Shkolla dhe universitete janë mbyllur në të gjithë Europën pas një vale protestash nga studentë dhe nxënës që akuzojnë qeveritë se nuk kanë ndërmarrë masa për të luftuar ndryshimet klimatike.
Në Gjermani, në 7 qytete u mbyllën universitetet pasi “u pushtuan” nga studentët që protestonin brenda ambienteve të universiteteve.
Në Belgjikë, 40 studentë bllokuan hyrjen në Universitetin “Ghent”. Në Republikën Çeke, rreth 100 studentë ngritën çadrat jashtë ministrisë së tregtisë dhe industrisë. Dhe në Britani kishte protesta në universitetet e Leeds, Exeter dhe Falmouth.
Por veprimet më radikale janë zhvilluar në Lisbonë të Portugalisë, ku të rinjtë pushtuan shtatë shkolla dhe dy universitete. Të enjten, nxënësit detyruan një shkollë të mesme të qëndrojë e mbyllur për të tretën ditë, ndërsa studentët në fakultetin e shkencave humane të Universitetit të Lisbonës bllokuan zyrën e dekanit.
Të rinjtë ndaluan lëvizjen e makinave në shenjë solidariteti me protestat në Europë. Veprimi radikal vjen pavarësisht përgjigjeve të ashpra nga mësuesit në një shkollë, të cilët thirrën policinë për të dëbuar nxënësit që filluan bojkotin e mësimit javën e kaluar.
Protestat dhe bojkoti janë pjesë e një fushatë të zgjeruar nën sloganin “Fund fosilit, bojkotoni!”, që synon të përshkallëzojë lëvizjen e të rinjve për klimën që arriti kulmin gjatë protestave masive në vitin 2019.
“Kushdo nga çdo pjesë e botës që dëshiron të organizojë bojkote është i mirëpritur ta bëjë këtë, për t’i dhënë zë ndikimit klimatik”, tha një nga studentët.
Burimi: The Guardian. Përshtati: Gazeta Si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




