Biznes

Dhoma Amerikane e Tregtisë kundër paketës fiskale: Ndryshime të shpeshta dhe pa konsultim

Dhoma Amerikane e Tregtisë i kërkon Kuvendit dhe Qeverisë që të shtyjnë në kohë miratimin e paketës fiskale për vitin e ardhshëm për të pasur më shumë kohë në dispozicion për t’u njohur me propozimet e bëra.

Në një letër dërguar Komisionit të Ekonomisë dhe Ministrisë së Financave, Dhoma thotë se nga një vështrim i përgjithshëm paketa fiskale e propozuar shkel angazhimin publik për të mos ndërhyrë shpesh në legjislacionin e taksave, që sipas saj, rrit pasigurinë e investitorëve.

“Dhoma Amerikane ka shprehur edhe njëherë shqetësimin mbi ndryshimet e herëpashershme mbi Paketën Fiskale, duke mos respektuar angazhimin për të ndërhyrë një herë në katër vjet me qëllimin që të krijojnë stabilitet dhe parashikueshmëri në planet e biznesit. Gjithashtu, qeveria nuk ka respektuar afatet ligjore të nevojshme për konsultimin publik, duke lënë shumë pak kohë në dispozicion për komente dhe duke e ndarë Paketën Fiskale me biznesin pas miratimit në Këshillin e Ministrave”, thuhet në letrën e dërguar nga kjo Dhomë për Kuvendin dhe Qeverinë.

Dhoma Amerikane e Tregtisë thotë se një pjesë e bizneseve anëtare të saj kanë shprehur shqetësim për projektligjet e propozuara.

“Së pari, një pjesë e madhe e bizneseve anëtare, kanë reaguar me shqetësim, në lidhje me këto projektligje; së dyti, koha e vënë në dispozicion të Dhomës Amerikane nuk ka qënë e mjaftueshme që grupet tona teknike të zhvillojnë një analizë të plotë për të prodhuar komente të detajuara për draftin”, vijon letra.

“Thyerja e angazhimit publik për një paketë fiskale të qëndrueshme me ndërhyrje të paktën njëherë në katër vjet. Pasi komuniteti i biznesit ka shprehur shqetësimin e vazhdueshëm, mbi ndryshimet e shpeshta mbi paketën fiskale dhe tatimet, si dhe në përshtatje me praktikat më të mira botërore, zyrtarë të lartë duke përfshirë Ministrin e Financave, Kryeministrin, etj., janë angazhuar publikisht për ndryshime më pak frekuente të ligjit, njëherë në çdo 4-vjeçar. Për rrjedhojë, ky projektligj bie ndesh me angazhimet publike qeveritare, pritshmëritë dhe planifikimet financiare të komunitetit të biznesit dhe dëmton klimën e besimit reciprok mes sektorit publik dhe atij privat mbi angazhimet publike”, vijon letra.

Problematika tjetër lidhet me kohën e konsultimit, që sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë ka shkelur afatet e ligjit për konsultimin publik.

“Dhoma Amerikane vëren e zhgënjyer se u njoftua mbi projektligjet e paraqitur nga Këshilli i Ministrave mbi paketën fiskale 2022, pasi ato ishin miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe ishin depozituar pranë Kuvendit. Kjo praktikë – fatkeqësisht e përsëritur – është në shkelje të ligjit nr. 146/2014 “Për Njoftimin dhe Konsultimin publik”, i cili i kërkon autoriteteve shtetërore t’i ofrojnë palëve të interesuara një periudhë kohore të përcaktuar për të shqyrtuar dhe ofruar rekomandimet e tyre në lidhje me projektligjin/et e propozuar”, deklarohet në kërkesë.

Për këto arsye, Dhoma Amerikane kërkon që t’i jepet më shumë kohë për t’u konsultuar në lidhje me propozimet e bëra.

“Duke i lënë mundësi grupeve të interesit të ushtrojnë të drejtën e tyre duke u njohur me përmbajtjen e ligjit dhe ofrimin e sugjerimeve për përmirësimin e tij. Në vijim, Dhoma Amerikane shpreh bindjen se projektligjet kanë nevojë për përmirësim, i cili do të mundësohej pas reflektimit të rekomandimeve të komunitetit të biznesit. Një pjesë e problematikës është e bashkëngjitur”, thotë AmCham.

Gjithashtu, Dhoma Amerikane rekomandon nisjen nga puna për hartimin dhe konsultimin e një Ligji të Ri për Tatimin mbi të Ardhurat, që sipas saj, të harmonizohet me standardet ndërkombëtare dhe kombëtare të kontabilitetit.

“Periudha 4-vjeçare në dispozicion të një ligji të ri të tatimit mbi të ardhurat, do i jepte mundësi grupeve të punës të unifikonin taksimin e paga marrësve dhe personave fizikë e tregtarë. Kjo ka qënë një kërkesë e vazhdueshme e komunitetit ndërkombëtar të biznesit, i cili do sillte një frymë të re në Investimet e Huaja Direkte, harmonizimin me standardet ndërkombëtare dhe krijimin e kushteve për uljen e informalitetit”, mbyllet kërkesa e Dhomës Amerikane të Tregtisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë