Lajme

PS: Të enjten nisim procedurat për shkarkimin e Ilir Metës

Në përfundim të mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste, që u mblodh fill pas firmosjes së anulimit zyrtar të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit nga ana e presidentit, mazhoranca njofton nisjen e procedurave për shkarkimin e Ilir Metës.

Mësohet se kryeministri Edi Rama ka kërkuar takim me ambasadorët e Bashkimit Europian sot në orën 11:00 në ambientet e Kryeministrisë.
Ndërsa, në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e qeverisë, Elisa Spiropali, ka bërë me dije se Kryesia ka diskutuar dhe vendosur nisjen e procedurave për shkarkimin e presidentit Meta, duke filluar nga seanca e së kësaj të enjteje.

“Kryesia e PS ka diskutuar mbi aktin brutal të Ilir Metës mbi Republikën Parlamentare të Shqipërisë. Kryesia ka vendosur që të enjten të zhvillojë një debat parlamentar, duke shtjelluar argumentet, se si Ilir Meta ka sulmuar Republikën dhe ka shpikur një institucion që nuk ekziston në asnjë vend të botës, që quhet zhdekretim. Në fund do t’i takojë Kolegjit Zgjedhor apo KQZ që ta shqyrtojë nga pikëpamja juridike.
Ilir Meta e ka humbur të drejtën për të qëndruar në atë zyrë. Do fillojmë procedurën e shkarkimit të Ilir Metës nga Presidenca të enjten. Është detyra jonë për të mbrojtur Kushtetutën”, tha ndër të tjera Spiropali.

Ndërkohë, pa humbur kohë Partia Socialiste e Shqipërisë ka nisur edhe mbledhjen e firmave për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta.
Duhen 35 firma për të iniciuar kërkesën për shkarkimin e presidentit.
Mësohet se firmat e para janë hedhur nga deputetët e PS-së në Komisionin e Ligjeve.
Meta në deklaratën e jashtëzakonshme për shtyp, tha se data e re e zgjedhjeve duhet të caktohet me marrëveshje politike, ndërsa nga ana tjetër Partia Socialiste ka thënë se zgjedhjet nuk do të shtyhen pavarësisht vendimit të presidentit.
Një ditë më parë, Rama në vijim të fushatës elektorale në Burrel paralajmëroi se me lëvizjen e bërë për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit, presidenti Meta e humbi të drejtën për të vazhduar në postin e presidentit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë