Nga Gazeta ‘Si’- Mazhoranca rrëzoi kërkesën për procedurë të përshpejtuar të projektligjit të PD për uljen e çmimit të naftës.
Deputeti i PD Eno Bozdo ndërsa prezantoi këtë projektligj tha se Shqipëria duhet të bëjë ndërhyrje ligjore për uljen e taksave që rëndojnë sot në çmimin e naftës.
Bozdo tha se Shqipëria sot nuk ka asnjë rezervë dhe se qytetarët sot blejnë naftën më shtrenjtë se gjithë vendet e rajonit, krahasuar me Kosovën dhe Maqedoninë.
“Shqipëria nuk zotëron asnjë gramë naftë rezervë të sigurisë strategjike; kryeministri pretendon të kundërtën. Jemi ndoshta i vetmi vend që s’kemi një rezervë të tillë, edhe pse legjislacioni e ka me detyrim. Qeveria nuk e ka vënë ujin në zjarr dhe kjo ndodh gjithmonë. Në këtë pikë, lutemi që kriza mos të thellohet dhe mos të marrë ndonjë urdhër për lirimin e rezervave të naftës, që dihet të jenë 90 ditë, ndërsa sot janë 0 ditë. Të gjitha vendet e tjera të rajonit i kanë këto rezerva.
Projektligji ofron mundësinë, hap derën për ndërhyrje ligjore në raste krizash, që i lejon qeverisë të shoqërojë uljen e taksave që rëndojnë në çmimin e naftës, si ajo e qarkullimit që qytetarët e paguajnë dy herë, ose ndryshe taksa e karbonit, duke e bërë çmimin e naftës shumë të shtrenjtë. Nëse i eliminojmë këto taksa, do të mund të krahasohemi me Maqedoninë dhe Kosovën. Këto vende pa det e tregtojnë naftën 30-40% më lirë.
Një tjetër mekanizëm që sjell projektligji është ai që të implementohet modeli i akcizës së lëvizshme që përdoret sot nga Italia. Çdo tepricë e TVSH-së që vjen nga rritja e krizës, që derdh më shumë para të pamerituara në arkë, shkon për të ulur akcizën në të njëjtën masë. Ky mekanizëm merr në dorë menaxhimin e rezervës.
Ky projektligj kërkohet me urgjencë, sepse jemi i vetmi vend që s’kemi marrë asnjë masë konkrete për amortizimin e çmimit të naftës. Kjo ngjan me përballimin e krizës së Covid. Bordi është vullnet politik i kryeministrit”, tha Bozdo.
Pas rrëzimit të kërkesës, Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, tha se mazhoranca e trajton opozitën me urrejtje, ndërsa i dha edhe një këshillë Peleshit.
“Opozitën e trajtoni me urrejtjen më të madhe! Një datë të kërkojmë ne, ju votoni kundër! Luani rolin tuaj si mbi palët, si moderator i debatit dhe s’bëni gabim që një herë të vetme në 6 muaj t’i kërkosh kolegëve ta mbështesë kërkesën e opozitës ose të paktën ndiq modelin e Lindita Nikollës dhe Elisa Spiropalit, dil njëherë nga rreshti se s’të gjen gjë! Një datë po kërkojmë!”, tha Bardhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje