Opozita po zhvillon sot protestën e radhës para parlamentit kundër qeverisë. Protesta e opozitës së bashkuar nisi në orën 9:30. Paralel me të po zhvillohet edhe seanca plenare. Protesta që në nisje është shoqëruar me tensione dhe hedhje shashkash mes policisë dhe banorëve të Unazës së Re.
Protestuesve u është bashkuar edhe lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Fillimisht protestuesit kanë bllokuar rrugën te Ministria e Brendshme.
Opozita e bashkuar ka paralajmëruar protesta sa herë të ketë seanca për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe një qeveri tranzitore që do të përgatisë vendin për zgjedhje të parakohshme.
Anëtarët dhe simpatizantët e Partisë Demokratike nga rrethet janë nisur drejt Tiranës që në orët e para të mëngjesit.
Ndërkohë në Kuvend u betuan dy deputetët e PD, Arben Elezi dhe Adriatik Alimadhi.
Mandatin e deputetes e pranoi edhe kandidatja e LSI në Shkodër, Ambra Barova, por ajo nuk ishte sot e pranishme në seancë.E ndërsa protesta është njoftuar nga opozita para parlamentit, masat i ka marrë edhe Kryeministria, duke qenë se opozita gjatë protestave ka bërë edhe lëvizje duke u zhvendosur para godinave të tjera. Hyrja e selisë së qeverisë është bllokuar me pllaka metalike.
Në protestat e mëparshme ka pasur edhe dhunë dhe policia është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës, e gjithashtu ka pasur protestues të arrestuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)












