Ngjarje

Protestë për koshin e plehërave. Banorët telefonojnë policinë: Bashkia po dëmton trotuarin

Një përplasje e pazakontë ndodhi në kryeqytet mes banorëve dhe punonjësve të Bashkisë që shkuan në rrugën “Zihni Sako” për të vendosur një kosh plehërash. Për këtë veprim raportohet nga burime policore të Gazetës “Si” së paku 50 banorë u grumbulluan dhe pasi protestuan dhe më pas u gjendën nën urdhërat e Policisë Bashkiake, formuan numrin dhe kërkuan ndërhyrjen e Policisë së Shtetit. Kjo ngjarje u rregjistrua nga oficeri i gatshëm S.F., që pas sherrit dëgjoi të dyja palët, ku secila pretendon se po ushtronte të drejtat. Sipas burimeve të Gazetës “Si”, kreu i drejtorisë përkatëse në Bashkinë e Tiranës pretendon në polici se u ndalua për të ushtruar detyrën nga një grup banorësh që nuk lejuan ekipin nën varësi për të vendosur një kazan plehërash në lagjen e tyre. Për incidentin e ndodhur në rrugën “Zihni Sako”, realisht janë regjistruar dy denoncime, njëri nga zyrtari i Bashkisë, 34-vjeçari I.B. si edhe nga banorët që kundërshtojnë vendosjen e kazanit ngjitur me pallatin. Si argument ata përdorin mosinformimin por gjithashtu edhe mos argumentimin se për çfarë shkaqesh koshi i mbeturinave duhej zhvendosur nga vendi ku gjendej gati 20 metra më larg ngjitur me murin e pallatit të tyre. Përplasja – sipas dëshmive që palët dhanë në polici – nisi pas një urdhëri të firmosur nga drejtori i përgjithshëm i Punëve Publike, për të kryer punime përballë kopshtit Nr. 20 në kryeqytet. Vartësi i tij, shefi i sektorit I.B. kujton para oficerëve të policisë se ekipi me gjashtë punëtorë shkoi në zbatim të urdhërit për vendosjen e vendgrumbullimit të mbeturinave. Meqë ishte planifikuar që aty të vendosej një kazan dhe për ta realizuar këtë projekt duhej thyer trotuari, punonjësit e Bashkisë kanë nisur me punimet. Zyrtari i thotë policisë se menjëherë aty ishin grumbulluar banorët e pallatit për t’i ndaluar dhe në këto rrethana punonjësit njoftuan Policinë Bashkiake. Por edhe përpara policëve bashkiakë – sipas burimeve të Gazetës “Si” nga mbledhja e dëshmive – banorët e vijuan protestën kundër kazanit dhe në mbrojtje të trotuarit. Kur asnjëra nga palët nuk po lëshonte pe, banorët kanë kërkuar mbrojtje nga Policia e Shtetit. Por zyrtari i Bashkisë këmbëngul gjithashtu se Policinë e Shtetit e kërkuan edhe punonjësit e Bashkisë.
“Në këto kushte njoftuam Policinë e Shtetit që mbasi mbërriti, i tregova dokumentacionin. Kur banorët refuzuan edhe me praninë e policisë, policët e Shtetit na këshilluan që të gjitha palët të paraqiteshin në komisariat”, shprehet zyrtari i Bashkisë. Kallëzuesi sqaron veprimet e qytetarëve duke theksuar se “ata nuk na ofenduan, nuk na goditën, nuk na prekën, por vetëm na penguan për kazanin”.
Njëkohësisht me këtë dëshmi, janë administruar edhe shkresat dhe urdhërat për dëmtimin e trotuarit si dhe vendosjen e kazanit të mbeturinave. Mes banorëve që përfunduan në komisariat bëhet me dije se u administrua edhe denoncimi i njërit prej banorëve. Shtetasi E.B. është prezantuar para policisë si një emigrant që jetonte në Gjermani dhe që u kthye në vendlindje para katër muajsh për shkak të pandemisë nga Covid-19. “Jetojmë në katin e parë të pallatit dhe aty erdhën disa persona që dëmtuan trotuarin ngjitur me dritaren e shtëpisë sime”, rrëfen i riu. Denoncuesi shton se menjëherë për shkak të zhurmave kishin dalë së paku 50 banorë të pallatit që kërkuan informacion dhe u është bërë me dije se po vendosej një kosh. “Kazani do vendosej ngjitur me dritaren dhe ngjitur me murin e pallatit do vendoseshin dhe dy kazanë të tjerë. Ne nuk lejuam asnjë veprim, madje menjëherë njoftuam Policinë e Shtetit”, thotë banori.
Banorët e tjerë rrëfejnë në polici se për këtë veprim bashkia nuk i vendosi në dijeni dhe as i informoi paraprakisht, aq me tepër që koshat ekzistues rezultojnë ta kenë vendin 20 metra larg këtij pallati. Policia – sipas burimeve të Gazetës “Si” ka mbajtur shënim të dyja pretendimet, nga njëra anë punonjësit e Bashkisë që këmbëngulin se ishin me urdhër dhe u frenuan të zbatojnë detyrën dhe nga ana tjetër banorët që theksojnë se iu shkelën të drejtat e të jetuarit në komunitet dhe gjithashtu u dëmtua prona e përbashkët trotuari. Ndërkohë që pas qetësimit të situatës, sipas burimeve, ende nuk ështe e qartë se për çfarë vepre do të referohet dosja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë