Në fjalimin e parë dy orë pas mbylljes së kutive të votimit, Kryeministri Edi Rama e interpretoi 30 qershorin si një referendum votëbesimi popullor, test të cilin socialistët, sipas tij, e kaluan me sukses. Pak para kësaj deklarate të Kryeministrit, duke lexuar shifrat e pjesëmarrjes, Lulzim Basha e interpretoi si një braktisje që shqiptarët i bënë Edi Ramës dhe fitore të opozitës.
Siç ndodh rëndom në të tilla raste në politikën shqiptare, debati se kush fitoi pritet të zgjasë me javë me radhë, për të mos thënë me muaj. Por si qëndron e vërteta? Atë e thonë vetëm shifrat. Nisur nga fakti që 30 qershori ishte një garë me vetveten për Partinë Socialiste, rezultati mund të krahasohet vetëm me zgjedhjet e së shkuarës. Krahasimi vetëm me rezultatin e 2015 nuk është plotësisht i saktë, nisur nga konjukturat politike ku u zhvilluan zgjedhjet e fundit. Por, as krahasimi vetëm me rezultatin e zgjedhje parlamentare të 2017 nuk mund të merret plotësisht i vërtetë, sepse në fund të fundit më 30 qershor zhvilloheshin zgjedhjet vendore.
Panorama e shifrave të mbështetjes për partitë nuk është e plotë zyrtarisht, por duke u nisur nga vota për kandidatët, mund të krijohet një ide e përafërt se si ka ndryshuar sjellja e elektoratit nga 2015, në 2017 dhe deri në zgjedhjet e fundit.
Le t’i marrim me radhë bashkitë:
Berat
Në 2015 PS merrte si forcë politike 11,152, ndërsa në 2017 socialistët siguruan 19.453. Në zgjedhjet e së dielës, pjesëmarrja në të njëjtën njësi, sipas të dhënave paraprake të KQZ-së është 14 mijë. Në krahasim me zgjedhjet parlamentare të 2017, PS-së i mungojnë rreth 5500 vota, ndërsa e zhveshur nga votat e pavlefshme dhe votat që për subjektet e tjera elektorale, PS pritet që të ruajë nivelin e mbështetjes së 2015 në këtë qark.
Skrapar
Në 2015, PS merrte 1,519 vota si parti politike. Në 2017, socialistët thuajse e dyfishuan mbështetjen e tyre në 2.937 në zonën që njihet si bastion i LSI-së. Në Skrapar, pjesëmarrja sipas KQZ-së ka qenë 4522 zgjedhës. Duke i zbritur votat e pavlefshme dhe atë të hedhur për subjektet e tjera, në këtë zonë socialistët nuk parashikohet që të zbresin poshtë nivelit të 2017, përkundrazi.
Kuçovë
Në 2015 PS mori 5,290 vota si parti politike. Në 2017 kjo shifër dyfishohet duke shkuar në 10.064 vota. Në zgjedhjet e së dielës, në këtë njësi votuan 9880 vetë. Shifra nuk mundëson as arritjen dhe as tejkalimin e nivelit të mbështetjes të 2017 për socialistët, por pritet që të ruhet mbështetja e 2015.
Poliçan
Në 2015 PS merrte 3,129 vota si parti në këtë zonë. Në 2017, 4.490 socialistët rriten me 1100 vota. Pjesëmarrja në zgjedhjet e fundit në këtë njësi ishte 4750. Duke zbritur nga kjo shifër përqindjen e votave të pavlefshme dhe të votave për subjektet e tjera politike kjo shifër nuk sugjeron që socialistët të ruajnë të njëjtën mbështetje si në 2017, por pritet që të zbresin në nivelin e 2015.
Ura Vajgurore
Në 2015, PS e vetme merrte 3,605 në këtë bashki, ndërsa në zgjedhjet parlamentare të 2017 rritej me më shumë se 5300 vota, duke shkuar në 8.693. Në zgjedhjet e fundit, pjesëmarrja, sipas të dhënave paraprake të KQZ-së ishte 5900. Kjo shifër nuk mundëson arritjen e nivelit të 2017, por ruajtja e mbështetjes së 2015 është e mundur.
Bulqizë
Në zgjedhjet vendore të vitit 2015, PS merrte 2,080 në këtë bashki. Në 2017, socialistët rriten me më shumë se dyfish duke shkuar në 5.153 vota. Në zgjedhjet e 30 qershorit, pjesëmarrja paraprake sipas KQZ-së ishte 7500. Duke i hequr edhe përqindjen e votave të pavlefshme dhe të votave për subjektet e tjera elektorale, socialistët mund të ruajnë jo vetëm mbështetjen e 2015, por edhe të 2017.
Dibër
Në Bashkinë Dibër, Partia Socialiste merrte e vetme 6,876 vota në 2015. Në 2017 socialistët rriten me thuajse 30 për qind në këtë zonë duke marrë 9.370 vota. Në zgjedhjet e fundit, pjesëmarrja në Dibër ishte 16327. Kjo shifër sugjeron se PS pritet që të tejkalojë mbështetjen edhe të 2017-s në këtë zonë, që u bë e famshme edhe për dosjen e përgjimeve “184”.
Klos
Partia Socialiste merrte vetëm 656 vota në Klos në vitin 2015. Në 2017 kjo shifër pesëfishohej duke shkuar në 3.312 vota. Pjesëmarrja në zgjedhjet e fundit ishte 5485 vetë. Shifra mundëson që PS të marrë edhe më shumë mbështetje se në 2017, por zgjedhjet e shkuara në këtë zonë kanë provuar se kur vjen puna për tek partitë, prirja e elektoratit është e paparashikuar dhe shpesh votohen edhe partitë e vogla.
Mat
Në 2015, Partia Socialiste mori 2,013. Në 2017, socialistët rriten me rreth 5 mijë vota, duke shkuar në 6.960. Pjesëmarrja në zgjedhjet e fundit ishte 8068. Me këtë shifër, PD siguron ruajtjen e mbështetjes së 2015, por mund të ruajë dhe teorikisht të tejkalojë edhe mbështetjen e 2017.
Durrës
Durrësi është bashkia me rezultatin më zhgënjyes për socialistët, që në 2015 merrnin plot 27,642. Në 2017 kjo shifër rritej me thuajse 21 mijë vota të tjera, duke shkuar në 48.288. Pjesëmarrja prej 35062 zgjedhësish në votimet e fundit nuk mundëson ruajtjen e mbështetjes së 2017, madje duke zbritur votat e pavlefshme dhe ato për partitë e tjera, rrezikohet edhe niveli i mbështetjes së 2015.
Krujë
Në 2015, PS merrte në këtë bashki 4,769. Në 2017, në të njëjtën njësi socialistët grumbullonin thuajse 12 mijë vota më shumë, duke shkuar në 16.135 vota. Të dielën në territorin e Bashkisë së Krujës votuan 16500 vetë. Teorikisht, PS mund të ruajë mbështetjen e 2017, por praktikisht duke hequr votat e pavlefshme dhe ato të partive të tjera, vështirë se kjo mund të ndodhë.
Shijak
Në 2015, PS merrte e vetme në këtë bashki 4,575 vota. Në 2017, në të njëjtin territor siguronte 8.643 vota. Pjesëmarrja në zgjedhjet e fundit, sipas shifrave paraprake të KQZ-së ishte 6000 votues. Kjo do të thotë se PS nuk ruan dot mbështetjen e 2017, madje kërcënohet seriozisht edhe niveli i mbështetjes së 2015.
Belsh
Në 2015, PS mori 2,381 vota si forcë politike në këtë bashki. Në 2017, socialistët grumbulluan 5.754 vota. Pjesëmarrja në zgjedhjet e fundit në këtë bashki ishte 6510. Edhe këtu, teorikisht mbështetja e 2017 mund të ruhet, por praktikisht duke hequr fletët e pavlefshme dhe votat për subjektet e tjera, kjo shihet si e pamundur, ndërsa mbështetja e 2015 nuk parashikohet të kërcënohet.
Cërrik
Në 2015, në Cërrik PS mori 3,708. Në 2017 kjo shifër shkoi në 5.380. Pjesëmarrja më 30 qershor në këtë bashki u ndal në shifrën e 7048. Në pamje të parë shifrat shihet si e mjaftueshme për të ruajtur nivelin e mbështetjes së 2017.
Elbasan
Në 2015, socialistët morën 19,917 vota. Në 2017, kjo shifër në 33.129. Në zgjedhjet e së dielës, pjesëmarrja arriti në 39234. Shifra mundëson që PS të ruajë nivelin e mbështetjes së 2017 në këtë zonë.
Gramsh
Në 2015, PS u mbështet nga 1,096 votues. Në 2017, socialistët morën 7.328 vota. Pjesëmarrja në zgjedhjet e fundit u ndal në 8947. Kjo shifër sugjeron se socialistët pritet që të ruajnë bazën e mbështetjes së fituar në 2017.
Librazhd
Në 2015, PS mori 3,559 në këtë bashki. Në zgjedhjet parlamentare të 2017 numri i votave u rrit në 10.973. Në zgjedhjet e fundit, pjesëmarrja u ndal në 12388. Edhe këtu mbështetja e 2017 mund të ruhet, ndonëse diferenca është më kërcënuese sesa në Gramsh.
Peqin
Në Peqin PS merrte 1,264 në 2015. Në 2017, kjo shifër shkon në 3.580. Në zgjedhjet e fundit morën pjesë 5503 vetë. Situata këtu shihet e njëjtë dhe nuk pritet që të kërcënojë mbështetjen e 2017 për socialistët.
Përrenjas
Në këtë bashki, në 2015 socialistët merrnin 1,823 vota. Në 2017, në të njëjtin territor PS siguron 6.737 vota. Pjesëmarrja prej 8100 votuesish në zgjedhjet e fundit, mund të sigurojë ruajtjen e këtij niveli mbështetjeje.
Divjakë
Në 2015, PS mori 5,649 vota në këtë bashki. Dy vite më vonë, në zgjedhjet parlamentare baza e mbështetjes u zgjerua me rreth 8 mijë vota duke u ndalur në 13.095 mbështetës. Pjesëmarrja në zgjedhjet e së dielës në këtë bashki u ndal në 13000. Pra, sipas kësaj shifre, PS e ka të pamundur që të ruajë mbështetjen e 2017 në këtë bashki, por niveli i 2015 nuk kërcënohet.
Fier
Në 2015, PS merrte 23,491 vota në këtë bashki. Në 2017, në të njëjtin territor, socialistët siguronin 38.426 vota. Pjesëmarrja në zgjedhjet e fundit u ndal në 41200. Diferenca e ngushtë mes pjesëmarrjes 2019 dhe votave të 2017 nuk sugjeron ruajtjen e mbështetjes së dy viteve më parë, por rezultati i 2015 nuk duket i kërcënuar.
Lushnje
Në Lushnje, socialistët morën 14,921 vota në 2015. Dy vite më vonë PS u konfirmua si parti e parë me 28.579 vota. Pjesëmarrja prej 27243 votuesish në zgjedhjet e fundit do të thotë se PS e ka të humbur ruajtjen e nivelit të 2017, por të sigurtë ruajtjen e mbështetjes së 2015.
Mallakastër
Në 2015, socialistët u votuan nga 3,104 persona në këtë bashki. Në 2017, PS mori 7.375 vota në këtë zonë. Pjesëmarrja më 30 qershor u ndal në 6200. Kjo do të thotë se edhe këtu PS rezulton me rënie të mbështetjes në krahasim me 2017, por pa surpriza në krahasim me 2015.
Patos
PS mori 5,194 në 2015 në këtë bashki. Në 2017 kjo forcë grumbulloi 8.874 vota. Në zgjedhjet e kësaj të diele, pjesëmarrja u ndal në 8804 vota. Pra, pjesëmarrja është më e ulët se votat që PS mori në 2017 në këtë zonë, ku gjithsesi pritet që socialistët të ruajnë mbështetjen e 2015.
Roskovec
PS mori 5,087 vota në këtë bashki në 2015. Në 2017 numri i votave u rrit në 7.813. Pjesëmarrja në zgjedhjet e fundit është ndalur në 7800 vetë, sipas të dhënave paraprake të KQZ-së. Kjo do të thotë se PS nuk e ruan dot në shifra mbështetjen e 2017, por pritet që të ruajë atë të 2015.
Dropull
Socialistët merrnin 748 vota në këtë bashki minoritare në 2015. Në 2017, PS dyfishoi mbështetjen duke marrë 1.514 vota. Në zgjedhjet e fundit, pjesëmarrja u ndal në 2252 vota. Shifra u mundëson socialistëve që të ruajnë edhe mbështetjen e 2017 në këtë zonë.
Gjirokastër
Në 2015, PS mori 5,617 vota. Në 2017 socialistët dyfishojnë votat duke u ndalur në 10.053 vota. Në zgjedhjet e fundit, pjesëmarrja u ndal në 11339 , shifër që teorikish u mundëson socialistëve që të ruajnë mbështetjen e 2017, por diferenca e ngushtë e bën thuajse të pamundur këtë.
Këlcyrë
Në 2015 PS mori 339 vota në këtë bashki. Në 2017 socialistët siguruan 1.997 vota. Pjesëmarrja në Këlcyrë në zgjedhjet e fundit u ndal në shifrën e 2921 personave. Edhe këtu PS mund të ruajë dhe tejkalojë mbështetjen e 2017.
Libohovë
Këtu PS mori 884 vota në 2015. Në 2017 mori 1.484. Pjesëmarrja në zgjedhjet e fundit u ndal në 1369. Kjo do të thotë se në këtë njësi, PS nuk mund të ruajë vetveten e 2017-ës.
Memaliaj
Socialistët morën 1,593 vota në 2015 në këtë bashki, ndërsa në 2017 siguruan 4.084 vota. Pjesëmarrja në zgjedhjet e fundit ishte 4150. Kjo do të thotë se edhe këtu, PS e ka të pamundur që të ruajë nivelin e vetvetes së 2017.
Përmet
Në 2015, PS mori 552 vota në këtë bashki. Dy vite më vonë rriti rezultatin në 3.857 vota. Pjesëmarrja në zgjedhjet e fundit ishte 4720. Shifra u mundëson socialistëve që të ruajnë nivelin e 2017 në këtë bashki.
Tepelenë
Në 2015, PS mori 2,009 në këtë bashki, ndërsa në 2017 u rrit në 4.233 vota. Pjesëmarrja në zgjedhjet e fundit në këtë bashki ishte 4646. Diferenca e ngushtë mes pjesëmarrjes aktuale dhe rezultatit të PS-së në 2017, e bën thuajse të pamundur për socialistët që të ruajnë mbështetjen e 2017.
Devoll
Në 2015 PS mori 2,871 vota, ndërsa në 2017 shkoi në 5.791 vota. Pjesëmarrja në zgjedhjet e fundit në këtë bashki ishte 7724. Këtu, socialistët mund të ruajnë nivelin e mbështejtes së 2017.
Kolonjë
PS mori 2,443 në 2015 në këtë bashki. Në 2017 u rrit në 4.078 vota. Pjesëmarrja në zgjedhjet e së dielës ishte 5005. Edhe këtu gjasat janë që socialistët të ruajnë mbështetjen e 2017.
Korçë
Në 2015, PS merrte 15,743 vota në Bashkinë e Korçës, ndërsa në 2017 mblidhte 23.456 vota. Pjesëmarrja në 30 qershor në këtë bashki ishte 21797. Kjo do të thotë se PS nuk ruan dot mbështetjen e 2017 në këtë bashki, ndërkohë që duke zbritur votat e pavlefshme dhe ato të hedhura për partitë e tjera të vogla mbështetja mund të zbresë edhe më poshtë niveleve të 2015.
Maliq
PS merrte 6,163 vota në 2015 në këtë bashki. Në 2017 socialistët grumbullonin 13.041 vota. Pjesëmarrja në zgjedhjet e fundit u ndal në 12005. Edhe këtu shifrat pamundësojnë për PS ruajtjen e nivelit të 2017, ndërsa mbështetja e 2015 mund të ruhet pa problem.
Pogradec
Në 2015 PS u mbështet nga 6,441 votues, ndërsa në 2017 ky numër shkoi në 15.633. Pjesëmarrja në zgjedhjet e kësaj të diele ishte 17655. Diferenca e ngushtë vështirë se i garanton PS-së nivelin e mbështetjes së 2017, por e sigurtë duket ruajtja e nivelit të 2015.
Pustec
PS mori 378 vota në 2015 në këtë bashki minoritare. Në 2017 PS siguroi 788 vota. Këtu është mbyllur gjithçka. PS ka marrë 1060 vota, duke tejkaluar veten në krahasim me zgjedhjet parlamentare të 2017.
Has
Në 2015, PS mori 517 vota në këtë bashki. Në 2017 siguroi 3.394 vota. Edhe këtu procesi i numërimit ka përfunduar dhe PS si parti ka marrë vetëm 947 vota, një rritje e papërfillshme në krahasim me 2015, por një rënie drastike në krahasim me 2017.
Kukës
PS merrte 1,272 vota në 2015, ndërsa në 2017 dhjetëfishonte veten duke marrë 11.630 vota. Pjesëmarrja në zgjedhjet e fundit u ndal në 11598. Kjo do të thotë se PS nuk mund të ruajë votën e 2017, por e ka të sigurtë ruajtjen e mbështetjes së 2015-ës.
Tropojë
Në 2015 PS merrte 729 vota në këtë bastion të PD, ndërsa në 2017 votohej 3.363 herë. Këtu numërimi është mbyllur dhe PS ka marrë 786 vota, thuajse njësoj si në 2015.
Kurbin
Në 2015, PS mori 2,988 vota në këtë bashki dhe në 2017 u trefishua duke shkuar në 9.072. Pjesëmarrja prej 7909 votuesish në këto zgjedhje nuk i mundëson ruajtjen e mbështetjes së 2017, por PS mund të ruajë nivelin e 2015.
Lezhë
PS merrte 4,351 në vitin 2015 në këtë bashki. Në 2017 PS mori 15.120 vota. Pjesëmarrja në zgjedhjet e fundit ishte 15436, çka e bën thuajse të pamundur që socialistët të ruajnë mbështetjen e tyre të 2017-ës.
Mirditë
PS mori 1,245 vota në 2015, ndërsa në 2017 shumëfishoi votat e saj në 6.214. Këtu numërimi është drejt përfundimit dhe PS projektohet të tejkalojë me një grusht votash nivelin e 2015.
Fushë-Arrëz
PS mori 260 në zgjedhjet e 2015. Në 2017 u rrit në 2.720. Pjesëmarrja prej 2602 votuesish këtë të dielë i pamundësojnë PS-së ruajtjen e mbështetjes së 2017.
Malësi e Madhe
2,478 ishte numri i votave të PS-së në 2015. Në 2017 kjo parti mori 8.123. Këtë të dielë, pjesëmarrja në këtë bashki ishte vetëm 7600. Edhe këtu PS nuk ruan dot nivelin e 2017, ndërsa pritet që të ruajë pa problem nivelin e 2015.
Pukë
Në Pukë, PS mori 287 në 2015. Në 2017 u rrit në 4.255 vota. Edhe këtu, pjesëmarrja është më e ulët se votat e PS-së në 2017. Vetëm 3939 kanë votuar në këtë bashki, çka e bën të pamundur matematikisht për socialistët që të ruajnë nivelin e 2017.
Shkodër
Në 2015, PS merrte 10,884 vota në këtë bashki. Në 2017, mbështetja zgjerohej në 20.195 vota. Në zgjedhjet e së dielës vetëm 15913 shkodranë votuan. Kjo do të thotë se PS e merr dot mbështetjen e 2017, ndërkohë që i kërcënohet edhe mbështetja e 2015.
Vau i Dejës
Në 2015, PS mori 2,664 në këtë bashki. Në 2017 kjo shifër shkoi në 3.954. Pjesëmarrja prej 5166 votuesish ja mundëson socialistëve ruajtjen e nivelit të 2017, por prirja e elektoratit për të shpërndarë votat për partitë e vogla në zgjedhjet lokale, ja vështirëson këtë mision.
Kamëz
Në 2015 PS merrte 8,268 vota në këtë bashki. Në 2017 ky numër rritej në 15.358. Pjesëmarrja në zgjedhjet e fundit u regjistrua në 10913. Kjo do të thotë se PS nuk mund të marrë dot votat e 2017, ndërkohë që mision i vështirë do të jetë edhe ruajtja e nivelit të 2015.
Kavajë
Në 2015, PS merrte 7,962 vota në Kavajë. Në zgjedhjet e 2017 këto vota shkonin në 10.234 vota. Pjesëmarrja prej 7784 vetash në zgjedhjet e fundit ja pamundëson matematikisht socialistëve misionin për të ruajtur këtë nivel.
Rrogozhinë
Në 2015, PS mori 2,865 vota në këtë bashki. Në 2017 shifra shkoi në 5.282 vota. Pjesëmarrja në zgjedhjet e fundit u ndal në 5260. Edhe këtu matematika e pengon PS që të arrijë nivelin e 2017.
Tiranë
Në 2015, PS mori 108,290 në kryeqytet, ndërsa në 2017 164.323 vota. Pjesëmarrja në zgjedhjet e fundit tejkaloi votat e marra në 2017 nga socialistët duke u ndalur në 171.390.
Vorë
Në 2015, PS mori 2,303 në këtë bashki. Në 2017 ajo u mbështet nga 5.320 votues. Të dielën në këtë bashki dolën për të votuar 6120, një shifër që teorikisht ja mundëson PS-së ruajtjen e nivelit të 2017 dhe nuk kërcënon mbështetjen e 2015.
Delvinë
PS mori 1,072 vota në këtë bashki në 2015. Në 2017 u dyfishua në 2.763 vota. Pjesëmarrja e ulët prej 3047 e bën thuajse të pamundur ruajtjen e nivelit të 2017 për socialistët në këtë zonë.
Finiq
PS mori 1,861 në 2015, ndërsa në 2017 në këtë bashki u votua nga 2.792 persona. Pjesëmarrja prej 4000 votuesish u mundëson socialistëve që të ruajnë mbështetjen e 2017.
Himarë
Në 2015, PS u votua nga 3,045 vetë në këtë bashki. Në 2017 mori 4.465 vota. Vetëm 4165 vetë dolën në zgjedhjet e fundit dhe matematikisht PS nuk ruan dot mbështetjen e 2017 dhe kërcënohet edhe ajo e 2015.
Konispol
1,051 votonin PS në 2015. Në 2017 shifra shkonte në 2.369 persona. Shifra prej 3486 pjesëmarrësish shkon e gjitha për PS, si e vetmja forcë me kandidatë për Këshillin Bashkiak në këtë bashki.
Sarandë
PS votohej nga 3,983 persona në 2015. Në 2017 shifra rritej në 8.652 vota. Shifra prej 9261 nuk është bindësi që PS të ruajë të njëjtën mbështetje, por garanton mbështetjen e 2015.
Selenicë
PS u mbështet nga 2,505 vota në 2015 dhe në 2017 mori 6.919. Numri i votuesve që dolën këtë të dielë në këtë bashki ishte 6200, pra më i vogël se numri i atyre që kanë votuar PS në 2017.
Vlorë
PS e votonin 21,548 vetë në 2015 në këtë bashki, ndërsa në 2017 ky numër shkonte në 37.724. Në zgjedhjet e së dielës pjesëmarrja ishte 31563. Matematikisht PS nuk ruan dot votën e 2017, por pritet të sigurojë pa probleme atë të 2015.
Si përfundim, në total janë 771.863 votues, shifër pak më e lartë se sa numri i votave që PS mori në 2017, prej 764 mijë votash. Duke llogaritur përqindjet e votave të pavlefshme dhe ato për partitë e tjera, PS nuk parashikohet që të kapë këtë nivel mbështetjeje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.