Treg

Pse ari nuk po reagon ndaj konflikteve në Lindjen e Mesme

Nga Gazeta ‘Si’- Ari u rrit gjatë luftës 12-ditore me Iranin vitin e kaluar, por humbi fitimet pasi u shpall armëpushimi.

Megjithatë, dy javë pas nisjes së konfliktit më të fundit, çmimi i tij ka mbetur kryesisht i pandryshuar.

Çmimi i arit u rrit nga 5.296 në 5.423 dollarë për ons pasi SHBA dhe Izraeli nisën sulme ndaj Iranit më 28 shkurt, duke konfirmuar idenë se tensionet gjeopolitike i shtyjnë investitorët drejt aseteve tradicionale të sigurta, si ari.

Por më pas një valë shitjesh bëri që çmimi të binte me më shumë se 6%, në 5.085 dollarë më 3 mars. Këtë javë, ndërsa konflikti është përshkallëzuar, ari është tregtuar në intervalin mes 5.050 dhe 5.200 dollarë për ons. Së fundmi, çmimi spot i arit u pa rreth 5.175 dollarë për ons.

Sipas Ross Norman, drejtues i faqes së metaleve të çmuara Metals Daily, disa faktorë shpjegojnë mungesën e rritjes së fortë të çmimit, përfshirë forcimin e dollarit dhe rritjen e rendimenteve të obligacioneve të Thesarit amerikan.

Norman shtoi se rritja e çmimeve të naftës mund të çojë në inflacion më të zgjatur dhe potencialisht në norma më të larta interesi, ndërsa bankat qendrore përpiqen të përballojnë pasojat e mundshme nga mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, një korridor jetik detar për transportin e naftës dhe gazit.

Normat më të larta të interesit zakonisht e bëjnë më tërheqëse investimin në asete që japin kthim, si obligacionet qeveritare, krahasuar me metalet e çmuara si ari, të cilat nuk gjenerojnë interes.

“Lëvizjet e çmimeve të arit dhe argjendit duken disi të vakëta tani, por ndoshta kështu është normale pas lëvizjeve shumë të forta që kanë ndodhur gjatë muajve të fundit,” tha Norman për CNBC në një email.

Ai shtoi gjithashtu se disa investitorë institucionalë janë bërë të kujdesshëm për të mbajtur ar fizik, pasi ai ka qenë jashtëzakonisht i paqëndrueshëm kohët e fundit.

Një shpjegim tjetër është se konfliktet shpesh shkaktojnë një valë shitjesh nga paniku mes investitorëve, duke krijuar një “pastrim” të tregut, ku tregtarët detyrohen të shesin pozicionet e tyre ndërsa çmimet bien.

Këtë e shpjegon Amer Halaëi, drejtues i kërkimit në Al Ramz.

“Nëse krijohet një krizë likuiditeti, gjithçka shitet derisa njerëzit të kuptojnë situatën dhe të fokusohen sërish te asetet e duhura,” tha ai në një intervistë për emisionin “Access Middle East” të CNBC.

“Sipas traditës, kur ndodh një goditje e fortë në treg, edhe ari shitet fillimisht dhe më pas rimëkëmbet.”

Megjithatë, parashikimet e bankave mbeten optimiste pavarësisht luhatjeve afatshkurtra.

J.P. Morgan parashikon që çmimi i arit të arrijë në 6.300 dollarë për ons deri në fund të vitit 2026, ndërsa Deutsche Bank vazhdon të mbajë objektivin prej 6.000 dollarësh për ons deri në fund të këtij viti, sipas analizave të tyre të fundit.

Marrë nga CNBC/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë