Policia ka refuzuar kërkesën që PD i ka drejtuar këtij institucioni për të protestuar në datën 16 shkurt. Sipas korrespondencës së Partisë Demokratike, protesta do të zhvillohet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” tek sheshi para kryeministrisë, lulishtja tek piramida dhe te rruga “Ismail Qemali” në krah të kryeministrisë, rrugë në të cilën mjetet lëvizin nga RTSH drejt bulevardit.
Por kjo kërkesë është refuzuar nga policia për t’u mbajtur në këto vende. Në argumentet e policisë bëhet e ditur se hapësirat mes kryeministrisë dhe piramidës do të jetë territor ku do të dislokohen shërbimet e policisë dhe të Gradës së Republikës, të cilët do të përmbushin detyrat ligjore para, gjatë dhe pas protestës.
Dhe rruga “Ismail Qemali” do të jetë e lirë pasi do të shërbejë për përmbushjen e përgjegjësive dhe detyrave ligjore të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, urgjencave mjekësore, emergjencave dhe agjencive të tjera ligjzbatuese.
Por, sipas selisë blu, policia e Tiranës ka refuzuar lejen në koordinatat e kërkuara nga PD-ja me argumentin se hapësira ndërmjet Kryeministrisë, te rruga “Ismail Qemali” do të jetë territor ku do të dislokohen shërbimet e policisë dhe të Gradës së Republikës.
Për PD-në, argumenti i policisë është i pabazuar në ligj dhe i pashpjegueshëm, pasi policia sipas tyre nuk mund të caktojë vendet ku do të bëhet protesta.
Policia e Shtetit pak ditë më parë shprehu shqetësimin se në protestë mund të përfshihen individë me precedent penal që kanë për qëllim destabilizimin e vendit, ndërsa SHBA, BE-ja dhe përfaqësi të tjera diplomatike në Shqipëri i kanë bërë thirrje opozitës që të shmanget dhuna.
“Qëndrimi i Partisë Demokratike i është bërë i njohur zyrtarisht Policisë së Shtetit, duke i kujtuar se ka përgjegjësi ligjore për të siguruar mbarëvajtjen e protestës, në vendet e njoftuara nga Partia Demokratike. Policia e Shtetit po vepron nën urdhrat politik të Edi Ramës, i cili, i frikësuar nga bashkimi popullor, po ndjen vetminë e tij politike. Duke garantuar qytetarët për protestën e 16 Shkurtit, Partia Demokratike ka marrë të gjitha masat për sigurinë e protestuesve dhe ushtrimin prej tyre në mënyrë të ligjshme dhe pa asnjë pengesë”, – thuhet në deklaratën e PD.
Opozita pritet të dalë në shesh të shtunën e 16 shkurtit, në atë që e quan protestën më të madhe që është zhvilluar ndonjëherë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




