Nga Gazeta “SI”- Ka një pyetje thelbësore e cila i drejtohet gjithmonë krijuesve, veçanarisht atyre që lëvrojnë dy zhanret, prozën dhe poezinë. A mund t’i zotërojë një krijues të dyja në të njëjtin nivel estetik apo gjithmonë, njëri zhanër prevalon mbi tjetrin?
Romancierët e mëdhenj thuhet se nuk mund të jenë poetë të mëdhenj, dhe anasjelltas por kjo më shumë se mundësi, mbetet zgjedhje. Milan Kundera shkruante edhe poezi, edhe pse gjërësisht njihet si romancier, madje si një nga më të mirët e shekullit të 20-të. Gjithashtu Pessoa, edhe pse ishte poet madhështor dhe njihet si i tillë, proza e tij mbetet dhe sot brilante, gati-gati tronditëse.
Mbi këtë temë, se a qëndrojnë poezia dhe proza në të njëjtin un krijues e po me të njëjtin sublimim, GazetaSi.al ka pyetur dy krijues, kritikë letrarë e po ashtu njohës të mirë të letërsisë. Latif Mustafa dhe Agim Baçi japin versionet e tyre mbi pyetjen se : Proza dhe poezia janë dualizëm apo vokacion i ndarë?
Latif Mustafa: Përmes prozës vazhdojmë të dekodifikojmë poezitë, apo thellësinë historike të popullit tonë
Si student i filozofisë gjithmonë kam patur problem me poezinë dhe të kuptuarit e saj. Shpesh herë më është thënë se ajo nuk duhet kuptuar por duhet ndjerë thellësisht, ngaqë burimi i saj është krejt metafizik dhe është zgjatim i një bote apo realiteti që ne nuk e shohim, nuk e prekim. Problemi im poezinë fillon me paragjykimin e filozofit Platon, gjegjësisht, Sokratit të cilët iu kundërvunë poezisë së Homerit, mitologjisë, kozmogonisë e teogonisë. Filozofët nuk pajtoheshin me zotrat që i përngjisnin njerëzve, dhe ky botëkuptim erdhi përmes poiesis-it apo krijimit artistik të poezisë. Në anën tjetër filozofia filloi të zhvillohet përmes dialogjeve dhe formës prozaike. Megjithatë, le të marrim shtruar, fillet e poezisë dhe prozës.

Poezia dhe proza janë dy forma të gjuhës që shpesh janë parë në raport dualist, por në thelb janë vokacione komplementare. Vetë etimologjia na flet për këtë dallim: poezia vjen nga greqishtja poiesis – “të krijosh”, pra është arti i shpikjes së botëve përmes fjalës; ndërsa proza vjen nga latinishtja prosa oratio “fjalë e drejtë, e thjeshtë”, e lirë nga ritmi dhe metrika. Poezia është kënga e parë e njeriut, e lidhur me mitin, ekstazën dhe përjetimin estetik, ndërsa proza është forma më e vonshme, e lidhur me mendimin racional, diskursin teorik dhe ndërtimin e shkencës.
Në botën antike, poetët si Homeri dhe Hesiodi ishin bartësit e dijes, para se filozofia të shfaqej si disiplinë më vete. Me filozofët ndodh edhe ndarja: Platoni, në Republikën, i përjashton poetët nga shteti ideal, sepse poezia imiton hijet e realitetit (mimesis), ushqen emocionet dhe rrezikon edukimin moral. Për të, e vërteta qëndron në botën e ideve, jo në mitet poetike. Ndërkaq, Aristoteli e rehabiliton poezinë në Poetikën: sipas tij, poezia nuk mashtron, por tregon universalen. Historia tregon çfarë ndodhi, ndërsa poezia çfarë mund të ndodhë. Tragjedia, nëpërmjet katarsisit, pastron dhe shëron shpirtin nga pasionet. Në këtë mënyrë, Platoni dhe Aristoteli mishërojnë dy pole që e shpjegojnë përhershmërinë e debatit poezi–prozë.
Në planin historik, proza si gjuhë e rrëfimit të gjatë lindi me Herodotin, “babanë e historisë”, i cili në Historitë e tij shkroi për herë të parë në prozë të rrjedhshme, duke kaluar nga miti në rrëfim kritik. Më vonë, Heliodori, Longu dhe romakë si Petroni eksperimentuan me prozën narrative, por romani modern erdhi me Cervantesin dhe Don Kishotin (1605), i cili i dha prozës shpirtin artistik të rrëfimit kritik dhe universalisht njerëzor. Në traditën tonë shqiptare, romani i parë në prozë është Dashuria e Talatit me Fitnetin i Sami Frashërit, botuar më 1872 në Stamboll, që shënoi lindjen e prozës artistike shqipe.
Megjithatë, për mua, raporti me poezinë ndryshoi, kur një profesor i imi Amerikan gjatë studimeve post-diplomike, na foli për kapacitetet e poezisë të shoqërive apo komuniteteve kulturore, para se ato të bëheshin qytetërime, ruajtën thelbin arkaik dhe preservuan arkeologjinë e dijeve të popujve të ndryshëm. Ai një herë mu drejtua duke më thënë, Latif e vërteta e popullit tënd fshihet në poezi. Çdo popull, kur dëshiron të rigjenerojë dhe rindërtojë veten, duhet t’i kthehet poezisë së vet.
Poezia, për ne shqiptarët vërtetë ka qenë një bank adn-je dhe ne e kemi kultivuar veten duke gjetur modelet në poezi. Rëndom proza ka qenë e vonshme, po përmes saj kemi shkruar shkencë, kemi krijuar rrëfimin në varg të lirë për historinë tonë dhe përmes saj vazhdojmë të dekodifikojmë poezitë, apo thellësinë historike të popullit tonë.
Agim Baçi: Poezia nuk kërkon kuptimin, por ndijimin, reflektimin
Poezia mua më ngjan si dashuria- mund të thuash shumë për të, por kurrë të mos ndjesh se ke thënë fjalën e fundit. Është fjalë, por në mënyrë të çuditshme nuk shpjegohet me fjalë. Është fjalë, por vetë nuk ndalon te fjala, për faktin se pasi lexon një poezi të mirë duhet të ndjesh më së pari frymëmarrjen tënde, pastaj se si e gjithë qenia jote kërkon ta imagjinojë. Nëse imagjinata ka një shtysë të fortë, ajo më së shumti është shkaktuar nga poezia. Asgjë nuk ka të bëjë me metrikën, rimën, apo stilin e lirë. Thjesht poezia troket përmes fjalës nëpër gjoks, nëpër damarë dhe zgjon gjakun të vlojë.
Poeti dhe teoricieni francez, Fransua Malerb, duke folur për raportin ndërmjet poezisë dhe prozës thoshte se “Poezia i ngjan valles, kurse proza – të ecurit”. Ndërsa shkrimtari, nobelisti indian Rabindranat Tagora, kur fliste për veprën e tij lirike “Gitanjali”, të përbërë nga 10ç proza poetike, thoshte se “poezia dhe proza janë motra e jo re e vjehërr”.

Poezia ngjan se shkruhet për të treguar se fuqia e fjalës është jo thjesht në atë që thuhet, por për atë që duhet të kuptojmë, të imagjinojmë, të besojmë. Nëse për letërsinë duhet të besojmë se “leximi jemi ne”, atëherë kjo fjali merr fuqinë më të madhe kur vjen puna të poezia. Nëse nuk ke marrëdhënie të mirë me veten, me imagjinatën tënde- nëse nuk ke biseduar kurrë me veten- vështirë të gjejë rrugë brenda teje poezia.
Ndërsa proza duket “një poezi që fiton kohë”. Pra, proza ka rrjedhur nga poemat, ka kaluar nga vargjet në prozë, duke kaluar nga ” e nëndheshmja” ku rri shpesh poezia, e duke kaluar në sipërfaqe, herë si lumë, si pyll apo dhe në daçi, shkretëtirë. Por duket sikur këtë kalim e ka bërë duke fituar kohë, duke marrë lexuesin përdore herë pas here duke e futur në labirinthe që poezia nuk futet, por duket se të “urdhëron” t’i gjesh vetë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



