Gazeta Si - Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona lidhur me protestën e organizuar nga opozita ditën e martë në mbrëmje, ku u bllokuan disa nga akset kryesore të kryeqytetit gjatë të ashtuquajturës "mosbindje civile".
Në një njoftim për mediat, policia thekson se ka proceduar penalisht në gjendje të lirë 80 persona, mes tyre 15 deputetë të opozitës: Flamur Noka, Gazment Bardhi, Oerd Bylykbashi, Luan Baçi, Bledion Nallbati, Lefter Gështenja, Saimir Korreshi, Asllan Dogjani, Albana Vokshi, Petrit Vasili, Petrit Doda, Isuf Çela, Andia Ulliri, Greta Bardeli, Lindita Metaliaj (deputetë) për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Organizimi dhe pjesmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Mosbindja ndaj urdhrave të punonjësit të rendit publik”, “Prishja e rendit dhe e qetësisë publike”.
Ndaj Nokës rëndon dhe akuza “Goditjet për shkak të detyrës”. Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë edhe Ervin Minarolli, me detyrë Sekretar për Organizimin dhe Burimet Njerëzore pranë Partisë Demokratike, për veprëm penale “Organizimi dhe pjesmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.
Përveç zyrtarëve të opozitës, janë proceduar penalisht edhe 64 protestues.
Ata akuzohen për "Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme", "pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit", "Goditjet për shkak të detyrës", "Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit", "Mosbindja ndaj urdhrave të punonjësit të rendit publik" dhe "Prishja e rendit dhe e qetësisë publike".
Gjithashtu janë arrestuar në flagrancë dhe dy protestues për "Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit", "Prishja e rendit dhe e qetësisë publike", "Mosbindja ndaj urdhrave të punonjësit të rendit publik" dhe "Dëmtime të tjera me dashje".
Për afro 3 orë, opozita protestoi mbrëmjen e djeshme duke bllokuar 5 akset kryesore në kryeqytet para Bashkisë së Tiranës, sheshin “Willson”, rrethrrotullimin e Zogut të Zi, Pallatin me Shigjeta dhe kryqëzimin e rrugës së Elbasanit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.