Pas afro 42 vitesh, protagonistët e Botërorit 1982, fituesit e trofeut më të lakmuar në futboll, Kupës së Botës, do të zbresin në Tiranë. Bëhet fjalë për disa emra të njohur të “Axurrëve” që ngritën trofeun në Spanjë.
Do të jetë muzeu i më të mëdhenjve të atij Botërori dhe të finales, Paolo Rosit, ku do të ekspozohen sendet e tij personale: nga uniforma, certifikatat e vlerësimit të FIFA-s si lojtari i turneut, apo edhe ‘Topi i Artë’ që ai fitoi në atë vit.

Një aktivitet i rrallë, që është pjesë e muzeve të organizuar nga FIFA, ndërkohë që në vendin tonë do të jetë nën kujdesin e kryeministrit të vendit, Edi Rama, Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Ambasadës Italiane, bashkë me fondacionin që mban emrin e Paolo Rosit dhe drejtohet nga bashkëshortja e tij, Federika Kapeleti.
Mes protagonistëve të asaj finaleje do të jetë edhe golashënuesi tjetër i finales përballë Gjermanisë Perëndimore, Marko Tardeli, një nga ikonat e futbollit italian, pjesë e kombëtares kampione bote të vitit 1982. Ai shënoi një nga 3 golat, së bashku me Rosin dhe Altobelin. Gjithashtu është i njohur në nivel klubesh edhe për karrierën e tij shumë të madhe te Juventusi.
Do të jetë edhe Antonio Kabrini, kampion bote i 1982-shit dhe pjesë për shumë vite e Juventusit. Të dy lojtarët e Italisë, si Tardeli ashtu edhe Kabrini, ishin autorët e golave të atij Botërori përballë Argjentinës, që e mundën me shifrat 2-1.
Mes protagonistëve të asaj ndeshjeje ka qenë edhe arbitri Abraham Klein. I vetmi arbitër izraelit i FIFA-s, i cili ishte pjesë e një prej ndeshjeve më të përfolura dhe më të bukura të kampionateve botërore, si ajo mes Italisë dhe Brazilit të zhvilluar në stadiumin “Sarrià” në Barcelonë, ku Paolo Rosi shënoi 3 gola në fitoren e madhe 3-2, duke iu përgjigjur reagimeve të Sokrates dhe Falkaos.
Nuk do të mungojnë as dy drejtuesit e federatave të futbollit, që janë njëkohësisht edhe dy zv.presidentët e UEFA-s, Armand Duka dhe Gabriele Gravina.
Një mbërmje e veçantë dhe e madhe për të gjithë ata që kanë arritur t’i shohin nga televizori, apo edhe drejtpërdrejt këta yje të mëdhej, që kanë shkruar një pjesë të rëndësishme të historisë së futbollit dhe të kampionateve botërorë, të cilët do të bashkohen në Muzeun Historik, më 1 shkurt.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




