin e kërkimeve të mëparshme, shkencëtarja e Universitetit Karlton, Kristina Farhart dhe kolegët anketuan 3.336 njerëz në SHBA, të ndarë në mënyrë të barabartë në secilën anë të spektrit politik.

Atyre iu drejtuan disa pyetje, për të parë nëse të anketuarit kishin më shumë gjasa të ndanin teori konspirative sepse i besonin ato, për të dhënë njëfarë alarmi, ose për shkak të nevojës së tyre vetjake për të përjetuar kaos.

Dhe ashtu si në hulumtimet e shkuara, Farhar dhe ekipi i studiuesve zbuluan se besimi tek konspiracioni është faktori më i fortë, i cili përcakton nëse një person është i gatshëm të përhapë një teori përmes mediave sociale. Ndodh shpesh që këto besime lindin nga shqetësimet legjitime dhe të paplotësuara me të cilat njerëzit përballen në jetën e tyre të përditshme.

Çuditërisht, të dhënat e reja nuk e mbështesin hipotezën se nxitësit e teorive konspirative po “i bien këmbanës së alarmit” për të forcuar mbështetjen ndaj një kundërshtari të perceptuar. Kjo do të tregonte se pjesëmarrësit në një teori konspiracioni janë të motivuar të mbështesin grupin kulturor me të cilin identifikohen më shumë.

Por në vend të kësaj, u pa se nevoja për kaos, ishte një tregues më i fortë nëse vullnetarët besonin apo jo se ishin të gatshëm të përhapnin një teori konspirative. Dhe kjo sugjeron një kompleksitet më të madh sesa “vetëm brohoritjen pro grupimit tënd”.

“Ndërsa disa individë ndajnë në mënyrë specifike postimet e rivalëve politikë duke i kundërshtuar ata, të tjerët e bëjnë këtë për të sfiduar të gjithë sistemin politik”, u shpreh studiuesi Eric W.Dolan për Psypost.

Meqë hulumtimi është i natyrës vëzhguese, dhe i bazuar në përgjigjet e vetë-raportuara, ekipi nuk mund t’ia atribuojë drejtpërdrejt motivet aktit të ndarjes së informacioneve në rrjetet sociale.

Por ata morën parasysh një mori faktorësh që mund të ndikonin tek rezultatet, përfshirë bindjet politike të të anketuarve, prirjen e tyre fetare, moshën, gjininë, të ardhurat dhe përkatësinë etnike. U vu re se ata që ishin në kërkim të kaosit, kishin më shumë gjasa të thoshin se ishin plotësisht dakord me deklarata të tilla si: “Ne nuk mund t’i rregullojmë problemet në institucionet tona sociale. Ne duhet t’i shkatërrojmë dhe ndërtojmë nga e para!”.

Ata që u besojnë teorive të konspiracionit, kanë gjithashtu më shumë gjasa që t’i ndajnë ato në rrjetet sociale, sidomos nëse kanë nevojë për këtë kaos. Por ky motivim, nuk kërkon domosdoshmërish që njerëzit ta besojnë atë që po ndajnë me të tjerët.

Përkundrazi, ata që kërkojnë të nxisin kaos, duket se ndjehen të justifikuar duke e shtuar fluksin e keqinformimeve në internet, apo me një sulm ndaj një institucioni që për ta nuk funksionon, apo thjesht për të hequr mërzinë, siç tregohet nga dakordësia me deklaratën: “Unë kam nevojë për kaos rreth meje. Nëse nuk ndodh asgjë, është shumë e mërzitshme”.

Ky konstatim, përputhet edhe me studimet e mëparshme, të cilat sugjerojnë se njerëzit që ndihen të pasigurt financiarisht apo në aspektin social, kanë më shumë gjasa të besojnë tek teoritë e komplotit. Dhe kjo shpjegon gjithashtu edhe arsyen, pse ka një rritje të ndjeshme të të menduarit konspirativ gjatë kohërave të krizës, teksa njerëzit përballen me vështirësi financiare dhe pasiguri mbi shëndetin e tyre.

Po ashtu, hulumtimet e mëparshme kanë konfirmuar se mashtrimi i dikujt tjetër, mund t’i sigurojë një ndjenjë kontrolli qoftë edhe momentale atyre që janë të prirur për konspiracione, ndjenjë që mund t’u mungojë diku tjetër në jetën e tyre.

Pra rezultatet e këtij studimi të ri, nuk duhet të jenë dhe aq befasuese, në rast se kemi pasur parasysh nivelin në rritje të stresit me të cilin po përballemi të gjithë në jetën tonë të përditshme dhe në shumë fusha. Për shembull, qytetarët amerikanë po përjetojnë rritje të kostove të jetesës, përkeqësim të gjendjes së tyre shëndetësore, rritje të pasigurisë financiare dhe rezultate më të këqija në shkollë.

Këtyre u shtohet një numër më i madh katastrofash natyrore dhe një rritje e shkallës së vdekjeve. “Gjetjet e studimit tonë, sigurojnë prova të forta që tregojnë se individët janë të gatshëm të ndajnë në mediat e tyre sociale teoritë e konspiracionit, jo vetëm për të përforcuar besimet ekzistuese, por edhe për të mobilizuar të tjerët kundër të gjithë sistemit politik”, theksojnë Farhar dhe kolegët e saj në studimin e tyre që u botua në “Research and Politics”.

Burimi: Science Alert. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë