Lajme

Protesta, Ambasada Amerikane: Mos ushtroni akte dhune

Kur na ndan një ditë nga protesta kombëtare që ka paralajmëruar Partia Demokratike, sipas të cilës do të jetë kulmimi i betejës për një Shqipëri Europiane, vjen reagimi i ambasadës amerikane.
Ndryshe nga protesta kombëtare e 13 prillit, ku ndërkombëtarët nuk dhanë asnjë deklaratë për mënyrën se si rrodhën ngjarjet në protestë, edhe pse pati akte dhune, këtë herë ambasada vjen me një reagim ku bën thirrje për të mos ushtruar akte dhune në protestë.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ambasada shprehet se qëllimi demokratik i një proteste komprometohet në rast se përshkallëzon në dhunë.
“E drejta për t’u përfshirë në protesta paqësore është një e drejtë themelore demokratike. Përgjatë muajve të fundit, pjesa më e madhe e pjesëmarrësve kanë ushtruar të drejtën e tyre për të protestuar paqësisht. Megjithatë, në çastin kur një protestë paqësore njolloset nga një akt dhune, qoftë edhe nga një individ, qëllimi demokratik i protestës kompromentohet. Është e paligjshme dhe jo demokratike të kryesh akte dhune, përfshirë edhe shkatërrimin e pronës. Iu bëjmë thirrje të gjithë personave të përfshirë në protestën e së shtunës që të refuzojnë dhunën për të siguruar një protestë paqësore dhe konstruktive”, shkruan ambasada amerikane.
Siç ka paralajmëruar kryedemokrati Basha, protesta do të zhvillohet nesër në orën 18:00 para Kryeministrisë. Ndërkohë menjëherë pas përcaktimit të datës së protestës kombëtare, Basha vijoi turin e takimeve në qytete për të sensibilizuar qytetarët për të marrë pjesë sa më shumë në protestë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë