Kur na ndajnë edhe dy ditë nga protesta e opozitës në Tiranë, ndërkombëtarët kanë nisur të lëshojnë mesazhet e tyre për të shmangur dhunën. Apeli ka ardhur nga ambasadori i delegacionit të BE-së, Luigi Soreca, i cili nëpërmjet një prononcimi për Deutsche Welle ka kërkuar që tubimi i opozitës të jetë i qetë.
“Ky është një moment me rëndësi për Shqipërinë në kuptimin që e drejta e tubimit, e drejta e fjalës, janë një pjesë thelbësore e çdo shoqërie demokratike. Por është gjithashtu e vërtetë që këto të drejta duhet të ushtrohen në mënyrë paqësore. Prandaj, presim një manifestim paqësor, që të mos kthehet në dhunë. Kjo është një thirrje për të gjitha palët e përfshira. Është e rëndësishme që të gjithë të jenë konstruktivë. Shqipëria duhet të fokusohet te detyrat që ka përpara dhe të gjitha palët duhet të bashkëpunojnë. Nuk ka kohë për të humbur, është koha për të shprehur mendime dhe pastaj të mendojmë për të mirën e të gjithë shqiptarëve” tha ambasadori Soreca.
“Nga deklaratat më të fundit të organizatorëve, kuptohet që ata duan të sigurojnë që do të marrin të gjitha masat për të bërë të mundur që siguria e qytetarëve të përfshirë të jetë e garantuar. Ky është lajm i mirë dhe shpresoj që të gjitha palët e përfshira do ta respektojnë”, shtoi ai.
Thirrja e BE për të shmangur incidentet e dhunës në protestën e të shtunës vjen kur opozita kërkon largimin e kryeministrit Rama, rënien e qeverisë së tij, formimin e një qeverie kalimtare me akademikë, për të përgatitur zgjedhje të lira dhe të ndershme, që sipas opozitës qeveria Rama nuk mund t’i garantojë. Opozita akuzon qeverinë Rama se është e lidhur me krimin dhe ka fituar mandatin e saj të dytë, në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017, me vota të vjedhura në Dibër, Lezhë, Durrës dhe Kavajë, bazuar në përgjimet e publikuara telefonike të prokurorisë.
I pyetur për gjasat që palët të bëjnë ҫmos për të shmangur dhunën, ambasadori Soreca theksoi: “Mendoj që të gjithë e duan Shqipërinë dhe të ardhmen. Dhuna nuk do t’i lejojë ata që dëshirojnë të flasin që zëri i tyre të dëgjohet. Dhuna nuk ndihmon në përçimin e mesazhit. Ndaj thirrja ime është për ta: Flisni pa dhunë dhe mesazhi juaj do të dëgjohet.”
Policia e Shtetit ka informacione që në protestë do të marrin pjesë edhe individë që mund të kryejnë akte dhune. Në këtë kontekst vëmendja e BE dhe e faktorit ndërkombëtar në Shqipëri që protesta të jetë paqësore është maksimale.
Për të shmangur dhunën dhe destabilitetin e vendit, si pasojë e saj, policia është ngritur në këmbë. Albert Dervishaj, Drejtori i Rendit, në Policinë e Shtetit, u bëri një apel publik protestuesve që të ruajnë gjakftohtësinë gjatë zhvillimit të protestës. “Policia e Shtetit është duke u organizuar për mbarëvajtjen e tubimit duke bashkëpunuar me struktura brenda dhe jashtë vendit, me misionet policore të BE që janë në Shqipëri, me të cilat shkëmbejmë informacione. Ka indicie që individë të veçantë mund të tentojnë të kryejnë akte dhune. Thirrja ime si zyrtar i policisë është që secila palë të ruajë gjakftohtësinë. Policia do përpiqet të jetë garante e sigurisë. Nëse protesta përshkallëzohet do të veprohet në bazë të ligjit”.
Opozita ka kontestuar deklaratat e Policisë së Shtetit, duke e cilësuar si një skenar të kryeministrit Edi Rama për të prishur protestën e 16 shkurtit.
“Skenari për të përdorur policinë si vegël politike është kriminal. Partia Demokratike garanton çdo qytetar për sigurinë e tij në datën 16 Shkurt. Shqiptarët do t’i bashkohen protestës së opozitës, sepse e dinë mirë që kriminelët dhe bandat janë me Edi Ramën dhe jo mes protestuesve. Ne do të protestojmë si njerëz të lirë dhe me dinjitet. Paralajmërojmë Policinë Politike të Edi Ramës të rrijë larg protestuesve! Të mos pengojë lëvizjen e lirë të tyre! Përndryshe, secili prej shërbëtorëve të skenarit kriminal të Edi Ramës, do të mbajë përgjegjësi personale dhe ligjore! Në Shqipëri ka vetëm një skenar destabilizimi. Ai është skenari i Edi Ramës për të qeverisur bashkë me krimin e organizuar, i cili blen vota dhe mandate për të mbajtur në pushtet Edi Ramën. Koha për Edi Ramën është drejt skadimit!”, do të reagonte Gazment Bardhi, sekretari i Përgjithshëm i PD-së,
Opozita në Shqipëri ka paralajmëruar se të shtunën do të zhvillojë në Tiranë një protestë masive me sloganin ”Shqiptarët nuk janë të varfër, por janë të vjedhur”, me protestues nga i gjithë vendi. Sipas pohimeve publike pritshmëritë e opozitës nga rezultati i protestës janë largimi i kryeministrit Rama dhe formimi i një qeverie kalimtare që “do të sigurojë zgjedhje të lira dhe të ndershme”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




