Ka ndodhur

Protestë me himnin kombëtar, bizneset në Vlorë mbyllin aktivitetin kundër orës policore. Nën hetim 3 pronarë

Një natë pas protestës simbolike me himnin kombëtar në sfond, pronarët e bizneseve në Lungomare të Vlorës kanë ndërmarrë një tjetër hap. Paraditen e të hënës, ata kanë  kyçur bizneset, duke kërkuar shtyrjen e orës policore dhe lejimin e muzikës pas orës 22:00 të mbrëmjes.

Mbrëmjen e të dielës, tre pronarë lokalesh janë shoqëruar nga policia e Vlorës, pasi vendosën himnin kombëtar pas orarit të përcaktuar në shenjë proteste.

Menjëherë pas shoqërimit të tyre, mes të cilëve edhe një grua, shumë prej tyre dolën në protestë deri pas mesnate, duke kërkuar lirimin e tyre para Komisariatit të Vlorës. Policia thotë se një nga pronarët është gjobitur me 1.000.000 lekë, si dhe është vënë nën hetim nga policia.

Nën hetim janë vënë edhe dy persona të tjerë të cilët kundërshtuan mbylljen e muzikës duke refuzuar t’i binden urdhrit të policisë.

Lokalet e Vlorës kanë protestuar me një formë të veçantë kundër mbylljes së muzikës në orën 22:00, sipas rregullave të vendosura nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.

Bizneset kanë vendosur Himnin e Flamurit njëherazi me volum shumë të lartë në orën 21:45, vetëm 15 minuta para mbylljes së muzikës.

Me anë të kësaj proteste ata kërkojnë zgjatjen e orarit policor, për shkak se po hasin shumë vështirësi nga pandemia. Pronarët, pasi kanë dhënë sqarimet e nevojshme, janë lënë sërish të lirë pas mesnate.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë