Maxhoranca mblodhi parlamentin në seancën plenare të radhës, duke mos e zhvilluar atë si zakonisht të enjteve. Nga ana tjetër, opozita e bashkuar u kundërpërgjigj menjëherë me protestën, ashtu siç në fakt ka ndodhur edhe herë të tjera që prej muajit shkurt.
Protesta e sotme nisi me përplasje teksa dhjetëra prej protestuesve gjatë grumbullimit para Kuvendit u konfrontuan me forcat policore te Pedonalja.
Forcat e policisë kishin bllokuar hyrjen për këmbësorët te Pedonalja, duke lejuar vetëm kalimin e automjeteve të deputetëve dhe ministrave që i drejtohen Kuvendit për seancë.

Po ashtu, forca të policisë së rendit, Shqiponja dhe disa efektivë të RENEA-s ishin në gatishmëri edhe pranë disa institucioneve të tjera kyçe, duke i paraprirë ndonjë lëvizjeje të mundshme të opozitës.
Në krye të grumbullimit të protestuesve qëndronte ish-deputeti i PD-së, Klevis Balliu. Ai u pa herë pas here në tentativa të vazhdueshme për të mos respektuar perimetrin e sigurisë. Kështu ata kishin rrethuar Ministrinë e Brendshme për të mos lejuar që protestuesit, ashtu si edhe një javë më parë ta pushtonin.
Pas disa përplasjeve të vazhdueshme me forcat e policisë, protestuesit janë larguar drejt bulevardit më tej në rrugën e Unazës për t’ju bashkuar në finale protestuesve para Parlamentit.
Në mëngjes, në rrugët e Tiranës u vunë re në shtylla disa fletushka që kërkonin rikthimin e Sali Berishës.
“O Sali o hero, gjithë Shqipëria ty të do. Kthehu legjendë”, shkruhet në disa prej tyre.

Në protestën e kësaj të mërkure mungoi kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili është për një vizitë në Berlin ku do të takohet me zyrtarë të CDU-së dhe Partive Popullore Europiane. Mungesa e Bashës duket se ka ndikuar që edhe ish-kryeministri Sali Berisha të mos hiqte prezent në protestën e sotme. Pak më vonë protestës i është bashkuar edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadh, që ishte kthyer nga Roma.
Të rinjtë e Forumit Rinor Demokrat të Partisë Demokratike kanë përcjellë me një mënyrë ndryshe mesazhet e tyre.
Ndryshe nga protestat e tjera, ra në sy se këtë radhë nuk kishte më vuvuzela dhe mesazhet politike në pankarta i kanë shmangur, duke pasur masivisht një pankartë të njëjtë ku shkruhet vetëm: “IK”.
Por ajo që ishte më pikante, sot iu “bashkua” protestës edhe vetë ai që prej javësh ka nxjerrë në rrugë mbështetësit e PD-së dhe LSI-së. Edi Rama “ishte” në mesin e protestuesve të opozitës. Në fakt ishte një nga protestuesit që mbante maskën me fytyrën e kryeministrit.

Ndërkohë, turma herë pas here ka tentuar të çajë kordonin e policisë dhe mes tyre ka nisur një konflikt. Protesta është shoqëruar edhe me tensione. Protestuesit kanë goditur një person të mbuluar me kapuç, i cili po filmonte në turmën e protestuese. Ata tentuan ta godisnin dhe i morën nga duar një tablet, duke e akuzuar si të infiltruar të policisë. Kjo shmangu disi vëmendjen nga protesta, pasi turma vijoi ta ndiqte atë në drejtim zonës së njohur si rruga e “Elbasanit”.

Kryetari i FRPD-së, Belind Këlliçi ftoi qytetarët t’i drejtohen Kryeministrisë për të vendosur piramidën që personifikonte Qeverinë e Ramës, të kapur nga krimi dhe korrupsioni.
“Monumenti” simbol e demokratëve iu drejtua sheshit të Kryeministrisë, ku ndryshe nga herët e tjera protestuesit u instaluan jo përpara godinës së selisë së qeverisë, por në krah, në sheshin përpara Piramidës.
Protestuesit kanë mbërritur te Piramida, ku kanë vendosur një instalacion para saj dhe më pas i kanë vënë flakën. Bëhet fjalë për një objekt në formën e piramidës që simbolizon për ta piramidën e krimit.
Në majë të saj ata kanë vendosur emrin e kryeministrit Edi Rama dhe më pas e kanë djegur. Piramida është vendosur fillimisht te Parlamenti, por më pas kur nisën marshimin protestuesit e vendosën para Piramidës ku dhe kryen veprimin final me djegien e saj.

Edhe në sheshin e Piramidës, protestuesit kanë sulmuar dy prej njerëzve në turmë, pasi nisën të kontestonin veprimet apo aktet që po kryenin përfaqësuesit e opozitës. Kështu ata sulmuan një burrë e më pas një grua, e cila po i kërkonte që të ndalin goditjet ndaj atij personit pasi ishte një person i sëmurë.
Kryemadhi kundër ambasadorëve
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka dalë kundër deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili theksoi se opozita ishte kundër reformës në drejtësi. Duke folur nga protesta përpara Kryeministrisë, Kryemadhi u shpreh se konsensusi i vetëm me mazhorancës janë zgjedhjet e parakohshme.
“Nuk ka më asgjë tjetër. E rëndësishme është që shqiptarët të kenë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Edi Rama është regjisori, skenaristi dhe aktori kryesor i të gjithë procesit makabër të zgjedhjeve të 2017. Këtë nuk e kemi vërtetuar ne. Këtë e ka vërtetuar prokuroria shqiptare. Këtë e kanë vërtetuar mediat e huaja, dosja 339, dosja 184 që ka gjëra akoma edhe më të rënda. Ajo që e vret më shumë Edi Ramën dhe e largon nga e vërteta, por rri dhe merret me barcaleta, është sepse në ato përgjimet e dosjes 184 Edi Rama ka treguar dhe ka demaskuar skemën e votave në këmbim të parcelave të hashashit”, theksoi Kryemadhi.

Gjithashtu ajo kishte edhe një mesazh për ambasadorët, duke i bërë të qartë se duhet të jenë shqiptarët që të jenë zot të fateve të tyre. “Në shtëpinë time nuk vjen dot të bëhet zot komshiu. Tani dhe deklarata mbi demokracinë kemi dëgjuar pafundësisht. Por kanë zbatuar të kundërtën e asaj që kanë deklaruar. Nëse të gjithë këta ambasadorë që janë këtu dhe flasin për demokracinë do iu japin bukën e përditshme shqiptarëve… të gjithë këta njerëz presin nga politika e vendit të tyre Ambasadorët ikin dhe vijnë. Rrinë dy vjet, kthehen si mbretër në vendet e tyre dhe pastaj kthehen në normalitet, por ajo që dua të them është që në fund të ditës shqiptari duhet ta konsiderojë Shqipërinë shtëpinë e vet, sepse në fund të fundit Shqipëria është shtëpia jonë. Nuk është Europa, sepse kemi qenë në emigracion dhe e kemi parë, asnjë nuk ka marrë atë që ka ëndërruar. Kemi qenë shërbëtorë në vendet e tyre dhe nuk jemi kundër kësaj, por ajo që dua të them është se është shumë e rëndësishme që ne të ndërtojmë vendin ton”, deklaroi kryetarja e LSI.
Paloka paralajmëron: Në sheshe deri në rrëzimin e Ramës
Protesta e opozitës zgjati për tre orë. Dhe siç është bërë traditë tashmë, turma është zhvendosur para selisë së Partisë Demokratike, ku u bë edhe mbyllja e protestës nga nënkryetari i PD-së, Edi Paloka. Në fjalën e tij, ai tha se nuk do të ndalen derisa kjo qeveri të shporret. Numri dy i PD-së paralajmëroi një skenar tjetër të protestës atë të daljes në sheshe, deri në largimin e Edi Ramës nga posti i kryeministrit.

“Sigurisht, ne që jetojmë këtu e dimë shumë mirë cili është Edi Rama, e dimë se cila është qeveria e tij, prandaj ne ndaj jemi në shesh, prandaj jemi në protestë derisa ai të shporret. Të jeni të bindur se dita kur ai kryeministër që nuk përfaqëson asnjë shqiptarë të ndershëm, të largohet, është e afërt. Shumë shpejt do ta shohim atë trimin, atë cinikun, që ngre administratën si cirk shitës nga Librazhdi në Vlorë për t’u tallur me hallet e shqiptarëve. Shumë shpejt do ta shihni se si do t’ia marri vrapit e nuk e di se ku do të ndalet nga urrejtja e shqiptarëve”, theksoi Paloka.
Protesta, e cila ishte shtata, e radhës së opozitës kishte numër të ulët pjesëmarrësish, kjo u pranua dhe nga vetë Paloka. Ndërsa nuk ka ende ndonjë skenar konkret në lidhje me protestën e radhës, e cila do të mbahet më 13 Prill përpara Kryeministrisë. Opozita ka vendosur që të zhvillojë atë pasdite dhe jo paradite si zakonisht. Dalja në shesh mund të sjellë një skenar i një proteste me orare më të zgjatur se herët e tjera nga opozitarët.
Nënkryetari PD-së, Edi Paloka i pyetur nga Gazeta “Si” nëse do të ketë një formë të re protesta e ardhshme e opozitës, deklaroi se “nuk ka ndryshuar asgjë dhe se protesta do të ketë kudo dhe se shprehja “në sheshe” kishte kuptimin e “sheshit të protestave”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)























