Nga Gazeta Si- “Ndalohet përdorimi i ajrit te kondicionuar në temperaturë më të ulët se 27 gradë gjatë verës dhe më të lartë se 21 gradë gjatë dimrit; Ndërpritet ndriçimi i jashtëm i godinave te klientëve jo familjarë publike çdo ditë pas orës 22:00; Ndërpritet ndriçimi rrugor i rrugëve ndërqytetase kryesore dhe dytësore; Ndërpritet ndriçimi i jashtëm i objekteve te kulturës, monumenteve, shesheve, shatërvanëve”.
Këto janë katër masat që qeveria do të marrë për kursimin e energjisë nga ana e institucioneve shtetërore. Akti normativ i qeverisë “Për marrjen e masave të veçanta gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike”, është depozituar në Parlamentin shqiptar dhe sipas qeverisë synon “Në këtë mënyrë, përveç se do të ndihmojë familjet shqiptare, të reduktojnë shpenzimet e faturës së energjisë, por do të sjellë kursime prej rreth 3 milionë kWh/vit në rang vendi”.
Gjithashtu, akti normativ detyron klientët buxhetorë të reduktojnë konsumin e energjisë elektrike, në masën 15 %, krahasuar me muajin përkatës të një viti më parë, ndërsa në të kundërt do të gjobiten. Për këtë do të emërohet një administrator energjetik në çdo institucion dhe nëse për 2 muaj nuk arrihet objektivi, do të gjobitet me 50 mijë lekë. Për këtë parashikohet që Task-Force të nisë kontrollin edhe për verifikimin e të gjitha pajisjeve që konsumojnë energji elektrike në institucion.
Ndërsa Agjencia per Eficencen e Energjisë financon projektet për instalimin e paneleve diellore, për ngrohjen e ujit sanitar për klientët familjarë. Financimi përfshin jo më shumë se 70% të vlerës së impiantit dhe kostos se instalimit. Financimi i masës mbështetëse bëhet vetëm nga të ardhurat për shërbime ndaj të tretëve, të arkëtuara nga agjencia gjatë vitit buxhetor. Sipas nenit 7 të këtij akti, Instalimi i paneleve diellore monitorohet nga Task-Forca e Energjisë.
Ky akt normativ do të jetë në fuqi për aq kohë sa zgjat periudha e gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike dhe nuk është i zbatueshëm për institucionet e ofrimit të shërbimeve shëndetësore, shkollat, kopshtet, komisariatet e policisë dhe institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



