Pas protestës së djeshme të opozitës, Policia e Shtetit ka nisur shoqërimet e qytetarëve që u përfshinë në akte dhune para Parlamentit.
Policia e Tiranës në një njoftim zyrtar bën me dije se janë 60 të proceduar për aktet e dhunës ndaj punonjësve të Policisë dhe institucioneve shtetërore në protestën e djeshme të opozitës.
Siç njofton policia, bazuar prova, pamje filmike, raporte shërbimi u arrestuan në flagrancë 42 persona, si dhe janë proceduar në gjendje të lirë 17 persona të tjerë për kryerjen e veprave penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, ”Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”.
Po ashtu është proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” edhe organizatori i protestës, Gazmend Bardhi.
Nga goditjet, kundërshtimet dhe përdorimi i lëndëve piroteknike, sendeve të forta, kapsollave e fishekzjarrëve kanë mbetur të plagosur 10 punonjës të Policisë, të cilët morën ndihmën në Spitalin e Traumës.
Po ashtu, si pasojë e përdorimit të lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, kapsollave e sendeve të tjera janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në Godinën e Kryeministrisë dhe selisë së Parlamentit.
Policia dje deklaroi se i kishte dhënë leje dy orë PD-së për protestën, por ky orar nuk është respektuar.
Gjatë protestës, herë pas here policia iu bëri vazhdimisht thirrje në megafon protestuesve dhe organizatorëve të protestës për të mos hedhur lëndë piroteknike, pasi rrezikohet jeta e policëve.
Ambasada Amerikane ka pritur përfundimin e protestës për të mbajtur qëndrimin e saj në lidhje me ecurinë e saj. Me anë të një deklarate për median ambasada dënon dhunën e ushtruar në protestën e shtatë të opozitës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




