Mendim

Pse BE duhet të mbrojë paktin me Iranin?

Nga Knut Fleckenstein, deputet i Parlamentit Europian: Më 8 maj, Presidenti Donald Trump tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja, përmes të cilës Irani kufizonte pasurimin e uraniumit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve. Veç SHBA, pakti ishte ndërmjetësuar edhe nga Kina, Rusia, Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe. Vendimi i njëanshëm i Presidentit Trump për t’u larguar nga kjo marrëveshje rrit pasigurinë globale dhe thellon ndasitë në marrëdhëniet transatlatnike.

Nuk ka asnjë dyshim që marrëveshja e mbështetur edhe nga OKB përmes rezolutës 2231 i ka shërbyer qëllimit të saj për të parandaluar Iranin nga zhvillimi i armëve bërthamore. Vendimi i shkujdesur e i pamenduar i Trump është i rrezikshëm dhe minon të gjithë regjimin e rregullave ndërkombëtare për pasurimin e uraniumit dhe armëve bërthamore.

Deklaratat e tij për të rivendosur të gjitha sanksionet e lidhura me programin bërthamor iranian janë shqetësuese. Megjithatë, nuk është në dorë të një vendi të vetëm që t’i japë fund një marrëveshjeje të nënshkruara mes disa vendeve dhe Bashkimi Europian është i vendosur për t’u qëndruar zotimeve të veta.

Parashikueshmëria dhe qëndrueshmëria janë elementët kyç në një pakt shumëpalësh

Ujdia është një prej fitoreve më të mëdha diplomatike të viteve të fundit, një zgjidhje pa humbës, por me dy fitues, Iranin në njërën anë dhe komunitetin ndërkombëtarë në anën tjetër. Kjo marrëveshje është një garanci për sigurinë në Lindjen e Mesme, Europë dhe pjesën tjetër të botës. Rregulli botëror aktual po sfidohet. Përplasjet duket se po mbizotërojnë mbi racionalitetin, bashkëpunimin. Në këtë situatë, dialogu, respekti dhe llogaridhënia janë më të rëndësishme se kurrë.

Interesi ynë madhor është që ta mbajmë Iranin në shinat e marrëveshjes së nënshkuar. BE do të vazhdojë t’i qëndrojë kësaj marrëveshjeje përsa kohë Irani u qëndron zotimeve të tij. Për Iranin, me rëndësi duhet të jetë bilanci nëse qytetarët e tij janë më mirë ekonomikisht, politikisht dhe strategjikisht me apo pa marrëveshjen. Ndryshe nga Kina dhe Rusia, është detyrë e ne europianëve që t’u qëndrojmë këtyre parimeve dhe të kërkojmë më të mirën për popullin iranian.

Tërheqja e Donald Trump nuk ndihmon në gjithë këtë. Lëvizja e tij minoi përpjekjet e të moderuarve në Teheran, që mbështesin pa rezerva këtë pakt. Prandaj, shkatërrimi i kësaj marrëveshjeje vetëm sa forcon konservatorët e ashpër iranianë, avokatë të rinisjes së programit bërthamor dhe politikave të ashpra e përplasëse në rajon, që mund të çojë në përplasje nukleare me Izraelin dhe Arabinë Saudite.

Askush nuk e do këtë, por më shumë e interesuar për ta shmangur një skenar të tillë duhet të jetë Europa. Europa do të përballojë koston kryesore të një konflikti të përmasave të mëdha në Lindjen e Mesme dhe jo SHBA.

BE flet njëzëri dhe me vendosmëri për ta ruajtur marrëveshjen

Në dritën e gjithë këtyre zhvillimeve dhe skenarëve të mundshëm katastrofikë, BE është e vendosur për të qenë një roje besnike e partner i rëndësishëm në ruajtjen e normave ndërkombëtare. Një zotim politik dhe ekonomik europian do të ndihmojë politikanët iranianë që të përmbahen në hapat që mund të ndjekin pas tërheqjes së Donald Trump.

Në këmbim, mund të ndihmojë gjithashtu edhe në dialogun ekzistues mes BE-së dhe Iranit për programin e tij të raketave ballistike. Kjo do të reduktonte rrezikun e përplasjeve të dhunshme në rajon dhe BE do të garantonte që marrëveshja të mbetej një fitore për të gjitha palët. Sot nuk ka asnjë ndryshim që lehtësimi i sanksioneve me Iranin ka dhënë një ndikim pozitiv në tregti dhe ekonomi në raport me Iranin dhe nga kjo kanë përfituar edhe vetë iranianët.

Duke vlerësuar rëndësinë e mbrojtjes së këtij aktiviteti të rigjallëruar ekonomik e tregtar mes dy palëve, BE është duke studiuar mundësitë dhe masat kundërvepruese për të mbrojtur kompanitë që preken nga sanksionet amerikane.

E dimë që ndëshkimet për shkeljet e sanksioneve amerikane janë të ashpra, për këtë po ndërmarrim hapa konkretë, si përshembull në vazhdimësinë e blerjes së naftës dhe gazit iranian dhe ndërmarrjes së transaksioneve bankare të sigurta. Ne do të thërrasim në fuqi një statut të vitit 1996 që bllokon zbatimin e sanksioneve amerikane në territorin e BE-së, mbron operatorët ekonomikë europianë dhe u jep atyre garanci ligjore.

Vendimi i pamatur i Donald Trump meriton një përgjigje të qartë

Me shkëputjen e njëanshme nga marrëveshja me Iranin, Presidenti Trump tregoi se nuk ka ndërmend që të konsultojë dhe ndjekë një politikë të jashtme të njëjtë me aleatët e tij. Me vullnet të plotë ai shkel dhe nuk respekton një prej parimeve më thelbësore të bashkëpunimit ndërkombëtar: janë qeveritë e vendeve përkatëse që nënshkruajnë një marrëveshje ndërkombëtare dhe jo politikanë individualë.

Kjo lëvizje e Donald Trump kërkon një përgjigje të fortë europiane përmes aktivizimit dhe zhvillimit të rregullave dhe një strategjie të përbashkët për Iranin, duke përfshirë një institucion financiar europian të pavarur nga SHBA dhe në të njëjtën kohë edhe marrja e garancive nga Irani për rolin e tij në rajon, programin bërthamor, atë për raketat ballistike dhe për kërcënimet e papranueshme ndaj Izraelit. Europa mund të tregojë tani se është në gjendje dhe e vendosur për të ruajtur stabilitetin në Lindjen e Mesme, të ruajë kufijtë e vet dhe të fqinjëve të saj, por edhe të partnerëve ndërkombëtarë përmes veprimeve konkrete dhe të fuqishme.

Burimi: The Progressive Post


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë