Drejtuesit e opozitës ndodhen mes protestuesve para godinës së Kuvendit, ku fjalën e kanë marrë disa ish-deputetë, që në mesazhet e tyre ripërsërisin kërkesën për largimin e Edi Ramës.
Protesta ishte thirrur në orën 09:30 minuta. Rreth kësaj ore u shfaqën në rrugën “George W. Bush” protestuesit e parë, ku nuk munguan përplasjet.
Një grup prej tyre u përpoq që të çante kordonin e parë të policisë, që ishte vendosur nga forcat “Shqiponja”. Përplasjet vazhduan për disa minuta. Forcat e FNSH-së dhe autobotet me topat e ujit u afruan, por nuk ndërhynë.
Situata u qetësua disi kur protestës iu bashkua Lulzim Basha, rreth orës 10:30 minuta. Por, kapsollet dhe shashkat e tjera plasëse në drejtim të uniformave blu nuk munguan. Policia, ashtu si në protestat e tjera të opozitës përsëriti thirrjet me megafon drejtuar protestueve, duke u kujtuar që dhuna ndaj efektivëve të saj ndëshkohej ligjërisht.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



