Lajme

Protestat plasin në disa qytete, Rama: Jo politikë!

Në një kohë që kryeqyteti “zien” nga protestat, mbrëmjen e sotme disa tubime të tjera kanë shpërthyer në Shkodër, Kavajë dhe Lezhë të organizuara nga Partia Demokratike.

Në superstradën Lezhë-Shkodër fermerët kanë bllokuar rrugën me thirrje kundër qeverisë, që sipas tyre i ka varfëruar dhe shprehen të vendosur të vazhdojnë protestat deri në largimin e kryeministrit Rama.

Të njëjtën “fytyrë” ka edhe protesta në kryeqendrën e Veriut, ku qytetarët shkodranë kanë bllokuar aksin hyrës të qytetit. Në Shkodër e Kavajë qytetarët po protestojnë kundër çmimit të lartë të karburantit.

“Poshtë qeveria, poshtë kriminelët. Rama ik”, brohorasin qytetarët në Shkodër.
Në Kavajë protestuesit kanë bllokuar autostradën Durrës-Rrogozhinë. Ata kanë ndaluar automjetet e tyre në autostradë, ndërsa shprehen se janë në mbështetje të studenteve dhe po ashtu protestojnë për çmimin e naftës, ushqimet e shtrenjta dhe problematika të tjera.

Pas këtyre tubimemeve, kryeministri Edi Rama është përgjigjur menjëherë duke i ironizuar me to në rrjetet sociale.

“Interesant! Punonjësit e Bashkisë Lezhë protestojnë si fermerë, të Bashkisë Shkodër si shoferë dhe të Bashkisë Kavajë si francezë. Studentët s’duhet të dialogojnë, po duhen mbajtur peng me çdo kusht që të përdoren si qendër graviteti e revolucionit të Lulit & Monikës. Jo politikë?”, shkruan Rama në Twitter, duke kujtuar se edhe studentët mund të përdoren politikisht nga opozita.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë