Lajme

Protestat nuk i trembin aq shumë turistët e huaj

Sabina Veizaj - Toyy është një turist amerikan që prej kohësh kishte kërshëri të vizitonte Ballkanin. Këtë fillim vere ai kishte planifikuar dhe prenotuar një udhëtim për në Shqipëri, Mal të Zi dhe Bosnje e Herzegovinë.

Lajmet nga Shqipëria nuk ishin të mira, teksa ai lexonte dhe shikonte pamje nga vendngjarja ku turmat e njerëzve që ndiqnin protestën e opozitës tregonin sjellje të dhunshme ndaj institucionit të kreyministrisë. Gjithë kjo e kishte frikësuar.

Shtoji pamjeve e shkrimeve të platformave të ndryshme ndërkombëtare on line, edhe njoftimet e Amabasadës Amerikane që u tërhiqte vëmendje shtetasve të saj për kujdes në Tiranë.
Por Toyy nuk mund ti shtynte pushimet, sepse e kishte planifikuar tashmë lejen nga puna dhe kjo ishte e pakthyeshme.

Ai kontaktoi në whatsapp me Marjen Ramën e Explorer Travel & Tours për të kuptuar realisht situatën dhe pas bisedës me të vendosi të vinte në fillim të qershorit për të udhëtuar 10 ditë nëpër Shqipëri e mandej të vijonte turin e vet në Mal të Zi e Bosnje Herzegovinë.
Toyy udhëton vetëm dhe pëlqen turizmin e kulturës dhe atë të aventurës.

Ajo çfarë atij i pëlqeu kur mbërriti në Shqipëri pasi tejkaloi frikën ishte mikpritja.
Dhe për herë të parë u përballë me të në Korçë. Qyteti verilindor ishte i pari në të cilin amerikani Toyy shkelin për herë të parë në Shqipëri.

Më pas ai vizitoi Beratin, Elbasanin e Tiranën. Kryeqytetin Toyy e e pëlqyeu veçanërisht shumë pavarësisht trazirave politike, që ai e kuptoi që nuk kishin lidhje me pjesën tjetër të qytetit dhe vendit sepse jeta vazhdonte normalisht.

Por këtë qasja kanë edhe turistët e tjerë që vijnë nga vende të ndryshme të botës dhe Europës. Në këto ditë të nxehta, në rrugët e Tiranës vëren lehtësisht në Zonën e ish-Bllokut, në qendër pranë institucioneve, tek Bunk‘Art grupe turistësh të cilët janë të interesuar të mësojnë për vendin duke dëgjuar guidën.

Marjen Rama i Explorer Travel & Tours thotë për Gazetën “Si” se frika ndjehet tek turistët e huaj si fillim për të ardhur në Shqipëri, por pasi vijnë në Tiranë e kuptojnë që çdo gjë është normale, përpos politikës që atyre nuk u intereson.

“Gjendja ka ndikuar disi, më së shumti tek kategoria që kanë prenotuar paketa pushimesh për në plazh. Ndërsa për turet kulturore, të aventurës, ka anullime por jo shumë”- thotë Rama.
Kurse Migen Xhelo i Travel Club Albania në Vlorë tregon për “Si” se situata politike dhe protestat kane ndikuar në shumicën e rasteve ku anullimet e rezervimeve kanë qenë të shpeshta .

“Janë ndikuar dhe ka pasur anullime të konsiderueshme. Këto janë konfirmime dhe nga kolegë të tjerë që bëjnë guida dhe kanë hotele apo njësit akomoduese. Nëse do t’ju tregoja emailet në adresen time , pyetjet më të shpeshta janë : Çfare po ndodh në Shqipëri? A është e sigurt të vimë ?”- thotë Xhelo duke vijuar “Përsa i përket krahasimit me një vit më parë, nuk kam një numër që ta di saktë, por duke parë hotelet , plazhet dhe kërkesat për ture ditore, janë shumë më të pakta duke patur parasysh që vjet filluan kërkesat që në maj”
Pyetjes nëse situata politike në Shqipëri e ka ndryshuar ofertën turistike në drejtim të çmimit, të dy përfaqësuesit e agjencive turistike përgjigjen “jo”. Çmimet si për brenda vendit, ashtu edhe jashtë vendit qëndrojnë në të njëjtat nivele me një vit më parë.

Por ajo që ata vërejnë është se shqiptarët masivisht orientohen për të kërkuar paketa për të pushuar jashtë vendit dhe ky është një trend prej vitesh e nuk ka lidhje me situatën në vend, por me çmimet e kripura që ofron kryesisht jugu i vendit.

“Shqiptarët vazhdojnë të jenë më të interesuar për pushimet jashtë vendit, nisur nga kushtet por dhe çmimet më të leverdisshme krahasuar me ato që ofrojnë njësitë akomoduese në Shqipëri. Çmimet e paketave për të huajt në Shqipëri nuk kanë ndryshuar, ndërsa ato për jashtë vendit janë rritur, si për Turqi, Greqi, Kroaci që mbeten destinacionet kryesore”, tregon Rama për Gazetën “Si”.

Kurse Migen Xhelo thotë se “Nga një sondazh që kemi bërë në rrjetet tona sociale, shumica e shqiptarëve preferonin të bënin pushime jashtë vendit, ndërsa shqipetarët e Kosovës mbeten të pa lëkundur për të pushuar në Shqipëri”.

Sipas tij çmimet për paketat në Shqipëri janë shumë të shtrenjta krahasuar me paketat për jashtë. Në Antalya, thotë Xhelo, për një person udhëtim me charter paketë all inclusive kushton 400€. Kurse në Dhërmi dhoma me mëngjes është 60€ për person ose 120€ çift . Pa llogaritur drekën, darkë për një javë dhe daljet darkave për të pirë.

Një fenomen tjetër që vëren Marjeni në këtë sezon vere pushimesh, situata politike ka ndikuar edhe tek shtyrja e pushimeve në radhët e administratës.

“Administrata ka një pauz të marrjes së pushimeve. I kanë shtyrë për në korrik dhe gusht për shkak të zgjedhjeve. Kam sapo një rast konkret që i kishte prenotuar për në 20 qershor dhe i ka shtyrë për në 6 korrik”- thotë Marjen Rama.

Të dhënat për hyrjet e shtetasve në Shqipëri

Ndikimet e krizës politike dhe nisja e portestave të opozitës në muajin shkurt i dhënë efektet e në turizëm për atë muaj.

Të dhënat e INSTAT për “Lëvizjet e shtetasve në Shqipëri” treguan se shtetasit që kanë hyrë në vend për turizëm kanë qenë 3,5 % më pak në dy muajt e parë të vitit krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në vendin tonë në dymujorin e parë 2019 është 411.117, duke u ulur me 2,8 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2018.
Por situata ka ndryhsuar në muajin prill. Në Prill 2019, hyrjet e shtetasve të huaj në vend janë 410.060. Krahasuar me Prill 2018, ky numër është rritur me 16,6 %.

Numri i shtetasve të huaj të hyrë në vendin tonë në katërmujorin e parë 2019 është 1.105.087, duke u rritur me 7,4 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2018. Në Prill 2019, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Spanja ka pasur rritjen më të madhe me 124,2 %, ndërsa uljen më të ndjeshme e ka pasur Mali i Zi me 3,2 %.

Në katërmujorin e parë 2019, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Zvicra ka pasur rritjen më të madhe me 29,5 %, ndërsa uljen më të ndjeshme e ka pasur Kosova me 6,4 %.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë