Arsim

Protokolli në universitete: Mësim online kur një pedagog/student del pozitiv

Universiteti i Tiranës ka zbardhur rregulloren për vijimin e mësimit në universitete gjatë kësaj periudhe që jemi të përfshirë nga Covid-19, por dhe gjatë gjithë periudhës që do të zgjasë kjo pandemi.

Universiteti do të hapë dyert më 2 nëntor dhe një ndër rregullat kryesore është mbajtja e maskës mbrojtëse si dhe mbajtja e distancës 1.5 – 2 m.

Rregullorja parashikon që kur një student ose pedagog del me COVID-19, grupi do të vijojë me mësim online për 14 ditë.

Universitetet do të kenë vetëm një hyrje dhe një dalje.

Sipas rregullores së UT-së, në hyrje të universiteteve do të afishohen masat e parashikuara në këtë rregullore si dhe postera për masat e higjienës dhe mbrojtjen nga virusi.

Takimet, mbledhjet dhe aktivitetet në mjediset e Universitetit të Tiranës do të zhvillohen vetëm duke respektuar masat mbrojtëse të përcaktuara.

Studentët me shenja të sëmundjes dhe personeli akademik, ndihmësakademik dhe administrativ këshillohen të qëndrojnë në shtëpi.

Kur mësimi zhvillohet në auditor, në rastet kur një person (student, personel akademik, personel ndihmësadministrativ/administrativ) rezulton i prekur me infeksion Covid-19, personat që kanë qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me të në institucion (kanë ndenjur pranë tij, kanë shkëmbyer materiale), do të vetëkarantinohen.

Lëvizja e studentëve në auditorë, laboratorë dhe nëpër korridore, duhet të jetë e përcaktuar në mënyrë që çdo zonë të ketë numrin më të vogël të studentëve si dhe nuk lejohen qëndrimet në korridore.

Studentët, personeli akademik dhe administrativ duhet të dezinfektojnë duart gjatë hyrjes/daljes në/nga auditori, laboratori, zyra, tualete duke përdorur dezinfektantët në katin përkatës.

Sipas rregullores së UT-së, dezinfektimi i çdo auditori dhe zyre do të kryhet çdo ditë.

Ndërkohë, në rastet kur nuk është e mundur sipërfaqja e mjaftueshme për distancim fizik për personelin administrativ për të zhvilluar veprimtarinë e tij, lejohet puna në distancë. Njësia kryesore do të përcaktojë në mënyrë të detajuar grafikun e punonjësve që do të punojnë në ambientet e institucionit dhe ata që do të punojnë nga shtëpia.

Ndërsa, mbledhjet në institucion mund të organizohen duke përdorur platformat e komunikimit online dhe specifikisht me Microsoft teams.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë