Politike

PS miraton projektbuxhetin dhe paketën fiskale

Socialistët kanë miratuar në parim në Komisionin e Ekonomisë projektbuxhetin e vitit të ardhshëm dhe paketën fiskale, ndërsa Partia Demokratike ka votuar kundër.

Votimi i ndryshimeve në ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, për Tatimin mbi të Ardhurat, për Taksat Kombëtare dhe për Akcizat u parapri nga një debat i fortë mes palëve.

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj tha se buxheti i ri parashikon uljen e borxhit dhe rritjen e mbrojtjes për shtresat në nevojë dhe kategoritë e tjera.

“Buxheti parashikon ulje të borxhit, rritje të subvencioneve të fermerëve, rritje të mbështetjes për shtresat në nevojë dhe një nivel më të lartë të rritjes ekonomisë se mesatarja e viteve të kaluara. Vërtetë pagat mesatare nuk janë aty ku duhet, por sërish ka pasuar një rritje të ndejshme të tyre dhe do të punojmë që ato të rriten përmes politikave rritëse dhe rritje të produktivitetit. Dua të theksoj se për varfërinë dhe nivelin e jetesës, rreziku për të qenë i varfër është 23 % dhe në vendet e rajonit është ,mbi këtë, i vetmi vet që është % më i ulët se i yni është Mali i Zi”, deklaroi ajo.

Por, PD kundërshtoi me deputetët Edmond Spaho dhe Arbi Agalliu këtë pretendim të mazhorancës. Sipas opozitës, heqja e subvencionimit të TVSh-së dhe vendosja e saj në 10 për qind për inputet bujqësore do të rëndojnë edhe më tej te fermerët.

PD thotë se as parashikimi i mbledhjes së të ardhurave nuk është realist. “Këtu do të jemi sërish bashkë në korrik dhe do ta shohim këtë”, deklaroi deputeti Edmond Spaho.

“Unë e shoh si një buxhet jo të shpërndarë siç duhet, nëse objektivi kryesor është mbushja e buxhetit të shtetit, mbushja e gropave që vijën nga abuzimi apo keqqeverisja nuk e shohin me vend që ky buxhet të ketë këtë lloj shpërndarje. Të taksojmë tek më i forti, te ata që tregojnë produkte luksi dhe jo ato jetike”, tha deputeti Arbi Agalliu.

Kundër paketës fiskale u shpreh më herët edhe Dhoma Amerikane e Tregtisë, që e cilësoi të nxituar, të pakonsultuar me grupet e interesit dhe që tregon paqëndrueshmëri në këto politika që rrisin edhe më tej pasigurinë e investitorëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë