Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko thotë se protestat e studentëve në Shqipëri ishin shqetësuese sepse ishin një reagim ndaj sistemit politik që është ndërtuar që nga vitet ’90 dhe pasqyronte opinionin publik ndaj politikës shqiptare. Ministri i Diasporës, që ndodhej në Uashington për Mëngjesin e Lutjeve, tha se samiti për diasporën do të jetë një forum për përfaqësuesit e saj, duke pranuar se shumë nga arsyet për largimin e tyre kanë lidhje me politikën në Shqipëri.
“Mendoj se të gjithë kemi qënë nën reflektimin se çfarë duhet të bëjmë pasi lëvizja studentore ishte një lëvizje që realisht na shqetësoi të gjithëve. Unë, të them të drejtën, për herë të parë jam ndjerë i pasigurtë për atë që po ndodhte. Sepse nga një anë ndjeja që po takoja vetëveten, ata ishin studentë që po ngriheshin karshi, ta themi troç fjalës, një sistemi politik që ishte ndërtuar pas viteve 90-të, dhe që një pjesë e tyre mendojnë se është i kalbur, ashtu siç mendoja unë bashkë me shokët e mi në vitet 90-të,- tha Majko për Zërin e Amerikës. – Po ta vinit re, problemi më i madh aty nuk ishte se ata kundërshtonin qeverinë, madje ata nuk kërkonin as dorëheqje të qeverisë apo të ministrave të veçantë të qeverisë. Shqetësimi im më i madh ishte se ata nuk shikonin veten të përfaqësuar tek opozita. Dhe kjo sjell një problem të madh të opinionin publik me politikën shqiptare”.
Ministri i Diasporës shton se është i shqetësuar që sistemi politik në vend, nuk po përfaqëson opinionin publik. “Një sistem politik që nuk përfaqëson opinionin publik të një vendi, atëherë duhet ta gjykojmë me arsyetimin, o ka filluar fundi ose sistemi politik po mbyll një cikël të vetin”.
Majko u pyet edhe etiketimin që i vendosi VOA-s pak kohë më parë, duke e quajtur “Kazan”, pas publikimit të disa bisedave të përgjuara mes kryebashkiakut të Durrësit Dako dhe grupit të Avdylajve.
“Rama reagon ashpër sa herë që kritikohet nga media, e ka gjetur emrin që përdor shpesh “kazan” dhe së fundmi edhe Zëri i Amerikës u bë pjesë e këti lloji reagimi të Kryeministrit Rama. A mendoni se qëndrime të tilla nga kryeministri janë të arsyeshme duke patur parasysh se në të gjitha demokracitë, media është një nga shtyllat më të fuqishme. Edi Rama përveç se është kryeministër, për aq sa e njoh unë, ka qënë edhe një nga penat e gazetarisë shqiptare. Kështu që shpesh ai e ka pak delikate të ndajë pozicionin e tij si kryeministër dhe pozicionin e tij si një njeri që është rritur midis gazetarëve më shumë sesa midis politikanëve, dhe ky është fakt”.
Sa i përket çështjes së bisedimeve Kosovë-Serbi dhe aludimeve për një shkëmbim të mundshëm territoresh, Majko ndryshe nga shefi i tij në Kryeministri, Edi Rama, u shpreh se vendimi i takon vetëm Prishtinës zyrtare.
“Lexova me kujdes një editorial të dy ambasadorëve të respektuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë dhe Beograd të cilët nënvizonin faktin e nevojës për një marrëveshje midis palëve dhe për heqjen dorë nga obstruksionizmi, që mu duk momenti i parë i rendësishëm, dhe i dyti për të realizuar një marrëveshje të pranuar dhe të zbatueshme, vijon ish-kryeministri. – Tek obstruksionizmi kam parasysh në radhë të parë mënyrën se si shteti serb sillet karshi shtetit të Kosovës, duke u përpjekur në mënyrën më maksimale ta bllokojë atë në çdo rol ndërkombëtar apo akt ndërkombëtar që shteti i Kosovës ndërmerr. Obstruksionizmi ka të bëjë edhe me mënyrën se si ka reaguar Kosova, por ne duhet të ndajmë kush është aksioni dhe kush është reaksioni. Pra duhet të ndajmë që tarifa e Kosovës ndaj mallrave të Serbisë, obstruksionizëm është, një gjë që në kushtet teorike është krejtësisht e pavend. Por ne nuk duhet ta shikojmë si një aksion, por duhet ta shikojmë si një reaksion”.
Majko thekson se pret një “marrëveshje, siç edhe dy ambasadorët e respektuar kishin nënvizuar, të zbatueshme. Për idenë e shkëmbimit të territoreve, idenë e korigjimit të kufijve, ide të çuditshme që kanë qarkulluar mbi dhe nën tavolinë, sinqerisht kam qënë i rezervuar. I rezervuar për një fakt shumë të thjeshtë: ky është një lloj autoriteti apo autorizimi që i takon elitës politike të Prishtinës”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




