Lajme

PS-LSI paqe edhe në Elbasan, bashkojnë votat për buxhetin

Përplasjet mes krerëve të PS dhe LSI duket se nuk janë reflektuar aspak në bazë, pasi ashtu siç ndodhi në Durrës, ku buxheti i bashkisë së drejtuar nga Vangjush Dako kaloi me votat e partisë së Monika Kryemadhit, ka ndodhur së fundmi edhe në Elbasan.

Këshilli Bashkiak aty miratoi me 45 vota buxhetin e vitit 2019 në një mbledhje me diskutime të shumta për zhvillimin e qytetit dhe investimet.

Buxheti i Bashkisë së Elbasanit u miratua me shumicë votash nga Këshilli Bashkiak, 45 nga 51 që ka gjithsej, ndërsa 2 këshilltarë mungonin.

Për ta kaluar buxhetin, 16 votave të këshilltarëve të PS iu bashkuan edhe ato të këshilltarëve të partive të tjera, si LSI, PDIU, PR, FRD e PLL, ndërsa katër këshilltarë të PD që ishin në mbledhje u shprehën kundër.

Në prezantimin e buxhetit të 12-të nën drejtimin e Bashkisë Elbasan prej tij, Qazim Sejdini tha se sfidat për bashkinë janë shtuar pas reformës territoriale.

“Bashkia e Elbasanit ka kaluar me sukses një sfidë të madhe, sfidën e hartimit të një buxheti efektiv, të qëndrueshëm nga viti në vit, një buxheti pa deficit, një buxhet ku përqindja më e madhe shkon tek investimet e shërbimet publike. Për vitin 2019 Bashkia e Elbasanit ka parashikuar një draft buxhet prej 2.7 miliardë lekësh, i cili nëse përpjesëtohet me numrin e banorëve në Bashkinë Elbasan, çdo banor do të marrë shërbime dhe produkte bashkiake në vlerë rreth 15 mijë lekë të reja, ndërkohë që paguan vetëm 2400 lekë të reja në vit, pra bashkia subvencionin nga bashkia në masën 80%”, tha Sejdini, kreu i Bashkisë së Elbasanit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë