Arsim

Provimi i gjuhës së huaj, maturantët janë optimistë: Kemi bërë kurse për shumë vite

3 mijë maturantë po zhvillojnë sot provimin e parë të Maturës Shtetërore, atë të gjuhës së huaj. Provimi nisi në orën 10:00 dhe përfundon në orën 12:30.


Maturantët ishin udhëzuar që të paraqiten në ambientet e shkollave 90 minuta, përpara nisjes së provimit të gjuhës së huaj për t’u bërë të gjitha kontrollet e nevojshme për heqjen e sendeve të ndaluara, e më pas ulja e tyre sipas planit të hartuar.


Lulea një nga nxënëset që priste për të nisur provimin i tha Gazetasi.al se gjuha e huaj është e rëndësishme për të.
“Edhe universitetin dua ta vazhdoj për gjuhë të huaja, anglisht-frëngjisht dhe provimi i sotëm më shton pikët", thotë ajo.


Nga të dhënat e Ministrisë së Arsimit rezulton se, 2 mijë janë nxënës kanë ngelur në provime vitin e kaluar.

Në vëzhgimin e Gazetasi.al u konstatua se në disa shkolla kryesore në kryeqytet ishin instaluar bllokues valësh për telefonat.

Erkimedi një tjetër maturant i tregoi Gazetasi.al se shpreson që t’i dal koha të përfundojë provimin.
“Jam i shqetësuar për kohën sepse të shkruash në gjuhë të huaj nuk është njëlloj si në shqip. Pavarësisht se gjithë kohës kemi qenë nëpër kurse”, shpjegoi ai.


Nxënësit kishin në dispozicion për të plotësuar pyetjet 2 orë e 30 minuta.


Sipas maturantëve me të cilët foli Gazetasi.al, ndihma e tyre më e madhe ka qenë nga kurset.

Një në dy maturantë, kishin një kohë të gjatë në kurse private për gjuhë të huaj, minimalisht 2 vite.
Në test janë ndërtuar 60 pyetje. Për të marrë notë kaluese një nxënës, duhet të marrë minimumi 25 % të pikëve, pra mbi 15 pikë.


Siç ka qenë edhe vitet e tjera niveli i vështirësisë ishte i ndarë në tre kategori. 40 % të pikëve të testit do të jenë nivel i parë, 40% niveli i dytë dhe 20 %, që do të bëjnë diferencën e maturantëve më të mirë të cilët duan të arrijnë rezultate maksimale.

Raimonda një nënë e cila shoqëronte vajzën e saj për provimin e maturës tregoi se ka pritshmëri që të kontrollohen siç duhet provimet.
“Unë vajzën e kam ekselente. Shpresoj që të jepet nota e merituar dhe mos të barazohet me nxënësit që mësojnë më pak se ajo, siç ka ndodhur në shumë raste”, tha ajo.


Më tej Raimonda shtoi se, nuk ka frikën e provimit apo të vajzës sepse e ka ndjekur me kurse që prej klasës së tetë.
Në klasa ishin 15-20 nxënës. Mjediset ishin në dispozicion për 150 nxënës dhe distanca mes nxënësve ishte 120 centimetra.
Ndër rregullat e provimit do të jetë edhe përjashtimi, nëse nxënësi ka dëmtuar kodin identifikues, apo ka përdorur lapsa me ngjyra.


Lidhur me stafin akademik ishin angazhuar 7 mijë mësues administrues në të gjithë Shqipërinë. U përcaktuan 167 qendra testimi, ku 31 ishin vetëm në kryeqytet.

Provimet e maturës do vijojnë me Gjuhën shqipe dhe Letërsinë me 11 qershor, matematikën me 17 qershor dhe 24 qershor lëndën me zgjedhje, ku më të preferuarat janë qytetaria dhe psikologjia. Kjo nënkupton që nxënësit janë prirur më tepër drejt lëndëve shoqërore. Përgjigja e provimeve ka afat deri me 30 qershor për të dalë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë